Gruaja
Arbëneshi i Zarës nuk dorëzohet
Pas vizitës së ngulimeve të arbëreshëve në Kalabri e Sicili, natyrshëm lindi dëshira për t’i vizituar edhe arbëreshët e Zarës. Pa u hamendur, në Bari nuk mora tragetin për në Durrës, por vazhdova rrugën përgjatë magjistrales së Adriatikut
Tashmë kishim hyrë në kilometrin e tre mijtë të ngasjes me makinë. Ideja spontane për ta vizituar Zarën arbëreshe sikur më çlodhi. Kështu, me bashkëshorten Nexhmijen lamë rrugën e portit të Barit dhe vazhduam drejt veriut të Italisë.
Shiu litar që po binte në mëngjesin e të premtes së 4 nëntorit nuk na mundësoi të ndaleshim në Ankonë. Ndaj, vazhduam për në Rimini. Shkuam drejt e në qendër të qytetit për të pirë fillimisht nga një kafe dhe për të vizituar atë që ofron qyteti.
Rasti e deshi dhe, atë ditë unë e Nexhmija të ishim pjesë e ceremonisë së 4 Nëntorit – Ditës së Unitetit Kombëtar dhe të Forcave të Armatosura të Italisë, si dhe 101-vjetorit të Ushtarit të Panjohur, mbajtur në sheshin Cavour të Riminit. Ceremonia filloi me ngritjen e flamurit dhe të himnit kombëtar si dhe fluturimit të avionëve të Regjimentit të 7-të “Vega”.
Me këtë rast përgjegjësit shtetërorë të qytetit bënë homazhe për të rënët e lavdishëm. Ata shprehën mirënjohje për luftëtarët, invalidët e luftës, të dekoruarit për trimëri ushtarake dhe forcat e armatosura, të vendosura në mbrojtje të atdheut. Ndërkaq, unë, nga pasioni, regjistrova gjithë manifestimin.
Më pas vazhduam për në Bolonjë (Bologna) ku i kaluam disa orë nëpër qytet për të vazhduar më pas drejt Zarës.
Ishin dy ditë të gjata udhëtimi, por edhe përjetimesh mbresëlënëse.
Mikpritja në shtëpi e përplotëson arbëreshin
Me Pino Petanin
Në Zarë nuk kisha paralajmëruar askënd për vizitë. Sidoqoftë, në mbrëmjen e datës 5 nëntor takova ish-futbollistin – arbërishtfolësin, Pino Petani.
Arbëreshi mikpritjen e ndjen kur të çon në shtëpi e të gostit me një gotë verë a raki. Kështu veproi edhe Pinoja. Ishte këmbëngulës në të folmen e tij arbërishte, pra edhe mikpritjen zemërore e shprehte plotësisht arbërisht. Ishte i pakuptimtë refuzimi i ofertës për të hyrë brenda në shtëpi. Në sofër shpejt erdhi gota e verës autoktone.
Pino më vuri në kontakt me Vesel Lekajn nga Deçani që për disa vite jeton e punon në Zarë. Ai ka bërë studime nga fusha e Artit historik, por ka studiuar edhe gjuhën shqipe, çka ia ka mundësuar që të zërë punë si mësues gjuhe për nxënësit e shkollave fillore e të mesme të Zarës, që për mësim zgjedhor marrin shqipen.
Vesel Lekaj
Në mëngjesin e së dielës të datës 6 nëntor u takuam me Veselin e Pinon. Pas një bisede njohëse me Veselin dhe angazhimet e tij në Zarë, vizituam disa pjesë të Arbanasit. Shumica e rrugëve mbanin emra patriotësh, letrarësh e veprimtarësh arbëreshë, si: Skënderbeu, Gjergj Fishta, Mbretëresha Teuta, Bregdeti, Bajlo etj.
Duke shkuar drejt fshatit Arbanas takuam një plak, por që sillej si i ri. Elio i thonin dhe ishte 86 vjeç. Dikur kishte punuar në fabrikën e makinave të qepjes “Bagat”. Fliste rrjedhshëm shqip dhe ishte i prirë për humor. “Zoti është në anën tonë, sepse ne nuk jemi njerëz të këqij”, tha Elio dhe m’u drejtua: A ke nevojë për para? Jo, i thashë dhe sapo desha ta falënderoja, ai ma ktheu: Atëherë m’i jep ti mua disa kuna, m’u drejtua. Futa dorën në xhep dhe ia dhashë disa para të imëta. I mori, por nuk i shikoi se sa ishin, veç i futi në xhep dhe vazhdoi me humorin e tij, duke e falënderuar Veselin si dhuruesin e përhershëm të parave.
Shkolla ku dhanë mësim emra të mëdhenj
Për pak çaste u ndalëm te shkolla e dikurshme (pas LD Botërore – fabrikë e duhanit), ku kishin dhënë lëndën e gjuhës shqipe, dhe jo vetëm: Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi, Nimon Ferizi etj.
Ndalesa e radhës ishte kisha e Zojës Loreto në qendër të fshatit. Ishte koha e meshës dhe kisha ishte përplot besimtarë brenda. Një grup prej tyre, pas meshës, vazhdimisht takoheshin dhe diskutonin për çështje të mbarëvajtjes së aktiviteteve fetare, e që udhëhiqeshin nga mësuesi i fesë z. Boris Jelenkoviq. Me të përfunduar ata dolën në grup nga një dhomë afër kishës. U prezantova dhe shpejt u pranova në shoqëri. Disa pyetje që mbulonin interesimin tim për arbëreshët e Zarës u bënë temë diskutimi për rreth një orë sa qëndruam me disa arbëreshë.
Nga biseda për të ardhmen gjuhësore të arbëreshëve fitohej përshtypja se arbëreshët janë para dorëzimit, por sikur s’duan të dorëzohen. “Ne ende flasim arbërisht, por ama fëmijët tanë e kanë braktisur gjuhën shqipe”, thotë Gjani (Djani) Mateshiq ish-futbollist i Zarës, e pastaj edhe i Klubit Futbollistik “MSV Duisburg” të Gjermanisë.
,
Varri i shkrimtarit të njohur arbëresh, Josip Rela
Një grimë shpresë se shqipja do të mbijetojë…
Shi për këtë një grimë shprese për gjuhën vjen nga shoqëruesi ynë, z. Vesel Lekaj, i cili prej vitesh punon këtu mësues i gjuhës shqipe. Ai tashmë është i punësuar nga shteti kroat dhe ka një orar të ngjeshur me nxënës shkollash fillore e të mesme. Me vendim të Ministrisë së Arsimit të Kroacisë, Veseli që nga viti 2014 jep gjuhë shqipe në shkollën fillore “Kruno Krstiq” për nxënësit që si lëndë zgjedhore kanë përzgjedhur gjuhën shqipe.
Ai në atë shkollë ka 37 nxënës, ndërkaq 17 të tjerë në gjimnazin “Vladimir Nazor” të Zarës, ku punon prej vitit 2016. Po ashtu nga viti i kaluar ka edhe 26 nxënës në shkollën fillore “Bijaqi” të Prefekturës së Splitit. Ajo që e trimëron Veselin, por edhe arbëreshët, është fakti se lëndën e gjuhës shqipe e ka përzgjedhur edhe një numër i konsiderueshëm i joarbëreshëve të Zarës, që më herët kanë mësuar italisht.
Gjani Mateshiq, i lidhur përjetësisht me futbollin
Duke pasur kontakte edhe me qendra të tjera të Dalmacisë, Veseli do të mund të gjente nxënës edhe në Dubrovnik, por që fizikisht e ka të vështirë realizimin e mësimit atje, prandaj edhe u ka bërë kërkesë përgjegjësve të arsimit në Kosovë që të dërgojnë kuadra të kësaj fushe. Falë përgatitjes së tij profesionale ai, tashmë, ka bërë një rreth miqsh në gjithë Zarën.
Ky angazhim i Veselit është një pikë dritë në tunelin e asimilimit gjuhësor shqip në Zarë.
Përndryshe ishte kënaqësi kur të vjetrit i dëgjonim të flisnin arbërisht me njëri-tjetrin.
Takimi me kushërinjtë Gjani e Krsto Mateshiq përfundoi me ftesë për kafe në shtëpi. Së pari ishim te Krstoja, i cili merrej me prodhimin e verës me brendin e tij “Fontana”. Për mirëseardhje na dhuroi nga shishe verë.
Bashkautorja Nexhmije Kallaba, gjatë bisedës me kushërinjtë Mateshiq
Ftesës për vizitë në shtëpi nuk i shpëtuam as Gjanit, i cili po jetonte ma gruan dhe djalin në lagjen e arbëreshëve. Gjani me gruan Zorën ishin kthyer para plot 40 vjetësh nga Gjermania. “Për 15 vjet punë në Gjermani fitova mjaftueshëm sa të vij e të ndërtoj shtëpi në vendlindjen time”, thotë Gjani. “Me restorantin e hapur në Zarë kishim një mirëqenie solide” thotë ai, dhe ajo që Gjani e ndjen si bekim të atdheut është lindja e djalit të tyre pas dhjetë vjet martese që kishte me Zorën.
Mikpritje e ngrohtë në shtëpinë e Gjanit dhe Zorës
“Kthimi në atdhe na shpërbleu me një djalë”, shpreh gëzimin e saj Zora, e cila ka një simpati të madhe për shqiptarët e Kosovës. Ajo tregon për dhembjen që e ka ndjerë në vitet ’80 kur studentët dhe populli shqiptar torturohej në Kosovë. Në hollin e shtëpisë së tij Gjani kishte me dhjetëra kupa, medalje e mirënjohje nga të arriturat e tij në futboll.
Varri i Niman Ferizit, patriotit të shquar, sekretar i Bajram Currit, mësues i shqipes në Zarë
Jetë në katër regjime
Gjani kishte një jetë përplot krajata. Babanë ia kishin vrarë partizanët kur ky ishte vetëm tre vjeç e nëna e tij 25 vjeçe kishte mbetur me tre fëmijë të vegjël. “Në shkollë madje ma ndërruan edhe emrin nga Gjani në Ivan, dhe më trajtonin si “dele të zezë”. “Nuk ishte vetëm babai im që e vranë. Në Zarë e rrethinë partizanët vranë 180 persona, prej tyre 36 ishin arbëreshë”, kujton rrëfimin e tij për historinë e fitores së komunizmit në ish- Jugosllavi.
Për ta paraqitur një paradoks të kohës Gjani me drejtoi drejt një këndi ku kishte vendosur katër fotografi: një të babait të tij që i kishte shërbyer ushtrisë italiane; një të gjyshit të tij nga e ëma që i kishte shërbyer ushtrisë hungareze; një foto të veten që i kishte shërbyer ushtrisë jugosllave, dhe një të djalit të tij si ushtar i regjimit kroat.
Në Zarë dhe vende të tjera përgjatë gjithë Dalmacisë tashmë kanë ardhur shumë të rinj shqiptarë për të punuar, si pasojë e papunësisë dhe pagave të ulëta në Kosovë. Derisa po bisedonim me Veselin e Pinon në tavolinën pranë pinin kafe tre të rinj shqiptarë. Në pyetjen nëse do të kthehen në Kosovë, njëri prej tyre, i mllefosur, tha: “jo, kurrë”, çka m’i çoi mornicat në lëkurë.
Shishet e verës, prodhim i Krsto Mateshiqit, si dhuratë dhe kujtim nga Zara
Është koha që edhe me arbëreshët e Italisë, por edhe me arbëreshët e Zarës shteti i Kosovës duhet të vërë linja bashkëpunimi në fushën e gjuhës dhe të trashëgimisë kulturore, me qëllim të mos shkëputjes së rrënjëve tona ilirike.
(Teksti dhe fotot: Xhevdet dhe Nexhmije Kallaba)
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?