Shqipëria
Arkeologu zviceran me mision zbulimin e lashtësisë shqiptare
Në një intervistë për albinfo.ch, Dr. Zindel shpalos përvojat e tij nga gërmimet arkeologjike dhe aktivitetet tjera të lidhura me Shqipërinë
Arkeologu zviceran, Dr. Christian Zindel vizition Shqipërinë rregullisht që nga viti 1988. Nga viti 1999 deri në vitin 2003 ai ka punuar si drejtues i jashtëm i Fondacionit Kulturor Zviceran “Pro Helvetia” në Tiranë. Gjatë viteve 2004-2008, ai ka qëndruar për çdo verë në Alpet Shqiptare, me GPS dhe harta dhe ka hartuar guidën “Shqipëria e Veriut, Thethi dhe Kelmendi”.
Albinfo.ch: Qëkur jeni në kontakt me Shqipërinë dhe si ka lindur kjo lidhje?
Dr. Christian Zindel: Si arkeolog, unë interesohem në veçanti për kulturat e ashtquajtura “periferike” (etruskët, sikulët, skitët etj.), të cilat, ndonëse janë ndikuar nga qytetërimet e larta klasike greke dhe romake, megjithatë kanë ruajtur një pjesë të shënueshme origjinale të tyren në stilin dhe në shprehjen e krijimeve të tyre artistike. Në mesin e këtyre kulturave periferike numërohen edhe ilirët, të cilët që nga kohët më të lashta kanë populluar Shqipërinë.
Në vitin 1988, për herë të parë jashtë vendit (në Hildeheim) ishte realizuar një ekspozitë arkeologjike për ilirët. Unë kisha vizituar, në vjeshtën e po atij viti për herë të parë Shqipërinë atë kohë ende të izoluar. Pas kësaj organizova në Bazel një kurs të Shkollës së Lartë dhe një udhëtim studimor në këtë vend të papërfshirë nga ana turistike. Që atëherë unë, në distanca të shkurtra apo të gjata kohore kam vizituar në vazhdimësi Shqipërinë, ndërsa nga viti 1999 deri në vitin 2003 kam jetuar në Tiranë. Përcaktuese për kontaktin e mëtejshëm intensiv, ka qenë rastësia që unë qysh në udhëtimin e parë ne Shqipëri u njoha në Shkodër me një koleg të profesionit, me të cilin jam i lidhur miqësisht edhe sot.
Muri rrethues i qytetit të Antigoneas (Foto: Christian Zindel)
Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri?
Në vitet e para, pas kthesës së vitit 1991 atje mbretëronte një kaos, varfëri dhe mjerim, kështu që për gërmimet arkeologjike mungonin paratë. Miku im, Bashkimi, organizoi atëkohë, në vitin 1993 një gërmim emergjent në Bushat (Rrethi i Shkodrës) me punëtorë të papunë, të cilët u paguan nga Caritasi. Ai, privatisht më luti për ndihmë, pasi nuk kishte në dispozicion mjetet për matjet dhe dokumentacion fotografik. Ky angazhim “jozyrtar” solli në dritë një kështjellë ilire të fundit të shekullit të tretë, para Krishtit, e cila duhet të ketë shërbyer si një kështjellë pararojë e Shkodrës. Duke qenë se mjetet tona në dispozicion ishin të kufizuara dhe vendi shfrytëzohej si shesh për stërvitje të tankeve, ne patëm mundësi të dokumentonim vetëm rrjedhën e murit fortifikues. Vitin e kaluar, ky gërmim është ndërmarrë sërish nga një koleg tjetër.
Një gërmim i dytë, një lloj “Joint Venture” zyrtar në mes të Universitetit të Gjenevës dhe Institutit Arkeologjik, ka filluar në vitin 2007 në Orikos, pjesën më të mbrapme të Gjirit të Vlorës. Ky port ushtrarak ishte përshkruar në mënyrë të detajuar nga Jul Cezari në “Luftë civile” të tij. Ne patëm përfituar nga fakti se zona e bllokuar ushtarake e bazës fqinje të Marinës Shqiptare “Pashaliman” ishte zhbllokuar pjesërisht. Ne patëm zbuluar disa pjesë të murit antik dhe bizantin të qytetit si dhe patëm konstatuar se ndërtimi gjysmërrethor në anën lindore nuk ishte teatër, siç ishte menduar, por duhet të ketë shërbyer si një sistem i sofistikuar teknik i ujit. Gërmimet po vazhdojnë edhe më tej dhe ato mund të vizitohen për turistët. Ne besojmë se statusi i sotëm si park rajonal arkeologjik do të zgjerohet dhe po ashtu që laguna me florën dhe faunën e saj unike do të mund të shpallet park i mbrojtur natyror.
Për arsye se ndërkohë kam udhëtuar kryq e tërthor nëpër Shqipëri me interesim të veçantë për të kaluarën antike, u poq ideja për një projekt konkret, për të shkruar një guidë turistike arkeologjike për gjithë Shqipërinë. Së bashku me tre kolegë, ne në fillim të vitit 2018 botuam në shtëpinë botuese “Bühlau Verlag” të Vjenës një libër me ilustrime të bollshme, i cili i përshkruan të gjitha vendgjetjet e rëndësishme. Natyrisht, pikat e rëndësishme turistike si Butrinti, Apollonia, Antigonea, Durrësi, Berati, rajoni i Liqenit të Ohrit ose Via Egnatia zënë këtu vend veçanërisht të madh.
Pagëzimorja në Butrint (Foto: Ilir Gjipali)
A vazhdoni të jeni i angazhuar ende në Shqipëri dhe në cilat fusha?
Në vitin 1999 kemi krijuar shoqatën “Arsimi”, e cila mbështet institucionet arsimore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe në Zvicër. Në këtë mënyrë ne kemi mundësuar për shembull në Shqipërinë e Veriut meremetime emergjente të ndërtesave të ndryshme shkollore, ndërsa prej shumë vitesh furnizojmë Universitetin e Arteve në Tiranë me libra profesionalë, sigurimi i të cilëve ndryshe, për bibliotekën e atjeshme do të ishte i papërballueshëm.
Gjatë katër viteve, nga viti 1999 deri në vitin 2003, kam punuar si udhëheqës i jashtëm i Fondacionit Kulturor Zviceran “Pro Helvetia” në Tiranë dhe kam mbështetur në kuadrin e Bashkëpunimit Zviceran për Zhvillim rreth 250 projekte në gjithë vendin. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre projekteve ishte e rëndësishme edhe për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, si për shembull Festivali i Teatrit në Teatrin Antik të Butrintit, festivali i parë ndërkombëtar i xhazit në Tiranë ose bienalja ndërkombëtare e artit, shumë e afirmuar në skenën artistike.
Çfarë projektesh turistike kanë dalë nga të gjitha këto aktivitete?
Jam gjithnjë e më i bindur se para së gjithash duhet të promovohet një lloj “i butë” dhe i qëndrueshëm i turizmit, për dallim nga turizmi masiv në plazhe. Këtu bëjnë pjesë “xhepat” si turizmi i ecjes këmbë nëpër male (Hiking) dhe turizmi kulturor. Janë të dëshirueshme edhe infrastrukturat për kanionet, paragliding, ngjitje si dhe për sportet e ndryshme dimërore (ski, ecje në borë, turet nëpër borë etj.), të cilat do të kishin një vlerë të jashtëzakonshme, në veçanti për Shqipërinë malore të veriut. Për të nxitur zhvillimin e turizmin e ecjes, unë kam publikuar në vitin 2008 së bashku me Barbara Hausammann një guidë (udhërrëfyes) të ecjes për Shqipërinë e Veriut, e cila menjëherë u përkthye edhe në gjuhën angleze dhe shqipe. Ajo përshkruan turet e vogla dhe ato të mëdha të ecjes në Alpet e Shqipërisë veriore, të cilat ne i kemi kaluar të gjitha vetë. Synimi kryesor ka qenë që të ndërpresim braktisjen e zonave rurale të luginave në atë kohë shumë të izoluara në veri dhe që ta bëjmë më tërheqëse jetesën në këtë zonë. Suksesi ishte mahnitës: falë mbështetjes financiare me të cilën shtëpitë u bënë të përshtatshme për dedikimin turistik dhe falë regjistrimit sistematik të objekteve për fjetje, u arrit që këto fshatra malorë, së paku gjatë verës, të ripopullohen, që shkollat e mbyllura të hapen sërish dhe që për njerëzit e kthyer të realizohen të ardhura të konsiderueshme plotësuese.
Turizmin kulturor e praktikoj që nga viti 1987 si organizator dhe udhëheqës i udhëtimeve në grup nëpër gjithë Shqipërinë. Për grupet speciale ne fusim në program edhe ecjet nëpër male. Kam udhëhequr grupe të shumta për të vizituar atraksionet kulturore të Shqipërisë dhe vazhdimisht dëgjoj të thonë: “Është vend i mrekullueshëm, do të vi me siguri sërish!”.
Lezhë, porta e qytetit (Foto: Christian Zindel)
A mund të na thoni diçka më tepër lidhur me përmbajtjen e udhërrëfyesit tuaj të ri arkeologjik?
Në librin e trashë prej 580 faqesh, ne përshkruajmë në më shumë se 450 faqe rreth 150 vendgjetje arkeologjike, muze dhe atraksione tjera, të cilat kanë të bëjnë me të gjithë historinë para krijimit të shtetit shqiptar (pra që nga Koha e Gurit deri në vitin 1912). E gjitha e ilustruar me 104 plane dhe 100 ilustrime me ngjyra. Një kapitull i shkurtër, i menduar më tepër për profesionistët, por i shkruar në mënyrë që të kuptohet lehtësisht nga të gjithë, merret me historinë e hulumtimeve arkeologjike deri në ditët e sotme, ndërsa në rreth 50 faqe të tij, bëhet fjalë për një vështrim të përgjithshëm mbi historinë në përgjithësi dhe historinë kulturore të Shqipërisë së sotme. Në fjalor sqarohen shkurtimisht termat profesionale, ndërsa një listë udhëzuese për literaturën si dhe një regjistër subjektesh dhe personash përmbyllin librin.
Katër autorët: Bashkim Lahi, Andreas Lippert, Machiel Kiel dhe unë, e njohim shumë mirë Shqipërinë dhe të gjithë jemi të magjepsur nga ky vend. E veçanta në konceptin e veprës sonë të përbashkët, qëndron me siguri në faktin se epoka otomane, e cila shpesh prezantohet në mënyrë si të lënë pasdore, këtu është e përfshirë në mënyrë të përsosur dhe të barabartë.
Orikum, Sistemi i ujëmbledhësit (Foto: Barbara Hausammann)
Çfarë mund të bëhet më tutje në fushën e turizmit të ecjes dhe atë kulturore?
Në fushën e turizmit të ecjes vazhdon të jetë aktive Barbara Hausammann, e cila ka shenjuar dhjetëra shtigje të reja ecjeje dhe i ka regjistruar ato me GPS. Nga ana zyrtare kjo punë shumë e mundimshme vlerësohet tepër pak, të gjitha shpenzimet mbulohen nga donatorët privatë.
Për turizmin do të ishte shumë e dobishme një përmbledhje e rrugëve historike të transportit në Shqipëri. Deri tani vetëm Via Egnatia në luginën e Shkumbinit është studiuar dhe është përfshirë si një rrugë për ecje. Vetëm në Shqipërinë e Veriut ka dhjetëra shtigje të vjetra për lidhje nga lugina në luginë, përmes të cilave, si shembull, para epokës së motorizuar, dhëndri vizitonte nusen. Njohja e të gjitha këtyre shtigjeve të vjetra do të humbet, harrohet, ata që i kanë kaluar këto shtigje, po vdesin. Me sa di unë ende nuk ka asnjë shoqatë shqiptare e cila do t`i kishte vënë vetes si qëllim mapimin (futjen në hartë) të shtigjeve historike të transportit.
Në fushën e kulturës, do të duhej që përfundimisht nëpër muze, të gjitha sqarimet për eksponatet të përkthehen së paku në gjuhën angleze. Në muzeun e Butrintit, kjo tashmë është bërë, por atje, gjatë vizitës që bëmë vitin e kaluar, pamë se së paku gjysma e llampave të vitrinave ishin shkatërruar, kështu që vizitorët detyroheshin që ekspozitën interesante ta shikonin në gjysmëerrësirë. Gjithashtu, edhe shpjegimet dhe në sqarimet e drejtpërdrejta në vendgjetje më pak të njohura, si ato në Kep të Rodonit ose në Peqin, lënë për të dëshiruar pasi mungojnë në tërësi. Me fjalë tjera: unë dëshiroj përparime në përgatitjen didaktike si dhe në prezantimin dhe mirëmbajtjen e vlerave të pasura kulturore të Shqipërisë.
Guida arkeologjike: Shqipëria
Në librin e trashë prej 580 faqesh, ne përshkruajmë në më shumë se 450 faqe rreth 150 vendgjetje arkeologjike, muze dhe atraksione tjera, të cilat kanë të bëjnë me të gjithë historinë para krijimit të shtetit shqiptar (pra që nga Koha e Gurit deri në vitin 1912). E gjitha e ilustruar me 104 plane dhe 100 ilustrime me ngjyra.
Një guidë për ecjen, me mision shoqëror
Për të nxitur zhvillimin e turizmin e ecjes, unë kam publikuar në vitin 2008 së bashku me Barbara Hausammann një guidë (udhërrëfyes) të ecjes për Shqipërinë e Veriut, e cila menjëherë u përkthye edhe në gjuhën angleze dhe shqipe. Ajo përshkruan turet e vogla dhe ato të mëdha të ecjes në Alpet e Shqipërisë veriore, të cilat ne i kemi kaluar të gjitha vetë. Synimi kryesor ka qenë që të ndërpresim braktisjen e zonave rurale të luginave në atë kohë shumë të izoluara në veri dhe që ta bëjmë më tërheqëse jetesën në këtë zonë. Suksesi ishte mahnitës:
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?