Kosova

Arben Bytyqi sfidon majat e Alpeve Shqiptare

Polici Arben Bytyqi pasionin e tij prej alpinisti e sheh si mundësi për zhvillimin e turizmit të natyrës në Kosovë, për alpinistët dhe adhuruesit e natyrës

T`i sfidosh bjeshkët shqiptare në acar e me furtunë, të ecësh me kilometra nën shi, në dimër apo vjeshtë, apo edhe kur dielli i fortë përcëllon lëkurën, dhe djersët nga vapa përshkojnë trupin gjer në asht… Të gjitha këto përjetime mund të bëjnë shumëkënd që të hezitojë para aventurës së ngjitjes malore.

Por policin nga Prizreni, Arben Bytyqin, nuk e ndalon asgjë për t`i sfiduar bjeshkët më të larta e për të eksploruar natyrën shqiptare. Ai, veç tjerash këtë e sheh si mundësi për zhvillimin e turizmit të natyrës në Kosovë, për alpinistët dhe adhuruesit e natyrës.

Albinfo.ch: Z. Bytyqi, a mund të na tregoni më shumë për veten e juaj, nga ju lindi pasioni që t`i eksploroni bjeshkët shqiptare?

Arben Bytyqi: Që nga shkolla fillore e kam pasur si pasion lëndën e gjeografisë, dhe çdo ditë e më shumë me zgjohej kureshtja që të eksploroj edhe ta njoh natyrën e vendit tim, ta prek, ta ndjej, por edhe të shijoj për se afërmi.

Albinfo.ch: Kur keni vendosur të bëheni alpinist?

Arben Bytyqi: Kanë qenë momente të shpeshta që unë mendoja më seriozisht të merrem me eksplorimin e natyrës së vendit tim, duke pasur parasysh që e kemi një natyrë shumë të pasur, me peizazhe mahnitëse e që duhet t`i shohim më nga afër dhe t`i përjetojmë ato.

Por, mund ta veçoj qershorin e vitit 2006, kur kam bërë ngjitjen e parë malore me një grup shokësh në malet e Sharrit, gjegjësisht në liqenin e Jazhincës. Aty u impresionova me bukurinë natyrore të vendit dhe aty m’u ndezën shkëndijat e para të vullnetit, bashkë me dëshirën e madhe për ta njohur më shumë natyrën.

Albinfo.ch: Për një alpinist, cila është më shumë e preferuar, ngjitja vetëm apo ajo në grup?

Arben Bytyqi: Çdo herë për një alpinist, bjeshkatar, eksplorues natyre, mendoj që më e përshtatshme është aventura në grup, pasi që në këtë mënyrë je më i mbrojtur nga rreziqet që të presin dhe shoqërimi është gjithmonë më interesant.

Albinfo.ch: Na tregoni ndonjë eksperiencë apo përjetim tuajin gjatë ngjitjeve malore, i cili ju ka mbetur në mendje.

Arben Bytyqi: Mendoj se çdo udhëtim në natyrë ka eksperiencën e tij të veçantë, për mua nuk ka bjeshkë apo natyrë të shëmtuar.

Zakonisht përjetimet më të mira janë kur ti arrin cakun e dëshiruar, ngjtja ne maje, dhe nga këtu hedh një shikim për rreth majave të tjera dhe më nuk je vetvetja, vjen një moment kur mendon se e tërë bota është e jotja.

Albinfo.ch: Cilën majë më të lartë e keni shkelur?

Arben Bytyqi: Maja më e lartë që e kam shkelur është Maja Ararat që gjendet në Turqi, në pjesën aziatike, me një lartësi mbidetare 5137 metra.

Albinfo.ch: Deri më tani, cila ka qenë rruga më e vështirë që e keni bërë?

Arben Bytyqi: Mendoj që në momentin kur ti vendos të ngjitesh në majë të larta, vetë rruga do të jetë e vështirë, dhe nuk ekziston rrugë e lehtë për të arritur gjer lart. Këtu dua ta veçoj një përjetim të vështirë, rrugën e përshkuar  në kushte ekstreme atmosferike dimërore, me dëborë mbi një metër, në ngjitje drejt majës së Gavnit në Alpet Shqiptare, kur për 2 km nuk kam arritur të ngjitem, por atë do ta arrij së shpejti.

Albinfo.ch: Ju si alpinist, keni qenë ndonjëherë në rrezik gjatë eksplorimit ?

Arben Bytyqi: Deri më tani nuk kam qenë i ekspozuar ndaj ndonjë rreziku të drejtpërdrejtë, por, siç e thashë edhe më lart, çdo ngjitje i ka rreziqet e veta.

Albinfo.ch: Cilat vende shqiptare ju kanë lënë më shumë përshtypje?

Arben Bytyqi: Pa dyshim që janë Alpet Shqiptare. Jemi me fat që i kemi dhe kemi mundësinë t`i vizitojmë.

Albinfo.ch: Një alpinist që dëshiron të lëshohet në aventurën e ngjitjes së maleve, çfarë duhet të këtë me vete që të jetë i pajisur mirë?

Arben Bytyqi: Po ju them një thënie të një alpinisti të njohur me famë botërore Wolfgang Gulich, që fatkeqësisht tani nuk jeton më: Në ngjitje, muskujt më të mirë janë ata të trurit.

Përgatitjet psiko-fizike janë parësore që duhet t`i këtë një alpinist. Ndërsa pajisjet duhet t`i përshtaten kohës dhe është shumë më rëndësi të kenë cilësinë e duhur pasi kjo ka të bëjë edhe me sigurinë tuaj.

Albinfo.ch: Kujtimi juaj më i hidhur dhe ai më i miri gjatë aventurës?

Arben Bytyqi: Kujtimi më i hidhur ishte gjatë ngjitjes në majën më të lartë, 2.917 m në Greqi, në Malin e Olimpit, kur shihja fotografi të alpinistëve që kanë vdekur duke u munduar të ngjiten në këtë maje.

Ndërsa kujtime të bukura kam me qindra. Dua ta veçoj një që më ka mbetur në mendje: kur kemi arritur në malin ARARAT, kemi përkujtuar kolegun tonë bjeshkatar NEHARI DRIZA, tani i ndjerë, me një fotografi të madhe.

Albinfo.ch: Cili është vizioni i juaj për alpinizmin, çfarë vlerësoni më shumë?

Arben Bytyqi: Pasi që alpinizmi tashmë është bërë pjesë e jetës time, unë kam për qëllim që sa më shumë t`i ekspozoj këto ngjitje, peizazhe dhe bukuri në rrjete sociale, të duken sa më bukur dhe në këtë mënyrë dua të kontribuoj në kultivimin e turizmit malor të Kosovës dhe Shqipërisë.

Albinfo.ch: Vendi më i bukur i ngjitjes ?

Arben Bytyqi: Maja e Jezercës 2.694 m, Sukezezës, Grykat e Hapta 2.621 m, që të gjitha në Alpet Shqiptare.

Albinfo.ch: Vendet që ju i rekomandoni të vizitohen apo të eksplorohen ?

Arben Bytyqi: Alpet Shqiptare janë perlë dhe mrekulli në vete.

Albinfo.ch: Cili është synimi i juaj për të ardhmen, sa i përket alpinizmit ?

Arben Bytyqi: Unë kam synim të vazhdoj me ngjitjet edhe në vendet e Evropës apo edhe më larg.  Deri tani më mbetet ëndërr e parealizuar ngjitja në majën Matterhorn në Zvicër, Mont Blanc, Kilimanjaro dhe, pse jo, edhe në Everest, në një të ardhme.

Albinfo.ch: Ju jeni dhe pjesë e “Shoqatës Bjeshkatare Sharri’’, e cila organizon aktivitete të rregullta për eksplorimin e natyrës së vendit tonë

Arben Bytyqi: Po, jam anëtar i “Shoqatës Bjeshkatare Sharri’ nga Prizreni, shoqatë kjo që ka një traditë të madhe në lëmin e bjeshkatarisë dhe alpinizmit. Në gjirin e saj ka bjeshkatarë me shumë përvojë, me një përgatitje shumë të mirë psiko-fizike.

Aktivitetet organizohen çdo të diele, në ngjitje të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri. Me raste organizohen edhe ne Maqedoni e Turqi.

Intervistë e realizuar nga Zamira Bytyqi