Kosova

Apostolova: Sistemi i arsimit në Kosovë duhet të nisë nga zero

Shefja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova ka kërkuar nga deputetët që të mendojnë para se ta votojnë projektligjin për mësimdhënësit e viteve të '90-ta.

“Sistemi i arsimit duhet të nisë nga zeroja. Në fushën e arsimit deri tash kemi dhënë 34 milionë euro por ato nuk kanë prodhuar rezultat”, ka thënë shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova e cila ka kërkuar që të bëhen reforma në fushën e arsimit.

Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për arsim ajo tha se në bashkëpunim me MASHT-in janë duke punuar në një program të ri që do ta përmirësojë gjendjen në këtë fushë. 

Shefja e BE-së  i ka porositur deputetët që të mendojnë mirë para se ta votojnë projektligjin për mësimdhënësit e viteve 90. Miratimi i këtij projektligji sipas saj, do të shtojë pakënaqësi tek kategoritë tjera.

Apostolova ka përmendur edhe rastin e fundit të një zyrtareje të MASHT-it e cila dyshohet se kishte vjedhur në Bruksel e që u suspendua nga ministri Shyqiri Bytyqi. “Të punosh në Ministrinë e Arsimit është përgjegjësi e lartë”, është shprehur Apostolova.