Kosova

Ankesa e Bekim Jasharit, PZAP: S’ka rinumërim të vendvotimeve

Mësohet se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) ka refuzuar ankesat e kandidatit për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, për pretendimet e parregullsive gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor.

Kryetari aktual që synonte edhe një mandat qeverisës në Skenderaj bëri ankesë në PZAP, duke kërkuar që të hapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen votat në disa vendvotime. Por PZAP-i ka refuzuar këtë kërkesë të Jasharit.

Në vendim të PZAP-it thuhet se “refuzohet e pabazuar pjesa e apelit A.nr.724/2021 e datës 29.10.2021, e parashtruar nga Lista e Pavarur-Bekim Jashari, me seli në Skenderaj, me të cilën ka kërkuar që të hapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen vendvotimet 2122b/01D dhe 2101 X/01R, si shkak i parregullsive gjatë procesit të votimit për zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës të mbajtura me datën 17.10.2021”.

PZAP-i gjithashtu refuzoi ankesën e PDK-së, dega në Ferizaj, e cila pretendonte se në rezultatin përfundimtar të KQZ-së nuk figurojnë disa vota. Kështu PZAP-i la në fuqi vendimin e KQZ-së për të parin e Komunës së Ferizaj, Agim Aliu.