Integrimi
Arben Shabani, shefi i mbi 700 punëtorëve në energjetikë
“Motivimi im nuk është të jem më i pasuri. Unë e marr motivimin kur zhvilloj ose zbuloj diçka që i ndihmon shoqërisë të jetojë me efikasitet dhe komfort më të lartë”, thotë Arben Shabani, menaxher i lartë në Hitachi Energy
Arben Shabani është një menaxher i suksesshëm që punon në kompaninë e madhe ndërkombëtare, me seli në Zvicër, Hitachi Energy. Ai udhëheq me një njësi të madhe në Hitachi Energy, me mbi 700 punëtorë, e cila zhvillon, ndërprerësit dhe shpërndarësit e tensionit të lartë prej 66 mijë deri 1100 mijë volt, në gjithë botën.
Arbeni, në një intervistë për Albinfo.ch flet për rrugën e tij jetësore, motivimin që ka pasur për të arritur këtu ku është sot, për sfidat, planet etj.
Albinfo.ch: Cili është ky rrugëtim që ju solli deri këtu për të menaxhuar një kompani zvicerane me qindra punëtorë?
Arben Shabani: Erdha si 16 vjeçar në Zvicër dhe fillimisht mësova gjuhën gjermane në disa kurse integruese. Pasi që nuk kisha vizituar shkollë të rregullt në Zvicër mu dha e vetmja mundësi: të filloj mësimin e një profesioni (Lehre) te kompania ndërkombëtare ABB.
Aty filloi arsimi profesional dhe karriera ime, kisha mundësinë që çdo 3-4 vjet të ushtroj një pozitë të ndryshme në një kompani të madhe me famë botërore, teknologji të jashtëzakonshme dhe me prodhime e eksporte pothuajse në të gjitha shtetet. Kështu që herët mu dha mundësia të vizitoj klientët, fabrikat dhe furnizuesit në shumë vende të botës. Kjo më ka ngjallur pasionin për tu marrë me kultura e vende të ndryshme. Gjatë këtyre viteve po ashtu përfundova studimet në inxhinieri të elektroteknikës dhe bëra një Master Shkencor të Ekonomisë dhe Menaxhmentit.
Sot unë jam drejtor gjeneral, udhëheq dhe kam përgjegjësinë për një njësi të madhe në Hitachi Energy e cila zhvillon, prodhon dhe instalon ndërprerësit dhe shpërndarësit e tensionit të lartë prej 66 mijë deri 1100 mijë volt, në gjithë botën. Aktualisht kam mbi 700 punëtorë, me një treg shumë të fuqishëm që po nxitet nga tranzicioni i energjisë. Po ashtu jam krenar që i kemi realizuar disa projekte për Kosovë siç është projekti në Ferizaj dhe ai në Fushë Kosovë.
Albinfo.ch: Si e vlerëson çështjen e energjisë dhe zhvillimet e fundit me tranzicionin energjetik?
Arben Shabani: Prodhimi i rrymës së gjelbër (prodhimi me erë dhe solar) e ka decentralizuar transmetimin e rrymës elektrike. Energjia nuk prodhohet ku është konsumatori, po prodhohet ku është klasa më e lartë e efikasitetit. Kjo nënkupton transmetimi i rrymës ka distanca më të mëdha që kërkon teknologji të reja (siç janë transmetimet me rrymë të vazhdueshme HVDC), me shumë sisteme të integruara dhe kapacitete të gjenerimit të cilat duhet të balancohen.
Elektrifikimi i automjeteve apo data centers shtojnë kërkesat për energji.
Kriza aktuale ka treguar se duhet menduar për ndërtimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit, dhe sanksionet kundër Rusisë kanë nxitur projekte gjigante për prodhimin e gazit të lëngshëm (LNG) si per shembull që po instalohen në Katar dhe SHBA.
Albinfo.ch: Në këtë kompani ka të punësuar edhe shqiptarë, cilat janë përvojat që keni me ta?
Arben Shabani: Ne kemi disa shqiptarë të punësuar në Zvicër që janë shumë kompetentë dhe kanë pozicione të ndryshme. Kemi edhe shembuj që ishin për Hitachi Energy në vende të ndryshme të ndërtojnë fabrika apo për zhvillimin e tregut në Kinë, Brazil dhe Kolumbi. Shqiptarët janë në përgjithësi shumë të zellshëm, të motivuar dhe kanë sjellje të mira.
Albinfo.ch: Cilat janë vlera që ju kanë bërë ju të suksesshëm?
Arben Shabani: Dëshira për punë e vullneti për të arritur diçka të veçantë, respekti për njerëz me prejardhje e kultura të ndryshme, resilient dhe aftësia të mësosh nga çdo situatë.
Albinfo.ch: Robert Orben ka një shprehje “Çdo mëngjes zgjohem dhe shikoj listën e më të pasurve, në Forbes. Nëse nuk e gjej veten aty, shkoj dhe punoj më shumë”. Cili është motivi për të cilin shkoni në punë çdo mëngjes?
Arben Shabani: … “qeshem”, jo motivimi im nuk është të jem më i pasuri. Unë e marr motivimin kur zhvilloj ose zbuloj diçka që i ndihmon shoqërisë të jetojë, veprojë me efikasitet dhe komfort më të lartë.
Albinfo.ch: Çfarë duhet të kenë të rinjtë sot për të qenë të suksesshëm në tregun e punës dhe në ndërmarrësi?
Arben Shabani: Po e përshkruaj me tri fjali: “provo, mos ngurro”; “merre rrugën e duhur, mos e merr rrugën më të lehtë”; dhe “progreso, mos stagno”. Që të jesh sot i suksesshëm, përveç arsimimit duhet edhe të jesh mendje hapur (open minded) ndaj kulturave, besimeve, mendimeve të ndryshme, po ashtu shumë me rëndësi është edhe networking (puna në rrjet).
Kush është Arben Shabani?
Jam 43 vjeçar, jetoj në Zürich me bashkëshorten dhe dy fëmijë të cilët më mbështetin në çdo situatë dhe më japin shumë energji pozitive.
Kam pasion dhe motivim të merrem me gjëra komplekse, më së miri, gjërat me të cilat nuk ja ka dalë ende askush, më frymëzojnë të ballafaqohem me to. Si per shembull jam pronar i shumëfishtë, i 12 shpikjeve (patenteve).
Po ashtu angazhohem për arsimimin profesional të të rinjve, ku jam në Bordin e Drejtoreve të LIBS (Industrielle Berufslehren Schweiz), e cila aktualisht arsimon më shumë se 1000 të rinj.
Në kohen e fundit angazhohem me dëshirë në Swissalbs. Swissalbs është një organizatë që bashkon komunitetin shqiptaro-zviceran me qëllim që t’i frymëzojë të bashkëpunojnë e të bashkëkontribuojnë në fushat e edukimit, ekonomisë, politikës dhe kulturës.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato? Disa pjesë të Zvicrës kanë kooperativa banimi që ofrojnë qira më të përballueshme...
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër