E-Diaspora

Arben Mustafa me Të Gjelbërit synon të ruajë mjedisin në Zvicër

Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin e Kantonit të Argaus që mbahen në shtator, albinfo.ch fillon të sjellë për lexuesit kandidaturat me emra shqiptarë që marrin pjesë në këtë garë.

Po fillojmë me Arben Mustafen, kandidaturën e të cilit tashmë e ka konfirmuar edhe GPS – Grüne Partei der Schweiz (Partia e të Gjelbërve). Ai figuron në listën e Të Gjelbërve në regjionin e Fricktalit, saktësisht për Rrethinën Rheinfeldenit AG.

„Duke më besuar votën, së bashku me grupin tonë të Gjelbërit, do përpiqemi që të mos ndodhin padrejtësi, që integrimi ynë të jetë më i suksesshëm, që ardhmëria e fëmijëve tanë të jetë premtuese dhe jodiskriminuese“, thotë mes tjerash në këtë intervistë Arben Mustafa.

Albinfo.ch: Ju jeni kandidati i vetëm shqiptar në listën e të nominuarve të Partisë së të Gjelbërve.  A mund të na thoni si është pritur nominimi juaj brenda partisë dhe anëtarëve të këtij subjekti?

Arben Mustafa: Në fillim dua t’ Ju falëndëroj për kohën tuaj dhe mundësinë që më keni dhënë të shpreh mendimet dhe qëndrimet e mia politike në një platformë mediale kaq serioze sikur që është Albinfo.ch. Në realitet ndihem i privilegjuar.

Sa i përket emërimit tim si kandidat në listën e të Gjelbërve në regjionin e Fricktalit, saktësisht për Rrethinën Rheinfeldenit, është pritur shumë mirë nga kryesia e të Gjelbërve në këtë rrethinë. Sepse, kjo është vetëm një përputhshmëri me realitetin e popullatës së sotme në këtë rrrethinë, ngaqë në këtë regjion jetojnë me mijëra bashkatdhetare e bashkatdhetarë, si dhe qytetare e qytetarë me prejardhje të ndryshme.

Albinfo.ch : Sa kohë merreni me politikë dhe pse me të Gjelbërit?
Arben Mustafa: Interesi im për politikë është që moti, por angazhimi im ka qenë në fillim jopolitik në Zvicër.
Në vitet e 2000-ta, gjersa isha studentë në Universitetin e Lozanës, isha i angazhuar në shoqatën humanitare „Nëna Terezë“ në kantonin Vaud.  Pastaj gjatë viteve 2003-2008, në fillim si anëtar i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Lozanës, dhe më pas si kryetar i kësaj shoqate.
Që nga 2010 jam bërë anëtar pasiv dhe nga viti 2012 anëtar aktiv i të Gjelbërve. Arsyeja është e qartë për mua, sepse interesat afatgjata të kësaj partie më motivojnë shumë, si për shembull:
Ruajtja e mjedisit nga shkaktarët njerëzorë, p.sh., nga aksidentet nukleare, ku rrezikshmëria e centraleve nukleare në përdorim për një afat kohor të pacaktuar, radioaktiviteti i të cilëve është një rrezikshmëri jete për të gjithë ata që banojnë rreth tyre, por jo vetëm…. Por, edhe për të gjithë ata që jetojnë në Zvicër, rrezikshmëria është për të gjithë shumë e madhe… ta kujtojmë datën 26 prilli 1986. Katastrofa e Çernobilit në ish-Bashkimin Sovjetik, pastai 21 marsi 2011në Fukushima të Japonisë, janë dy shembuj tragjikë që tregojnë nivelin e rrezikshmërisë të këtyre centraleve. Imagjinojeni vetëm një moment, që një nga centralet nuklare të Zvicrës të ketë një aksident… Pasojat e tmerrshme nuk do ishin vetëm për Zvicrën.

Pastaj eliminimi i padrejtësive shoqërore nga vendimet e politikanëve. Për shembull, mund të cekim disa raste konkrete, por do t‘i citoj vetëm dy:
Shkurtimi i buxhetit nga Kantoni për Departamenin e Shkencës, Kulturës dhe Arsimit për vitet e ardhshme dhe eliminimi i „DaZ“ (gjermanishtja si gjuhë e dytë), gjë që do të prekë shumë fëmijë me origjinë dykulturore apo albofone. Këta fëmijë mund të kenë probleme në shkollë apo integrim të mëvonshëm dhe do të bëhen një barrë, që shoqëria duhet ta mbajë për gjenerata dhe me shumë pasoja
– Apo për një padrejtësi, që për mendimin tim është e paarsyeshme fakti që një „ballkanas“ me të njëjtin lejeqëndrim të paguajë 2 herë më shumë sigurim se qytetarët e tjerë…

Albinfo.ch:  Fushata elektorale ende nuk ka filluar edhe zyrtarisht, sa jeni ju aktiv, cilët janë votuesit që ju i kërkoni nëpër takime dhe me çfarë tema zgjoni vëmendjen e tyre?
Arben Mustafa: Fakt është që fushata ende nuk ka filluar dhe se aktiviteti im në aspektin politik nuk është 100%, meqë siç e dini edhe ju, sistemi i politikës zvicerane është i bërë kësisoji që qytetarët të punojnë dhe politika të jetë aktivitet dytësor. Në takimet që personalisht marr pjesë përpiqem që sa më shumë t‘i kuptoj nevojat e qytetareve dhe qytetarëve me kusht që politika ime të bazohet dhe të orientohet në përmirësimin e jetës dhe ardhmërisë së tyre.
Temat që tërheqin vëmendjen e qytetareve dhe qytetarëve zviceranë si dhe bashkatdhetarëve tanë janë të shumta, por ka edhe ato të përbashkëta, sikur: e ardhmja e vendit, ruajtja e ambientit, integrimi, punësimi, shkollimi, sigurimet e ndryshme, etj.

Albinfo.ch: Dhe, për fund, ka shumë shqiptarë me të drejtë vote, si do t’ua kërkoni ju atyre mbështetjen, pse duhet t’ju votojnë ata juve?
Arben Mustafa: Fatmirësisht, në regjionin ku jetoj, Fricktal, shumë nga bashkatdhetarët tanë kanë të drejtë vote dhe vetë kandidatura ime në këto zgjedhje është vërtetim i këtij realitet. Por, unë mendoj që tani ka ardhur koha që ne të mos e „pësojmë“ politikën, por edhe ta jetojmë atë, ta sjellim dhe t‘i japim kahun në përputhje me interesat tona, çfarëdo qofshin ato. Kjo do të ndodhë vetëm nëse ky qëllim është i përbashkët dhe shumë shqiptarë tani e ndiejnë këtë.
Andaj, unë kërkoj nga shqiptarët me të drejtë vote që në shtator të realizojnë të drejtën e tyre duke votuar. Duke më besuar votën, së bashku me grupin tonë të të Gjelbërve, do të përpiqemi që të mos ndodhin padrejtësit, që integrimi jonë të jetë më i suksesshëm, që ardhmëria e fëmijëve tanë të jetë premtuese dhe jodiskriminuese. Që të mos ketë politika diskriminuese sipas nacionalitetit, ndaj besimit apo ndaj ngjyrave të lëkurës. Kështu që për ta jetësuar këtë politkë, për të qenë aktorë në grupet vendimmarrëse dhe që të kemi të drejtë fjale në vendimmarrje, mendoj që ndihma e bashkadhetarvë tanë është më se e nevojshme. Andaj kërkoj votën e tyre me kusht që të realizojmë ëndrrën tonë të përbashkët: Një ardhmëri më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë!

Kush është Arben Mustafa?
I lindur më 1978, Arben Mustafa vijoi shkollën fillore dhe të mesmen në Kosovë, gjithashtu përfundoi vitin e parë në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës.

Situata politike e vendit e detyron atë, sikur edhe qindar-mijëra të tjerë të rinj që të braktisë vendin dhe t’i braktisë studimet e posafilluara në Universitetin e Prishtinës, për t‘i vazhduar ato në Universtitetin e Lozanës, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, duke marrë titullin Licence es Lettres ( Master of Arts).
Karakteri i ti shoqëror u dëshmua që nga vendosja e tij në Lozanë, më 1999. Arben Mustafa ishte integruar në shoqata me veprimtari humanitare si „Nëna Terezë“, shoqërinë kulturore e artistike “Ilirët“ dhe më vonë atë studentore ( Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Lausanës AEAUL), ku vitet e fundit të studimeve ishte edhe kryetar.

Në vitin 2007 Arben Mustafa bashkëthemelon shoqatën SHIKO në Lozanë dhe vazhdon të jetë anëtar aktiv, duke marrë pjesë në realizimin të drejtpërdrejtë të aktiviteteve dhe projekteve në kantonin Vaud.
Që nga 2008 Arben Mustafa jeton në Kantonin e Aargaus.

Me moton „Integrimi dhe shkollimi i mirëfilltë, si dhe ruajtja e ambientit” janë në dobi të shoqërisë zvicerane, Arben Mustafa vendos të kandidojë në zgjedhjet katonale të Aargaut.

GA_Rheinfelden_Wahlbeilage_A5