Lajme
Një pasqyrim me vlerë i mbijetesës dhe aktualitetit të arbëreshëve
Puna disavjeçare e autorit, Rexhep Rifati, është përmbledhur në librin “Arbëreshët, fotosinteza e shpirtit tim” që u promovua mbrëmë, në Bernë
“Shpirti i Arbrit rron” është një sentencë e njohur që i referohet vitalitetit unik që kanë treguar arbëreshët e Italisë përgjatë afër 6 shekujve sa kanë kaluar nga braktisja e tokës së të parëve. Libri i botuar së fundi “Arbëreshët, fotosinteza e shpirtit tim”, i gazetarit veteran, Rexhep Rifatit, i ka dhënë sigurisht edhe një shtysë të mirë kësaj sentence.
Ai ka bërë një pasqyrim të gjallë, më shumë me imazhe të forta e autentike dhe më pak me tekst, të gjendjes aktuale të “shpirtit të Arbrit”.
Ky libër me një titull jo të zakonshëm është kurorëzim i një pune disavjeçare të autorit, të kryer në ngulimet e arbëreshëve, në Itali, shkruan albinfo.ch. Puna e autorit, e kryer me pasion, përmes ekspeditave të shumta të cilat e kanë çuar autorin në të gjithë fshatrat dhe qytezat arbëreshe, është përmbledhur brenda kopertinave të punuara me shije, të librit që u promovua mbrëmë, në Bernë.
Libri, i shkruar shqip dhe i përkthyer edhe italisht ka parathënien e Dr. Prof. Antonio Belluscit, dhe është botim i platformës prointegra.ch. Redaktimin dhe përkthimin në italisht e ka bërë, Dr. Ornela Radovicka, studiuese nga Instituti i Studimeve Arbëreshe, bashkëpunëtore e Belluscit.
Promovimi është bërë nën ombrellën e Lidhjes Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, të drejtuar nga Musa Jupolli, kryetar dhe Mentor Thaçi, sekretar ndërsa është moderuar nga Nazmi Jakurti, kryetar i Lidhjes Shqiptare në botë.
Pjesëmarrja e madhe e publikut në promovim ishte tregues për vëmendjen me të cilën është pritur botimi i këtij libri, nga komuniteti shqiptar në Zvicër. Aty ishin edhe dy ambasadorët: i Shqipërisë, Ilir Gjoni dhe i Kosovës, Sami Ukelli, pastaj shumë kishin ardhur enkas nga larg, si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Austria, Franca, Gjermani etj, raporton albinfo.ch.
Ndërsa pjesëmarrja në program dhe paraqitja me disa këngë e grupit muzikor arbëresh “Gjaku i arbërit”, nga Kalabria, të drejtuar nga veprimtari i njohur arbëresh Michele Greco, ishte pasurim i madh i aktivitetit dhe nderim për përpjekjet e autorit të librit të promovuar.
Redaktorja dhe përkthyesja në italisht e librit, Dr.Ornela Radovicka në vështrimin e saj rreth librit ka pikasur vlerat e tij dokumentare dhe pasqyruese të gjendjes së sotme të arbëreshëve të Italisë. Duke folur për librin, ajo është ndalur edhe në “shfletimin” e historisë së arbëreshëve, duke theksuar rolin që ata kanë luajtur, si në ruajtjen me xhelozi të kujtimit të Arbërisë së para pushtimit turk ashtu dhe në rolin e tyre në historinë e Italisë, ku jetojnë prej tashmë 6 shekujsh.
Dr. Radovicka, e cila prej rreth 30 vitesh merret me studimin e arbëreshëve, ka shprehur konsiderata të larta për punën e autorit të librit, Rexhep Rifati. Ajo po ashtu ka folur për rolin e madh që përkatësia e arbëreshëve ritit bizantin ka pasur në ruajtjen e identitetit kombëtar të tyre. Në këtë vazhdë edhe klerikët e kësaj kishe, nga shekujt e kaluar dhe deri më sot, me Atë Anton Belluscin e të tjerë, kanë qenë dhe janë të predestinuar për mbrojtjen para së gjithash të shpirtit arbëresh në komunitet.
Kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgim, Musa Jupolli po ashtu ka lexuar një përkushtim të tij për librin. Ai ka vlerësuar lart përpjekjet e autorit për të regjistruar gjendjen aktuale të arbëreshëve të Italisë, gjegjësisht të mbijetesës së tyre shembullore në vendin ku jetojnë prej shekujsh.
Para publikut kanë marrë fjalën edhe dy ambasadorët në Zvicër, i Shqipërisë, Ilir Gjoni dhe ai i Kosovës, Sami Ukelli, të cilët kanë vlerësuar lartë përkushtimin e autorit për të na e sjellë një libër me vlera, para së gjithash dokumentare, mbi ngulimet arbëreshe. Të dy ambasadorët, kanë thënë veç tjerash se botimi i një libri si ky, është frymëzim edhe për mërgatën shqiptare në Zvicër e gjetiu, se si ruhet identiteti kombëtar e kulturor, jashtë vendit.
Ata, bashkë dhe me ambasadorit të Maqedonisë së Veriut, Kenan Ramadani (që nuk mundi të ishte i pranishëm) kishin përgatitur një mirënjohje për Rexhep Rifatin, duke nderuar kështu angazhimet e tij në ruajtjen e vlerave të kombit, në diasporë, shkruan albinfo.ch. Një mirënjohje, autorit të librit të promovuar i ka dhënë edhe Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgim.
Fjalë rasti kanë mbajtur edhe drejtuesi i platformës pro integra Osman Osmani, konsullja e Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani, sekretari i LKSHM, Mentor Thaçi etj.
Autori, Rexhep Rifati ka falënderuar të gjithë, duke theksuar se është i kënaqur nëse pasioni i tij për të ndriçuar realitetin aktual të arbëreshëve të Italisë, gjen mbështetjen e lexuesve dhe publikut të gjerë.
Pas leximit të disa fjalëve të rastit dhe ndarjes së çmimeve e mirënjohjeve, mbrëmja ka vazhduar me paraqitjen në skenë të Grupit “Gjaku i Arbërit”. Kësaj i ka paraprirë një fjalim spontan dhe me shumë frymëzim patriotik, i drejtuesit të këtij grupi, veprimtarit të njohur arbëresh, Michele Greco. Ai ka vënë në pah me këtë rast lidhjen e pashkëputshme të arbëreshëve me “tokën mëmë”, lidhje kjo që ka mbajtur gjallë “Shpirtin e Arbrit”.
Grupi, në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore ka kënduar, i shoqëruar edhe nga publiku, një numër këngësh të njohur nga thesari i muzikës arbëreshe.
(Autor i fotografive: Armend Berisha)
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën “Kudo që të shkoni, shtëpia juaj vjen nga Kosova” – Një slogan që po pushton Evropën...
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Fishekzjarret prodhojnë deri në 400 tonë pluhur të imët Sipas Zyrës Federale për Mjedisin, shfaqjet e fishekzjarreve, të tilla si ato të mbajtura në 1...
-
Ekonomia zvicerane shënon rënie
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën
-
Zvicra do të kryesojë OSBE-në në vitin 2026
-
Një trend Tiktok që shkakton probleme te të rinjtë