Integrimi

Arbër Ahmetaj: Komuniteti shqiptar përbën pasuri për Zvicrën

“Në Zvicër janë vendosur qytetarë shqiptarë që i kanë ikur plumbit, zjarrit, vdekjes nga uria. Pra për mbijetesë. Të tjerë kanë ardhur për të studiuar apo për të rritur kapacitetet e tyre ekonomike...”

Arbër Ahmetaj është farmacist dhe shkrimtar që jeton dhe punon në Valais, Sion. Është autor i romaneve “Fletëhyrje për në varr”, “Varri i braktisur”, “I huaji, ai kosovari”, “Një natë te Luiza” dhe librave me tregime “Riva H.” dhe “69 gra”. Në intervistën për albinfo.ch, ai flet për rrugën e tij të krijimtarisë, për Zvicrën si strehë e shumë shqiptarëve, për vlerat që bart me vete komuniteti shqiptar i Zvicrës etj.

Albinfo.ch : Si do të prezantoheshit shkurtimisht ?

Arbër Ahmetaj: Unë jam çfarë bëj. Kam arritur të bëj tri gjëra të rëndësishme në jetën time : Të studioj e punoj në një profesion liberal, si farmacist, të krijoj familje dhe të ndjek pasionin tim, shkrimin. Kjo s’do të kishte qenë kurrë e mundshme pa ndihmën e nënës dhe gruas sime. Këto janë gratë e vërteta të jetës sime ! Tjerat, ato të librit tim të fundit “69 GRA”, janë prodhim i imagjinatës.

Jeni larguar në vitin 1997 nga Shqipëria për tu vendosur në Valais… ?

Shkrimtarët kanë emigruar me ose pa vullnetin e tyre qysh në agim të qytetërimit. Shekulli i 20-të, për shkak të fashizmit dhe komunizmit, dy ideologji rrënuese për njeriun, fatkeqësisht ka hyrë në histori si shekull shumë i zymtë. Jam veç një grimcë në këtë dramë, gjithsesi me fat, pasi shkrimtarë nga të gjitha horizontet, janë pushkatuar, burgosur e izoluar. Kjo është turpëruese për shekullin e 20-të, për njerëzimin. Nga ana personale, për të hedhur rrënjë në tokën e re, më është dashur shumë energji, vullnet e kohë.

…dhe cili është rezultati i arritur pas 22 vjetësh ?

Liria dhe siguria e ofruar nga ky shtet bujar më ka mundësuar të studioj, të shkruaj, të punoj. Kam rritur tre fëmijë, të cilët së shpejti do të integrohen në botën e mësimdhënies, edukimit të voglushëve zviceranë. Si profesionist në fushën e mjekësisë u shërbej pacientëve të mi, me përkushtim profesional dhe përunjtësi njerëzore. Jam përpjekur të ndikoj me sjelljen dhe dijet e mia që jeta e komunitetit shqiptar, të mos reduktohet në punë dhe fjetore, por të ofrojmë gjithë pasurinë tonë kulturore, për ta bërë jetën e qyteteve ku jetojmë më të bukur, më të larmishme. Fatmira, gruaja ime, drejton një shoqatë kulturore në Sion, përmes së cilës kemi bërë dhjetëra aktivitete. Komuniteti shqiptar përbën një pasuri për Zvicrën. Probleme do të ketë gjithmonë.

Si e shihni ju komunitetin shqiptar në Zvicër ?

Është shumë i madh në numër, rrjedhimisht kompleks. Kjo është e mrekullueshme, por ka edhe vështirësitë e veta. Për të qenë më konkret : në Zvicër janë vendosur qytetarë shqiptarë që i kanë ikur plumbit, zjarrit, vdekjes nga uria. Pra për mbijetesë. Të tjerë kanë ardhur për të studiuar apo për të rritur kapacitetet e tyre ekonomike. Njerëz që vijnë nga zona të thella rurale, apo nga qendra të rëndësishme kulturore si Prishtina, Tirana, Tetova. Për më tepër ne vijmë nga tri kultura të ndryshme fetare, nga disa shtete të ndryshme. Përpjekjet që nxjerrin krye herë pas here për të përçarë, vlerësuar apo degraduar një përbërës të komunitetit tonë, shkojnë në favor të atyre që mundohen të na dobësojnë, rrjedhimisht janë të papranueshme.

Një mesazh në fund të kësaj interviste ?

S’jam aq i famshëm sa për të dhënë mesazhe por, do të doja që shqiptarët e pasur në Zvicër të mos imitojnë arrogancën e pasanikëve të rinj në atdhe, ndërsa shqiptarët e privuar nga shumë gjëra, të mos pranojnë rolin e viktimës. Të përpiqen çdo ditë. Ky është vend i lirë. Gjithkush mund t’ia arrijë. Imagjino, ia kam arritur edhe unë! Po tjerët që janë më puntorë, më të talentuar?

Çfarë më ka ofruar Zvicra

Liria dhe siguria e ofruar nga ky shtet bujar më ka mundësuar të studioj, të shkruaj, të punoj. Kam rritur tre fëmijë, të cilët së shpejti do të integrohen në botën e mësimdhënies, edukimit të voglushëve zviceranë. Si profesionist në fushën e mjekësisë, u shërbej pacientëve të mi, me përkushtim profesional dhe përunjtësi njerëzore.