Shkurt.ch

Apple nga vendi i tetë në të dytin

Coca-Cola vazhdon të jetë brendi më i vlefshëm botëror. Pasojnë Apple dhe IBM

Firmat  ose “markat” që kanë shënuar vitin 2012 janë afërsisht ato që kanë qenë viteve të fundit. Coca-Cola, Apple dhe IBM zënë tri vendet e para në listën prej 100 “brand”-eve më të vlefshme, që përpilon  agjencia Interbrand çdo vit. Me një ndryshim se Apple ka ngritur vlerën nga vendi i tetë që kishte vitin e kaluar në vendin  e dytë.

Me vlerën prej 76 milionë dollarëve, gjiganti i kompjuterëve i është afruar shumë Coca-Cola-s legjendare, e cila vlerësohet me 78 miliardë dollarë.

Vlera e Apple-s është rritur për 129 % brenda një viti!

Por befasi në ranglistën e këtij viti ka përgatitur kompania e njohur për prodhimin e pelenave “pampers”, e cila ka zënë vendin e 34-t. Kur dihet se ajo sivjet gjendet për herë të parë në listën prej 100 firmave më me peshë në botë, është ky një kërcim i madh. Sidoqoftë, pampersat e kanë lënë shumë mbrapa firmën shumë të njohur të viteve të fundit, platformën e medieve sociale facebook. 

Kjo e fundit duhet të kënaqet me vendin e 69-të. Vlera e kompanisë Pampers është 11.3 miliardë dollarë.

Për herë të parë në vitet e fundit, në mesin e 100 firmave mungon banka e madhe zvicerane UBS dhe kompania e sigurimeve Zürich.