Integrimi
Ariani do të sjellë një frymë të re në Parlamentin Nacional
“Parlamentit të Zvicrës i nevojiten më shumë njerëz të rinj” thotë Arian Bilali, i cili posa ka mbushur 21 vjeç dhe është kandidat për zgjedhjet nacionale që mbahen në tetor
Arian Bilali nuk ka mbushur ende 21 vjeç dhe i ka vënë vetes një objektiv të lartë: të zgjidhet deputet nacional i Zvicrës. Ai është nominuar për këtë post nga kryesia e Juso-s (Forumi rinor socialist) për Kantonin Thurgau dhe është njëri ndër kandidatët më të rinj për legjislativin e vendit në gjithë Zvicrën. Por, Ariani nuk trembet nga përgjegjësia. Edhe para tri viteve kur ai si 17 vjeçar kishte kandiduar për Parlamentin e Kantonit Thurgau, ishte më i riu. Votat e fituara nuk i kishin mjaftuar për deputet por në vitet në vijim ai ishte dëshmuar si një i ri me potencial të madh për angazhime sociale dhe politike. Ariani është bërë i njohur me pjesëmarrjen e tij në aksione të ndryshme për mbrojtjen e ambientit gjegjësisht kundër energjisë atomike.
albinfo.ch: Kur ke filluar të merresh me politikë gjegjësisht cili ka qenë angazhimi yt i parë politik apo zgjedhjet e para
Arian Bilali: Me politikën kam filluar të preokupohem aq herët sa që më duhet të pranoj se nuk e di se vërtet kur ka filluar kjo. Por, jam aktivizuar në politikë si 16 vjeçar ndërsa zgjedhjet e para në të cilat kam marrë pjesë kanë qenë ato për Asamblenë e qytetit në Kreuzlingen. Sigurisht unë kam kandiduar edhe për Parlamentin e Kantonit por kam qenë me më pak përvojë politike se sot.
albinfo.ch: Është hera e dytë që kandidon për zgjedhje. Por kësaj here i ke vendosur vetes një “prag” më të lartë. Çfarë të ka shtyrë që t`ia mësysh Parlamentit Nacional?
Bilali: Ai që më ka shtyrë për të kandiduar në Parlamentin Nacional është fakti se në këtë parlament ka tepër pak politikanë të rinj që do të përfaqësonin interesat e rinisë. Po ashtu më ka shtyrë edhe ideja që unë kam për t`u angazhuar për diçka. Nëse nuk i fitoj zgjedhjet nacionale, do të kandidoj edhe për Parlamentin e Kantonit.
albinfo.ch: Sikur në zgjedhjet për kanton (viti 2012) ashtu edhe tash për zgjedhjet nacionale, ti je mbase kandidati më i ri. Në Parlamentin Nacional nuk shohim pothuaj asnjë deputet nën 35 vjeçar… Ku i sheh shanset?
Bilali: Po, Juso në Thurgau është mjaft e fortë sa për ta ngritur një listë prej gjashtë kandidatëve. Shanset ndoshta nuk janë aq të mira por kur njeriu nuk e provon ai është gjithsesi i humbur, dhe, siç e thashë, ka nevojë për më shumë njerëz të rinj që do të përfaqësonin interesat e të rinjve.
albinfo.ch: Cili është grupi i synuar nga ti që mendon se do të përcaktohet për të të zgjedhur pikërisht për ty?
Bilali: Mendoj se grupi i synuar nga unë përbëhet pjesërisht nga të huajt që kanë fituar shtetësinë zvicerane. Kjo edhe për faktin se, për shembull, unë angazhohem edhe për atë që të huajt të kenë të drejtë vote. Por, pjesë të grupit që synoj unë, janë edhe të rinjtë dhe organizatat për mbrojtjen e ambientit pasi që unë synoj të angazhohem për një ambient të padëmtuar.
albinfo.ch: Si socialdemokrat dhe njeri me prejardhje të huaj, sigurisht ke interesim edhe për gjendjen e të huajve në Zvicër. Cila është kjo gjendje dhe si qëndron puna me shanset e barabarta të tyre?
Bilali: Unë mendoj se të huajt janë jashtëzakonisht te rëndësishëm për funksionimin e Zvicrës, qoftë në kuptimin ekonomik dhe qoftë në atë njerëzor. Por, përmes partive si SVP të cilat për të ndërtuar karriera paguajnë fushata të shtrenjta dhe ndërsejnë urrejtje kundër të huajve, promovohet racizmi dhe në këtë mënyrë rrezikohet edhe paqja në mes njerëzve në Zvicër. Mendoj se një element që do ta dobësonte këtë tendencë do të ishte vendosja e të drejtës së votës për të huajt, edhe pse duhet marrë në konsiderim edhe rrugë të tjera për të arritur këtë.
albinfo.ch: Shqiptarët e rinj kanë problem me imazhin dhe me paragjykimet. A ke pasur ti, si Arian Bilali probleme të kësaj natyre, gjegjësisht a ka paraqitur fakti i të qenit shqiptar pengesë në karrierën ose përditshmërinë tënde?
A.Bilali: Racizmi në Zvicër është mjerisht ende shumë i përhapur dhe unë mendoj se kjo është arsyeja përse unë kam marrë kaq shumë refuzime me rastin e konkurrimeve për një vend zanati. E di po ashtu se shumë veta për shkak të emrit të huaj që kanë, e kanë më të vështirë në gjetjen e banesës. Personalisht unë mund të jetoj me racizmin ekzistues pasi që kam shumë miq zviceranë që kanë qëndrime të hapura për botën dhe të cilët nuk e gjykojnë asnjë njeri sipas prejardhjes por sipas qëndrimit të tij.
albinfo.ch: Përveç në politikë, je i pranishëm edhe në aktivitete tjera shoqërore si në fushën e energjisë (Energia Bodensee) etj. Çfarë të shtyn në këtë drejtim?
Bilali: Mendoj se ambienti është një pasuri me rëndësi. Te “Energia…” jam aktiv pasi që unë synoj që Zvicra sa më shpejtë të braktisë energjinë atomike sepse ne nuk guxojmë të lejojmë edhe një Fukushimë të dytë por edhe për faktin se nuk kemi ndonjë zgjidhje për vendosjen e mbeturinave atomike.
Jam aktiv edhe në lëvizjen veganiste (njerëzit që konsumojnë vetëm ushqim bimor) për shkaqe të ngjashme me ato më sipër. Ne shfrytëzojmë së tepërmi ujë dhe drithëra për t`i ushqyer kafshët dhe për këto arsye i shpyllëzojmë madje edhe pyjet e pashkelura, mushkëritë e tokës. Për këtë arsye, unë mendoj se ne të gjithë do të duhej të konsumojmë më pak prodhime ushqimore nga kafshët.
Kush është Arian Bilali
Ariani është i lindur në Zvicër dhe ka prejardhje nga Gostivari. Ende nuk ka mbushur 21 vjeç dhe aktualisht punon për firmën “Ferrova” ku bën një kualifikim shkollor për komercialist. Më parë, shkollimin e ka ndjekur në Kreuzlingen dhe pastaj klasën e dhjetë dhe dy vite tjera në një qendër për përkujdesjen e njerëzve me nevoja të veçanta.
Në vitin 2012, si nxënës i shkollës së mesme, ende pa i mbushur 17 vjeç, ai kishte kandiduar për deputet në Parlamentin e Kantonit Thurgau.
Ariani dhe veganizmi
“Jam aktiv edhe në lëvizjen veganiste (njerëzit që konsumojnë vetëm ushqim bimor) për shkaqe të ngjashme me ato më sipër. Ne shfrytëzojmë së tepërmi ujë dhe drithëra për t`i ushqyer kafshët dhe për këto arsye i shpyllëzojmë madje edhe pyjet e pashkelura, mushkëritë e tokës. Për këtë arsye, unë mendoj se ne të gjithë do të duhej të konsumojmë më pak prodhime ushqimore nga kafshët.”
Fotot: Maureen Rieder
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës