Shëndetësi
A po bashkohen mjekët shqiptarë në Zvicër
Nismën për bashkimin e mjekëve shqiptarë, fillimisht me një darkë të perbashkët, e ka ndërmarrë Emine Gashaj, një mjeke e re shqiptare e cila punon në Spitalin e fëmijëve në St.Gallen
Shefa klinikash, repartesh, pediatër, psikiatër, gastrologë, stomatologë shqiptarë që kanë ordinanca private në pronësi të tyre nga e tërë Zvicra ia kishin mësyrë të shtunën Cyrihut, për të marrë pjesë, jo në ndonjë simpozium apo kongres mjekësh, por në një darkë të përbashkët të tyre.
Nismën për bashkimin e mjekëve shqiptarë e kishte ndërmarrë Emine Gashaj, një mjeke e re shqiptare e cila punon në Spitalin e fëmijëve në St.Gallen, raporton albinfo.ch.
Gashaj synonte t’i bëjë bashkë mjekët, fillimisht “online” pastaj për t’i takuar në këtë forum të përbashkët mjekësor në Cyrih.
Pediatrja shqiptare është befasuar me numrin e madh të mjekëve që i janë përgjigjur ftesës, që as ajo nuk kishte arritur t’i numëronte.
“Kam mbledhur me dhjetëra kontakte të mjekëve shqiptarë duke i bërë bashkë në një grup në `Whatsap`. Dhe kështu nisi komunikimi me nesh për të realizuar një takim të përbashkët”, thotë mjekja e re, e cila që kur ishte studente në Basel kishte synimin të bënte bashkë studentët shqiptarë të mjekësisë në Zvicër.
“Në Zvicër ekzistojnë disa shoqata studentëve dhe fatmirësisht gjeneratat e reja ia dolën të bashkohen 2 herë ne Bernë”, deklaron për albinfo.ch mantelbardhja shqiptare.
Iniciativa e dr. Emines ishte mirëpritur nga shumica e kolegëve të saj.
- Shumica e mjekëve shqiptarë në Zvicër, “të importuar”
“Nuk ishte edhe lehtë që të kontaktohen personalisht të gjithë mjekët pa u njohur fare dhe nuk isha shumë optimiste që vijnë të gjithë”, thotë Gashaj për albinfo.ch, duke treguar se e gjithë ideja ishte spontane që të bëjë një organizim mes mjekëve që të njihen me njëri-tjetrin.
Në grupin e atyre që ka arritur t’i identifikojë Eminja, figurojnë asistentë të mjekëve deri te kryemjekët, por ka edhe mjekë që menaxhojnë ordinancat e tyre private apo që punojnë nëpër spitalet zvicerane.
Aty shihet një përzierje e profileve të ndryshme të mjekëve por shumica janë “importuar” nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Ndërkaq, shumë pak ka mjekë shqiptarë që janë shkolluar në Zvicër.
“Mjekët që vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës janë ndoshta pak më shumë të lidhur me njëri-tjetrin sesa mjekët shqiptarë që janë shkolluar këtu, sepse ka mundësi qe kane studiuar bashke apo janë kyçur njëkohësisht në sistemin mjekësor në Zvicër”, tha Gashaj.
- Pas disa iniciativave të dështuara, pritet që kjo të dalë me sukses
Pediatrja shqiptare ishte pjesë e të gjitha iniciativave për bashkimin e mjekëve që deri tash kishin dështuar ndërsa është shumë optimiste që shumë shpejt do të konkretizojnë idenë e krijimit të një shoqate të mantelbardhëve shqiptarë në Zvicër.
“Kjo është vetëm një pikënisje dhe pse jo, në të ardhmen mund të bëhemi një shoqatë e mjekëve që nesër do t’u shërbejë gjeneratave tjera të mjekëve që shkollohen në Zvicër, po edhe atyre që vijnë edhe nga jashtë”.
Derisa po i vjen fundi këtij takimi Emine Gashaj po mendon për takimin tjetër ndoshta në Bernë apo edhe në pjesën frankofone.
“Me hapa të vegjël por sigurt do t’ia arrijmë të bëhemi bashkë”, thotë Emine Gashaj.
Eminja gjeti mbështetje për të realizuar këtë nismë edhe nga Valbona Miftari, psikiatria shqiptare e cila po ndjek specializim në vitin e fundit në një Klinikë në Königsfelden. “Ne nuk pretendojmë që medoemos të bëhemi një shoqatë mjekësh, por pse të mos njihemi me njëri-tjetrin që nesër të marrim iniciativa të përbashkëta për të kontribuar në mjekësinë kosovare”, thotë Valbona Miftari.
- Askush nuk e di numrin e mjekëve shqiptarë në Zvicër, vlerësohet se është “në mes 300 dhe 400”
Edhe mjekët tjerë të pranishëm në këtë takim ishin të entuziazmuar që po darkojnë bashkë me njëri-tjetrin dhe po flasin për të njëjtin profesion në gjuhën e tyre.
Angiologu i vetëm shqiptar, Naim Mehmeti, shef reparti në Spitalin Kantonal në Winterthur, thotë se takime të tilla janë të mirëserdhura. “Eshtë mirë me u mbledh kështu, të paktën me dit kush është dhe ku nëpër Zvicër. Të njihemi me njëri-tjetrin duke ndihmuar sidomos ata që sapo kanë ardhur këtu, po pse mos të bashkohemi edhe me mjekët në Kosovë”, thekson mantelbardhi me prejardhje nga Gjakova duke treguar se ka arritur të sjellë dy mjekë nga Kosova për trajnime në Zvicër.
Sido që të jetë, një statistikë që do të tregonte numrin e mjekëve shqiptarë nuk ekziston, por ka një llogaritje nga njerëz të sektorit shëndetësor se numri i mjekëve shqiptarë në tërë Zvicrën mund të shkojë në mes 300 dhe 400 sish.
Shumica e tyre, mjekë që kanë emigruar nga Kosova e Maqedonia për të punuar në Zvicër.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?