Integrimi
Arianit Shaqiri, një aktor shqiptar në dramën “Wilhelm Tell” të teatrit zviceran
Arianit Shaqiri, aktori i parë shqiptar që luan në një projekt që identifikon shtetin zviceran, në inskenimin dramaturgjik “Wilhelm Tell"
Arianit Shaqiri ështe një aktor profesionist nga Kumanova, i cili prej afër njëzet vjetësh jeton në Zvicër. E veçanta e tij është se ka arritur që edhe në vendin ku është shpërngulur të angazhohet si aktor, në teatrot zvicerane, në gjuhën gjermane. Ai ka luajtur një ndër rolet kryesore në dramën “Wilhelm Tell”. Në intervistën për albinfo.ch, Arianiti flet për jetën e tij në Zvicër, biografinë artistike dhe tregon se si ka ndodhur që ai të angazhohet si aktor në skenë zvicerane të teatrit,
Albinfo.ch: Arianit, pikërisht në përvjetorin jubilar 125 vjet, në “Tellspielgeselschaft” në Altdorf, luajtët një ndër rolet kryesore të inskenimit teatral të dramës “Wilhelm Tell”, të autorit Fridrich Schiller. Na flisni shkurtimisht për biografinë tuaj. Kush është Arianit Shaqiri?
A.Shaqiri: Po, pikërisht kisha nderin të jem pjesë e kastës së përzgjedhur nga regjisorja e njohur zvicerane Annete Windlin në jubileun e 125-të të teatrit “Tellspielegeselschaft” në Altdorf, në kantonin e heroit legjendar Wilhelm Tell, Uri. Unë isha i angazhuar në njërin ndër rolet kryesore në këtë projekt madhështor dramaturgjik.
Kam lindur në Kumanovë, Maqedonia Veriut. Unë vij nga një familje e madhe, e cila ishte e mishëruar me kulturën. Babai im ishte këngëtar, njëkohësisht kryetar për shumë vite në SHKA “Bajram Shabani” në Kumanovë. Familjarë të mirënjohur të asaj kohe ishin Sefedin Nuredini, Mirko Gashi e disa të tjerë. Hapat e parë në fushën e kulturës i bëra në shkollën fillore si recitues dhe në korin e shkollës. Gjatë gjimnazit isha i angazhuar në teatrin “Donika” si degë aneks në kuadër të SHKA “Bajram Shabani” në Kumanovë. Pas shkollimit të mesëm, vazhdova atë superior në Tetovë, në Fakultetin e Artit Dramatik, dega e aktrimit dhe menjëherë pas përfundimit kam punuar 4 vjet si asistent profesor në degën e aktrimit.
Albinfo.ch: Cilat ishin angazhimet e tua të para në aktrim gjatë periudhës sa ishit në vendlindje?
A.Shaqiri: Një ndër projektet e para të mia në vendlindje janë: “Përrallat popullore shqiptare”, filmi i parë i metrazhit të gjatë kinematografik i titulluar “Shi me gjak”, “Legjenda e Luto fukarasë”, “Plumbi i fundit”, e kështu me radhë. Nga këto projekte fitova shumë përvojë.
Albinfo.ch: Si ndodhi që edhe ju të vishnit petkun e mërgimtarit?
A.Shaqiri: Po, vetëm më duhet ta informoj lexuesin dhe dua të kthehem pak në retrospektivë! Unë isha në një lidhje me një vajzë, e cila jetonte në Kantonin Uri dhe falë saj, kjo lidhje u kurorëzua me martesë. Që nga viti 2005 jetoj dhe veproj në Kantonin legjendar Uri, thënë ndryshe, u bëra edhe unë mërgimtar. Unë dhe bashkëshortja ime kemi tre fëmijë dhe jetojmë në një harmoni familjare të lumtur. Mirëpo, për t’u integruar në shoqërinë zvicerane, më duhej të ndiqja kurse integruese të gjuhës gjermane. Një ditë, në një komunikim me mësuesen e gjuhës, e informova se jam aktor profesionist me edukim superior. Në këtë aspekt ajo u tregua mbështetëse dhe falë saj hyra në shtëpinë e madhe të Teatrit të Altdorf-it.
Albinfo.ch: Si ndodhi angazhimi juaj i parë?
A.Shaqiri: Të jesh pjesë e kastës së dramës „Wilhelm Tell“ është ngadhënjim shpirtëror, përgjegjësi, motiv dhe krenari njëkohësisht. Falë angazhimit tim dhe regjisorit gjerman, Volker Hesse, të cilit i jam shumë mirënjohës dhe falë tij hyra unë në mesin e kastës së aktorëve të përzgjedhur për herë të parë në vitin 2012 në shtëpinë e madhe të aktrimit “Tellspiele” në Altdorf. Ai më ofroi një rol me veprime të shumta skenike në tri akte, por pa tekst (nga shkaku i gjuhës). Pas përfundimit të premierës, regjisori dhe kritikët kishin reagim tejet pozitiv dhe me shumë fjalë miradije në drejtim timin duke u shprehur për një perspektivë timen më të mirë në të ardhmen Ky ishte suksesi im i parë jashtë vendlindjes dhe për koincidencë unë isha shqiptari i parë aktor që luajti në një projekt që identifikon shtetin zviceran.
Në vitin 2016, ishte një regjisor tjetër, por përsëri me origjinë gjermane, Philipp Becker, i cili më përzgjodhi dhe më ndau njërin prej roleve kryesore, kësaj radhe me tekst. Ky rol më lumturoi pa masë, ishte nderim dhe motiv për punë.
Albinfo.ch: T`i rikthehemi jubileut, 125 vjet të inskenimit teatral të dramës “Wilhelm Tell” 2024. A kishit dyshime se regjisorja zvicerane Annette Windlin mund të mos ju përzgjidhte në rolet kryesore, pas asaj përvoje të aktrimit që kishit me regjisorët gjerman?
A.Shaqiri: Të jem i sinqertë, jo, sepse tani më njoh mentalitetin zviceran, njëherësh kisha një përvojë. Të integrohesh në shoqërinë zvicerane është një gjë mjaft e vështirë, por pas integrimit, je person i pranuar plotësisht. Dhe mendoj se regjisorja bëri mirë në këtë drejtim, duke më ndarë rolin e Parracida-s, një personazh që deri më tani nuk ishte inskenuar kurrë në historikun e teatrit dhe pikërisht në jubileun 125-vjeçar të “Tellspiele”, u inskenua për herë të parë nga regjisorja zvicerane Annette Windlin.
Albinfo.ch: Kush ishte Parracida në dramën “Wilhelm Tell” dhe cili është ndryshimi mes këtyre dy roleve?
A.Shaqiri: Parracida i njohur si Herzog Johann von Schwaben është një personazh që simbolizon dilemat morale të asaj kohe dhe paraqet një kontrast me Wilhelm Tell-in, i cili vret guvernatorin Gessler jo për hakmarrje personale, por si një akt rebelimi ndaj tiranisë dhe shtypjes dhe shihet si një veprim heroik dhe çlirimtar për popullin zviceran, ndërsa krimi i Parracidas është një akt që buron nga dëshpërimi dhe që nuk gjen mbështetjen e shoqërisë.
Albinfo.ch: Sa zgjatën përgatitjet për këtë projekt, që nga përzgjedhja e aktorëve e deri te shfaqja e premierës “Wilhelm Tell”?
A.Shaqiri: Nga përgatitjet e para në tetor-nëntor të vitit 2023, përfshirë ndarjen e roleve dhe synimet e tjera që i takojnë regjisë, deri te përgatitjet aktive që filluan në mars të vitit 2024, procesi ka kaluar në disa faza të rëndësishme. Për shkak të kastës së madhe, që përfshinte një ansambël prej mbi 100 njerëzish, regjia, dramaturgjia dhe të gjitha ekipet e tjera të përfshira kryenin punën e tyre me grupe të organizuara.
Albinfo.ch: Pas 29 reprizave të shfaqjes, a u ndiet të lodhur?
A.Shaqiri: Sa i përket lodhjes, të them të drejtën: nuk e quaj lodhje, sepse kur përgjegjësia bëhet përditshmëri, lodhjen e çlodh krenaria.
Albinfo.ch: Nëse duhet të merrni pjesë për herë të katërt në “Tellspiele”, atëherë, a synoni të luani rolin kryesor të heroit helvetik Wilhelm Tell?
A.Shaqiri: Të gjitha rolet tjera kryesore, përveç atij të Wilhelm Tell-it, i kam luajtur. Nuk kam ndonjë synim. Megjithatë, nëse më ofrohet roli i heroit Helvetik, Wilhelm Tell, do ta pranoja me zemër.
Në shfaqjen e premierës së dramës “Wilhelm Tell” ishin të pranishëm shumë të ftuar prominentë nga politika dhe fusha të ndryshme të jetës publike të Zvicrës. Në mesin e tyre nuk mungoi as presidentja zvicerane, znj. Viola Amherd. Ajo, pas premierës u prononcua, e entuziazmuar, për të përditshmen “Urner Zeitung”. “Më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Skenografia, inskenimi, muzika – ishte mbresëlënëse”. Ajo ka theksuar tutje se performanca e aktoreve dhe aktorëve, nga fëmijët deri te pjesëmarrësit më të moshuar, ishte e pabesueshme. Më pëlqen shumë edhe fakti që gratë ishin dukshëm më të përfaqësuara dhe shihet se ato kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Deri më tani, ato ishin më pak të përfshira. Dhe këtë e vlerësoj shumë”.
Albinfo.ch: Pyetja fare e fundit. Ju ishit angazhuar në vitin 2018 po ashtu në një projekt grandioz, në atë “Winnetou 2” në festivalin “Freilichtspiele” në Engelberg të Zvicrës.
A.Shaqiri: Po, unë aty luaja indianin Tak Anuk, vëllain e vajzës së kreut të fisit, Ribanna. Për rolin tim të ri si indian në shfaqjet në natyrë në Engelberg, më duhej të përmirësoja aftësitë në kalërim!
Biografi e shkurtër artistike
Në vitin 2013 merr pjesë në Teatrin e Freilichtspiele në Luzern me shfaqjen “Wetter Leuchtet” në regji të Wolker Hese • Më 2014 angazhimi në dokumentarin „Daniot” te realizuar nga televizioni publik i Zvicrës SRF. • Në vitin 2015 ëersëri në Freilichtspiele të Luzernit me shfaqjen „Das Luftschiff’ në regji të Livio Andreina, shkruar nga Thomas Hurliman.
E-Diaspora
-
Ambasadori shqiptar reflekton për pavarësinë, në Ditën e Flamurit, në Bernë Në pritjen në Bernë u përkujtuan dy ngjarjet kyçe të kombit shqiptar: shpallja e Pavarësisë më...
-
Tragjedi e rëndë e familjes kosovare në Amerikë
-
Vjenë: Bedri Hamza nesër takohet me bashkatdhetarë
-
Komuniteti shqiptar në Nju-Jork ka festuar 112-vjetorin e Pavarësisë
-
Nxënësit e Shkollës Shqipe Ostermundigen në Bernë festojnë 28 Nëntorin
Jeta në Zvicër
-
Kujdesi për të afërmit, biznes i madh? Kompanitë fitojnë para duke u kujdesur për të afërmit. Kjo i shqetëson disa politikanë dhe komunitete....
-
E Premtja e Zezë, “dobët” në dyqanet zvicerane
-
Projekti për heqjen e taksës mbi vlerën e qirasë është penguar
-
Forca Ajrore Zvicerane do të përgjysmojë numrin e shfaqjeve ajrore, për të kursyer para
-
Pagat nominale zvicerane janë rritur me 1.5% në vitin 2024, thotë vlerësimi i fundit