Portrete të firmave
Arkitekti kumanovar: Ndërtimet duhet t`i qëndrojnë kohës
33 vjeçari Nefail Ademi me prejardhje nga fshati Hotël i Kumanovës, udhëheq kompaninë e arkitekturës “N2A”. Ndërtimet që i bën kjo kompani, kanë arkitekturë unike që është e destinuar për t`i qëndruar kohës
“N2A“ ka zyrat në objektin e njohur “Black Office”, në dalje të qytetit Widnau. Prej aty, dalin skica e projekte, që realizohen në mbarë Zvicrën gjermanofolëse.
Kompania e Nefail Ademit ndërton objekte me një arkitekturë unike, ku secili objekt është i predestinuar të këtë karakterin e vet.
Arkitektët e kompanisë “N2A” janë të angazhuar kryesisht në objekte banesore të banimit kolektiv, “sepse aty janë kërkesat më të mëdha”, na thotë shefi i kompanisë.
Kompania e arkitekturës që drejtohet nga 33 vjeçari Nefail Ademi, ka 20 projekte që aktualisht i realizon në faza të ndryshme.
“Ne kërkojmë gjithnjë të punojmë me teknologjinë me të re. Me materialet aktualisht më të zhvilluara, kërkojmë zgjidhje që i japin objektit një karakter unik dhe nuk bëjmë një fasadë sa për sye e faqe, e pa kurrfarë konstruksioni”.
Nuk ndjekim trendin por vlerat e qëndrueshme
Sipas arkitektit Ademi, qytetet kanë një fillim dhe asnjëherë një mbarim. Arkitektët krijojnë një vend të ri duke marrë për bazë arkitekturën e qytetit ekzistues.
“Në fakt, ne kurrë nuk ndërtojmë një qytet komplet të ri, ne marrim atë qytet që kemi, atë strukturë urbanistike, dhe e ndryshojmë duke u munduar të gjejmë zgjidhjen më të mirë në kontekstin që kemi”.
Në Zvicër ka shumë rregulla e norma të cilave ata duhet t`u përmbahen dhe këto ua kufizojnë pak kreativitetin arkitektëve. Por kjo nuk e brengos udhëheqësinë e kompanisë „N2A“. “Ne edhe ashtu nuk i ndjekim shumë trendet, sepse pas dy e tri vitesh shfaqet prapë një trendi i ri”, na thotë djali me prejardhje nga fshati Hotël i komunës së Likovës, në rrethinën e Kumanovës.
“Një ndërtesë ka jetëgjatësi 50 deri 100 vjet dhe ka për t`i kaluar disa trende, prandaj ne mundohemi të gjejmë një arkitekturë që i reziston kohës së trendit e që ka një dizajn pa afat kohor”, shprehet Ademi, të cilin e impresionon më tepër ambienti i jashtëm dhe urbanizmi. “Aty është dimensioni që shtrihet tek shumë njerëz, ambienti i brendshëm është një shije personale”, vlerëson Ademi.
Përvoja e arkitektëve të vjetër dhe kreativiteti i atyre të rinj
Arkitekt i mirë është ai që analizon të dhënat, vendin, qytetin, kulturën dhe përmes projektit jep përgjigjen nga të dhënat që ka mbledhur.
“Gabimi më i madh i një klienti është nëse i kërkon një arkitekti një ofertë pa e ditur çfarë ka ndërtuar ai arkitekt, çfarë referencash ka“, porosit Ademi, i cili është kujdesur që në firmën e tij të ketë arkitektë të rinj e kreativë, por edhe të vjetër e me eksperiencë të gjatë pune.
„Kemi arkitektë me eksperiencë të gjatë dhe arkitektë të rinj e me ide të reja. Harmonizimi i ideve mes të riut dhe arkitektit të vjetër jep rezultate mahnitëse”, thotë Ademi. Ai është i bindur se: “një objekt nuk ndërtohet ose dizajnohet kurrë vetëm prej një njëriu, por dizajnohet në grup, ku vizatuesi teknik i ri bashkëpunon me arkitektin e vjetër e me përvojë. Domethënë kemi kreativitetin dhe eksperiencën“.
Ata nuk i ofrojnë kurrë klientit një projekt të nxjerrë nga sirtari. „Çdo kërkesë e analizojmë nga pika zero, me ç`rast përmes bashkëbisedimit kërkojmë e projektojmë zgjidhjen më optimale për klientin“, na thotë Ademi i cili ka në kompaninë e tij tre arkitektë dhe dy vizatues teknikë.
I pari shqiptar që ka studiuar arkitekturën në Liechtenstein
„Aspiratat e mia, prej se e mbaj mend, kanë qenë për t’u bërë arkitekt. Rruga e suksesit ka filluar me zanatin apo shkollën profesionale si vizatues teknik i ndërtimeve të larta. Njëkohësisht kam ndjekur edhe maturën dhe kjo më ka dhënë mundësinë që pas katër vitesh ta mësoj vizatimin teknik dhe procesin e planifikimit“, na tregon shefi i kompanisë së arkitekurës, Nefail Ademi.
Ademi ka mbaruar studimet për bachelor në Universitetin e Vaduzit si shqiptari i parë që ka studiuar arkitekturën në Principatën e Liechtensteinit, kurse studimet master i ka ndjekur në drejtimin (Sustainable Design) dizajn i qëndrueshëm.
Arkitektura, një ndërthurje shkencash dhe arti
„Arkitektura me ka pëlqyer shumë sepse ngërthen në vete shumë shkenca. Në hapin e parë merresh me ligje të ndërtimit -pastaj me dizajn, në fazën tjetër me konstruksion, me art, me statikë me fizikë e në fund financa edhe menaxhim. Është profesion teknik që kërkon një bashkëdyzim të të gjitha këtyre veçorive për të ardhur deri në një përfundim arkitektural që shpreh idenë“.
Publireportazh
E-Diaspora
-
Humor shqiptar në ekranin zviceran, Vedat Bajrami protagonist në “Te Berberi – rritet prap” Televizioni zviceran SRF nis transmetimin e një seriali të ri komedi që premton të sjellë humor...
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
Jeta në Zvicër
-
Si do të përfitojë Zvicra nga pakti i ri me Bashkimin Evropian? Pas nëntë muaj negociatash intensive - dhe disa pika të vështira gjatë rrugës - marrëveshja e...
-
Disa qiramarrës zviceranë mund të presin qira më të ulëta në vitin 2025
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane