Kosova

Arkitektura dhe jeta kulturore në Prishtinë, pika referimi për turizmin  

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Pallati i Rinisë, muzetë, galeritë vazhdojnë të jenë edhe sot pikë referimi për banorët dhe për vizitorët e huaj që vijnë në Kosovë 

Në vitet 70-të dhe 80-të, në territorin e Kosovës, përkatësisht në Prishtinë, erdhën arkitektë për t’i dhënë një dorë jetës kulturore dhe objekteve në kryeqytet. Biblioteka Kombëtare e Kosovës (tash ‘Pjetër Bogdani’), Pallati i Rinisë, muzetë, galeritë vazhdojnë të jenë edhe sot pikë referimi për banorët dhe për vizitorët e huaj që vijnë në vendin tonë. 

 

Më 18 qershor, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit doli me njoftimin se listës së aseteve të trashëgimisë kulturore i janë shtuar edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, Biblioteka ‘Hivzi Sylejmani’, Kulla e Sahatit, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Shtëpia e banimit e familjes së Hynilerëve, Xhamia e Çarshisë dhe Xhamia e Jashar Pashës. 

Dokumentar mbi objektet arkitekturore  

Në shkurt të këtij viti arkitektja dhe mësimdhënësja universitare, Flaka Xërxa Beqiri prezantoi një dokumentar lidhur me tri objekte, arkitekturën dhe jetën kulturore që u zhvillua për e rreth tyre. Pallati i Rinisë, Biblioteka Kombëtare dhe Bankkos në qytetin e Pejës u ndërtuan vite me parë në vendin tonë për qëllime të ndryshme funksionale.  

Përkundër objektit të Bankkosit i cili sot është jashtë funksionit, dy objektet tjera Pallati i Rinisë dhe Biblioteka Kombëtare vazhdojnë të jenë funksionale. 

Vitin e kaluar Pallati i Rinisë mirëpriti bashkë me Hotel ‘Grand’ dhe objekte tjera, festivalin shëtitës të artit ‘Manifesta 14’. Në një anketim nga ky festival i veçantë, organizatorët dolën në përfundim që 25 hapësirat e Manifesta 14 në Prishtinë mirëpritën 139,000 vizitorë (807,000 vizita), si dhe u organizuan më shumë se 200 ngjarje në kuadër të programit publik të bienales duke e bërë Manifesta 14 ngjarjen më të madhe kulturore në Kosovë në vitin 2022. 

Ndërkaq, Biblioteka Kombëtare e Kosovës vazhdon të mbetet pikëtakimi i studenteve, promovimit të librave, studimeve gjuhësore e arkivave të gazetave të shtypura vite më parë në Kosovë. Në dokumentarin që u përmend më lart, rrëfehet ideja e ndërtimit të Bibliotekës me kupolat e famshme. Arkitekti Andrija Mutnjakovic me të zbritur në Prishtinë pa elemente të jetës që zhvillohej asokohe në kryeqytet, duke përfshirë elementet islamike me ato bizantine ndërtoi kupolat dhe arkitekturën e brendshme të Bibliotekës që i rezistoi stoikisht kohës. 

 

Muzeu Kombëtar, institucioni më i hershëm i trashëgimisë kulturore në vend 

Muzeu Kombëtar i Kosovës është institucioni më i hershëm, themeluar me qëllim të ruajtjes, mbrojtjes dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ai ëhtë themeluar në vitin 1949 nga autoritetet e atëhershme dhe gjendet në qendër të qytetit të Prishtinës. 

Muzeu përbëhet nga tri pjesë: vetë Muzeu i Kosovës, Kompleksi Strehimor i Emin Gjikut ku është prezantuar ekspozita Etnologjike dhe Muzeu i Pavarësisë. Sot muzeu vazhdon të këmbëngul në kthimin e rreth 1,200 objekteve dhe artefakteve të marra nga Beogradi gjatë vitit 1998. 

Rregullisht në Muzeun e Kosovës dhe në pjesën e Lapidariumit të Muzeut mbahen ekspozita qofshin individuale ose grupore. Në Lapidarium ekspozita e fundit që u hap ishte ajo e Holokaustit të romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore; për herë të parë në Kosovë u ekspozuan fotografi e materiale që dëshmojnë krimet mbi komunitetin rom në kampet e përqendrimit. 

Galeria e Arteve, vend ekspozimi i vlerave  

Galeria Kombëtare e Kosovës në anën tjetër mban një bagazh të rëndësishëm kulturor mbi shpatulla. Ekspozitat, artistët, artdashësit bëhen bashkë çdo vit për të sjellë në vendin tonë larushi artistike. Naim Spahiu punon tash e shumë vite në Galeri. Ai thotë se kishte filluar rrugëtimin këtu shumë kohë më parë. 

“Unë në GKK jam punësuar në vitin 2003, si koordinator për ekspozita, si rezultat i një konkursi publik. Personalisht nga eksperienca në GKK, jam ndërtuar intelektualisht dhe profesionalisht si artist”. 

Ai po ashtu rrëfen për punën e vazhdueshme me artistë vendorë e ndërkombëtarë. 

“Ekspozitat që organizohen në planprogramin vjetor në GKK, na japin mundësinë e komunikimit dhe organizimit si në ekspozitat personale dhe kolektive, me artistë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë dhe aty behet shkëmbimi i përvojave të ndryshme profesionale. Ne kemi memorandume të bashkëpunimit me institucione të ndryshme të artit në arenën ndërkombëtare dhe bashkë organizojmë ekspozita kolektive, ku ne si institucion i marrim përsipër të gjitha pagesat qe nga transporti i veprave e deri të biletat dhe akomodimi për artistët”. 

Përpos këtyre hapësirave në kryeqytet funksionojnë një numër i madh objektesh kulturore, të cilat i veçon arkitektura dhe rëndësia e tyre ndër vite për vendin tonë. 

Kino Armata, Teatri Oda, Teatri Dodona, Biblioteka Hivzi Sylejmani, Galeria Kombëtare e Kosovës, hapësirat tjera alternativa që u shfrytëzuan nga individë ose grupe njerëzish tash e një kohë të gjatë mbajnë në sirtar punën e artistëve dhe gërshetimet e kulturave ndërmjet Kosovës dhe vendeve tjera.