Kosova
Arbenita Sopaj, profil suksesi në “Diplomacinë japoneze”
Shqiptarja nga Japonia, me personalitet dhe perspektivë profesionale, ka mbaruar me sukses studimet në disa universitete të njohura, në Kosovë, Poloni dhe Japoni. Ajo tani është e angazhuar si Asistente Hulumtuese në “Universitetin Waseda” në Tokio, si dhe është anëtare e Bordit Drejtues, në Shoqatën Globale të Ndërtimit të Paqes në Japoni (日本国際平和構築協会の会).
Ndër shumë vajza dhe gra shqiptare që po tregohen të suksesshme në fusha të ndryshme në botë, është sigurisht edhe Arbenita Sopaj me prejardhje nga qyteti i Ferizajt.
Në fakt, secili prej nesh takon personalitete që shquhen për sjelljen e tyre më ndryshe, që fillimisht mund të na duken të çuditshme, por që në të vërtetë kanë karakteristika dalluese reale, sepse bota e tyre, angazhimet dhe tërë jeta e tyre ka të tjera dimensione. E tillë është edhe Arbenita Sopaj, e cila ka zgjedhur një shtet interesant për zhvillimet e saj profesionale, gati të paarritshme për të tjerët.
Ajo ka një biografi interesante. Është lindur dhe rritur në Koshare, ka ndjekur shkollimin fillor te “Dëshmorët e Kosharës”. Pas shkollimit të mesëm, në Ferizaj, u zhvendos në Prishtinë për të ndjekur studimet e nivelit Bachelor.
“Gjatë kësaj kohe interesi im ishte për të studiuar jashtë Kosovës dhe kështu filloi të zhvillohej kjo dëshirë e nxitur nga pjesëmarrja ime në seminare dhe konferenca të ndryshme në Evropë dhe jo vetëm. Si rezultat, unë u zhvendosa fillimisht në Poloni, pastaj në Japoni në moshën 23-vjeçare”, tregon ajo për revistën Albinfo.ch.
Nga Kosova, në Poloni, për t’u bërë emër suksesi në Japoni
Sukseset e Arbenitës në aspektin arsimor e dërguan drejt universiteteve më të mira studimore.
Ajo pasi mbaroi studimet e larta në Prishtinë, vazhdoi në ato të nivelit Master në Poloni dhe më pas edhe doktoraturën në Japoni.
Në Poloni, Arbenita ka studiuar në universitetin e njohur të “Jagiellonian” për “Integrime Europiane” dhe ka dy tituj Master.
“Në Poloni fillova masterin e parë jashtë Kosovës, më konkretisht në Universitetin Jagiellonian, Krakov. Pavarësisht sfidave fillestare, i jam jashtëzakonisht mirënjohëse stafit akademik për ligjërimin dhe këshillat e tyre shtesë për një studente si unë, me prejardhje nga shtete të sapokrijuara që kërkuan angazhim shtesë për të marrë njohuritë e nevojshme”, tregon ajo.
Pas mbarimit të studimeve në Poloni, Arbenita emigroi në Japoni, për të bërë më pas një emër suksesi në “Diplomacinë japoneze”.
“Udhëtimi im në Japoni filloi gjatë studimeve të nivelit Master në Poloni, ku “Universiteti Jagiellonian” më ofroi mundësinë për të ndjekur degën e dytë Master në programin e quajtur “EU-Japan Multidisiplinary Studies”, pranë Universitetit Kobe.
E pyetur nga revista Albinfo.ch për jetën në Japoni, si ka ndodhur emigrimi në këtë shtet dhe sa ishte e vështirë të ambientohej ajo në shoqërinë japoneze, Arbenita u përgjigj:
“Fillimi i jetës në Japoni ishte sfidues, veçanërisht për dikë si unë që po vizitonte Azinë, Japoninë, për herë të parë. Megjithatë, vendosmëria ime për të ndjekur studimet e mia në një nivel më të gjerë dhe për t’u integruar në një shoqëri të shumëllojshme më ndihmoi të kaloj të gjitha pengesat. Sfidat kryesore ishin rreth përshtatjes me kuzhinën dhe normat shoqërore. Kuzhina japoneze, e njohur për ushqimet e detit, ishte jo e lehtë, por me kohën u adaptova që të konsumoj ushqimin e tyre. Një sfidë tjetër ishte kultura e tyre e njohur për modestinë dhe mirësjelljen e saj”, tregon ajo.
Hulumtuese dhe asistente ligjëruese e shkëlqyer në Universitetin e Tokios
Arbenita aktualisht është e angazhuar si Asistente Hulumtuese në “Universitetin Waseda” në Tokio dhe është e asociuar me disa universitete dhe institute në fushën përkatëse.
Studimet e saj të Doktoraturës u fokusuan në “Historinë e Diplomacisë Japoneze”, duke ekzaminuar në mënyrë specifike “Rolin e SHBA-së në hartimin e Kushtetutës: Rasti i Japonisë më 1946, dhe Kosovës në 2008”.
Vlen të theksohet se hulumtimi i saj është i thelluar në rolin krahasues të SHBA-së në formësimin e Kushtetutës së Japonisë dhe të Kosovës.
“Përveç studimeve të doktoraturës në Japoni, unë jam përpjekur në mënyrë aktive të zgjeroj rrjetin tim dhe të përfitoj njohuri rreth diplomacisë dhe kulturës japoneze. Fatmirësisht, kam pasur privilegjin të punoj me një numër të konsiderueshëm të profesorëve, diplomatëve dhe hulutumesve japonez dhe ndërkombëtarë”.
Ligjëruese në “Universitetin Kobe” të Japonisë dhe asistente pranë Organizatës Globale të Paqes
Pas dy vjetëve të fillimit të studimeve në Japoni, mentori i Arbenitës e kishte emëruar si asistente dhe ligjëruese në “Universitetin Kobe”. Ky rol i dha mundësinë për të mbajtur ligjërata për studentët japonezë dhe ndërkombëtarë, me fokus në diplomacinë japoneze dhe roli i Amerikës në Japoni dhe Azi.
Ndërsa në “Shoqatën Globale të Ndërtimit të Paqes në Japoni” (日本国際平和構築協会の会), fillimisht ajo u angazhua si një anëtare e rregullt.
“Pas afro dy vjetësh, unë u zgjodha si Anëtare e Bordit Drejtues. Kam kënaqësinë të ndaj me lexuesit e juaj të Albinfos se jam rizgjedhur anëtare e Bordit më 21 mars 2024. Pres që të vazhdoj të kontribuoj në promovimin e ndërtimit të paqes në Japoni dhe më gjerë.
Përveç tjerash, vlen të theksohet se Arbenita ka qenë edhe asistente pranë “Këshillit Akademik në Sistemin e Kombeve të Bashkuara” me zyrë në Tokio, ku më pas edhe ka kaluar në rolin e “Drejtorisë së Administratës”. Për më tepër, ajo është pjesë e konferencave vjetore, duke shfrytëzuar rastin për të paraqitur punime kërkimore në përputhje me temat që trajtohen.
Dashuria e Arbenitës për Kosovën dhe mesazhi motivues për rininë shqiptare
Duke qenë se të gjithë mërgimtarët shqiptarë kanë mall për vendlindjen, edhe Arbenita është shumë i lidhur me Kosovën. Ajo tregon se është krenare për vendin e saj dhe se e viziton shpesh.
“Lidhja ime me Kosovën është e qëndrueshme dhe unë përveç tjerash, përpiqem të ndaj njohuritë e mia sa herë që paraqitet mundësia në nivelin akademik dhe tutje. Pavarësisht largësisë, përpiqem ta vizitoj Kosovën disa herë në vit, duke më mundësuar të qëndroj e përfshirë me komunitetin dhe me përpjekjet e vazhdueshme për një të ardhme më të ndritur”.
Mesazhi motivues i Arbenitës për të rinjtë e Kosovës:
“Të rinjtë e Kosovës i inkurajoj që të hapin krahët dhe të përpiqen për persosmëri. Është thelbësore të kuptojmë se zhvillimi intelektual nuk ndodh brenda zonave tona të rehatisë. Prandaj, është e nevojshme që të rinjtë të angazhohen në studime, udhëtime dhe punë me komunitete të ndryshme. Kjo na mundëson që ne të zhbllokojmë potencialin tonë të plotë dhe të arrijmë suksesin. Guxoni të ëndërroni dhe ndiqni pa pushim aspiratat tuaja, pavarësisht nga sfidat me të cilat mund të përballeni”. /Albinfo.ch
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve