SAMSUNG CSC
Portrete të firmave
Ardiani dhe vera e tij “Norah” që lindi nga dhimbja
Ardian Mala, i tronditur nga tragjedia e luftës në fshatin e tij, kishte vendosur të mos shkonte më në Kosovë. Por një ditë ndodhi kthesa: Ai mbolli një vreshtë atje, duke hedhur sërish rrënjë në vendlindje
25 shtator.1993.17 vjeçar. Për dikë këto data e të dhëna ndoshta nuk kanë ndonjë kuptim, por jo edhe per Ardian Malan. Pikërisht para 22 vitesh, Ardiani, një 17 vjeçar kosovar nga Korenica e Gjakovës, në ora 16:00 shkel për herë të parë tokën helvetike. Arsyet e ardhjes ishin të shumta, e para së gjithash pasiguria dhe mungesa e perspektivës në vendlindje. Pasi që prindërit kishin 20 vite që jetonin në Zvicër si gastarbeiterë, ai fillimisht vendoset tek ta në Kandersteg.
Ende e kujton punën e tij të parë si enëlarës në një restorant, por interesi i tij për lëmin e gastronomisë nuk përfundon këtu. Pas një shkollimi profesional, ai dalngadalë fillon të promovohet në detyrë, ku njihet edhe me një gastronom spanjoll, nga i cili informohet dhe zhvillon pasionin e tij të tashëm për verërat. Por dëshira për verërat, për Ardianin nuk ishte vetëm t`i njihte apo edhe t`i degustonte. Për të, më domethënëse ishte të kishte një vreshtë të veten, ku mund ta kultivonte verën e vet. Kjo ishte ëndrra e Ardianit, nga e cila nuk hoqi dorë asnjëherë.
Por në vendlindjen e tij, ku Ardiani, kishte lënë gjysmën e shpirtit, situata sa vinte e përkeqesohej, duke rezultuar me luftën e vitit 1998-99. Pasojat ishin të tmerrshme. Vetëm në Korenicë, kishte mbi 100 persona të vrarë dhe mbi 80 % të tyre, Ardiani i njihte personalisht. Kjo e lëndoi keq Ardianin. Pas mbarimit të luftës, vizitat e tij në vendlindje nuk i sillnin më çmallje me vendin e tij, por tashmë ishin kthyer në ditë makthi e vaji, sepse një gjeneratë që ai e kishte njohur, tashmë ishte zhdukur. E ndjente veten të humbur, pa shpirt.
Franziska i tha: “Është koha për të mbjellë rrënjët e reja në Kosovë: Bëje për vajzën tonë, Norah”
Tani ishin bërë 8 vite që jetonte me bashkëshorten e tij zvicerane, Franziska, ndërsa në vitin 2005, të dy bëhen prindër të një vajze që e pagëzojnë me emrin Norah. Si të gjithë prindërit e rinj, të entuziazmuar, pas 4 muajsh udhëtojnë së bashku për në Kosovë, ku donte që Norës t’ia tregonte vendlindjen e tij. Por edhe kjo vizitë ishte si shumë të tjerat, të cilat i sillnin vetëm pakënaqësi, mërzi e vaj. Edhe këtu ishte momenti kur Ardiani vendos të mos shkelë më kurrë në vendlindje (gjatë rrëfimit, atij i mbushen sytë me lotë).
Por ishte Franziska, ajo që kishte një mendim tjetër. Ndër të tjera i thotë, e që Ardiani i mban mend mirë këto fjalë: “Nëse rrënjët e tua në këtë vend janë tharë, atëherë është koha për të mbjellë rrënjë të reja, nëse jo për veten, atëhere bëje për vajzën tonë, Norah“. Ishin këto fjalë të rrufeshme, që Ardianit ia sollën në kokë prapë ëndrrën e tij për të pasur një vreshtë të veten. Ky ishte një moment kthese në jetën e tij. Ky ishte tashmë preokupimi i tij i vetëm. Ishte shërimi për shpirtin e vrarë.
Në prill 2006, edhe pse pa pajtimin e babait, e që më vonë u bë përkrahësi i tij më i madh, fillon prerjen e një pjese mali, pasuri kjo e përbashkët, për ta kthyer në tokë të punueshme, ku mbjell edhe hardhitë e para. Fillimisht kishte vetëm 3000 fidane, për t’u zgjeruar në vitet në vazhdim në 7000 sosh.
Si pronar restoranti, si prind, angazhimet e tij ishin jashtë normales. I duhej që çdo muaj të udhëtonte për në Kosovë, për t’u përkujdesur për ecurinë e vreshtës, por edhe zemërohej në anën tjetër, sepse siç thotë ai, bashkëfshatarët e tij, për arsye të çuditshme, nuk e mirëprisnin aktivitetin e tij. Thjesht ndjehej i refuzuar nga ta. Por Ardiani rrëfen se pas çdo zhgënjimi, atij i ka ardhur një shpresë nga një anë tjetër.
Miqtë zviceranë e ndihmojnë për të ngritur vreshtën
Në një ngjarje të papritur, ai njihet me onologët e mirënjohur, Carsten Heinemeyer dhe Andy Kilian, nga të cilët ka marrë një ndihmë të pakursyer rreth vreshtarisë, po ashtu edhe nga bodrumi i verës EKO-Familja Hoxha nga Rahoveci.
Vreshta dalngadalë po merrte formë, për çfarë është përkujdesur jo vetëm Ardiani, por edhe shumë miq të tij zviceranë, të cilët shkonin në mënyrë vullnetare për të ndihmuar atë. Në mesin e tyre ishte edhe kryebashkiaku i qytetit Interlaken. E dal nga dalë, numrit të vullnetarëve po u bashkoheshin edhe vendasit, si në shenjë admirimi për punën që bënte Ardiani.
Më 2010, bodrumit të verës të restorantit luksoz WineArt në Interlaken, që si pronar ka Ardian Malën, i shtohet edhe një produkt i ri, më i rëndësishmi për nga vlera. Është kjo vera „Norah“ e prodhuar në vreshtën e Ardianit në Korenicë të Gjakovës. Verën e emërton me emrin e vajzës, e cila ishte edhe arsyeja e kthimit dhe rilidhjes me vendlindjen. Vera e prodhuar nga vreshta e vet, ishte gjëja më e mirë që i ka ndodhur në jetë pas fëmijëve.
Ardiani me “zviceranët e tij” ndihmon edhe shkollën e fshatit
Gjatë verës që shkoi, ekipi i Albinfo.ch, ishtë në vizitë tek vreshta e Ardianit në Korenicë. Udhërrëfyesi ynë, ndërkohë edhe kryetar i Fshatit, Nikë Prela, na i tregoi edhe një herë peripecitë e mbjelljes së vreshtës, përderisa merrnim ndonjë kokërr rrushi, tinëz kujdestarëve të vreshtës Tomë Dedaj dhe Gjon Mala. Aty kultivohet rrushi i llojit Merlot, Cabernet Franc, Greco di Tufo, si dhe lloji vendas Sheshi i zi, e që është i rrezikuar nga zhdukja. Në fshat tashmë është edhe vinoteka me po të njejtin emër WineArt, ku Astriti përkujdeset për ecurinë e saj. Vinoteka në fjalë, pos produkteve të Wineart, ofron edhe produkte të tjera, të gjitha këto prodhim vendor.
Përballë vinotekës, gjendet edhe shkolla e fshatit si dhe fusha sportive. Pasi që shkolla fillimisht nuk kishte një fushë për aktivitete fizike, në vitin 2009, Ardiani së bashku me Martin Liefeith, një kuzhinier me famë, organizojnë një Darkë Gala, qëllimi i së cilës ishte mbledhja e fondeve për rregullimin e fushës së shkollës. Aty, me ndihmën e shumë të përfshirëve në këtë aksion, Ardiani, arrin të mbledh 27 000 franga, e më pas realizon edhe projektin e tij bamirës. Por fatkeqësisht mirëmbajtja e saj, vetëm 6 vite pas, linte shumë për të dëshiruar.
Restoranti Wineart, që gjendet në qendër të qytetit Interlaken, hapet çdo ditë në ora 16:00. Padyshim aty është edhe mikpritësi Ardian Mala. Zakonisht shërben vetë. Por kënaqësinë më të madhe e ndjen gjatë shërbimit të verës së tij, kur fillimisht maskon shishen, e pas aprovimit të klientëve u tregon për “Norah”, se si një verë e bërë në vreshtën e tij, zhvilloi rrënjët e reja dhe shëroi shpirtin e tij.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriArdian Mala
- Prejardhja:Korenicë e Gjakovës
- Vendi ku vepron:Interlaken
- Profesioni:Gastronom
Të ngjashme
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve