Kosova

Ankandi për Artin dhe Humanizmin në Cyrih: Një natë e solidaritetit dhe suksesit

Më 4 shkurt, në ambientet e Il Postino në Cyrih, organizata joqeveritare “CICAT” (Creative Information, Care and Artivism for Tomorroë) mblodhi bashkë artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Zvicra me rastin e Ditës Botërore të Kancerit. Në Ankandin për Artin dhe Humanizmin, artistë të shumtë kontribuuan në ndihmë të grave të prekura nga kanceri i gjirit.

Një atmosferë e mbushur me emocion dhe solidaritet

Në eventin që u moderua nga Kaltrina Ajeti, bashkëorganizatore dhe anëtare e bordit, dhe nga moderatori Resul Sinani, të ftuarit patën mundësinë të përjetojnë njëkohësisht artin dhe humanizmin që bashkohen për një kauzë fisnike.

Artistët që morën pjesë në këtë event ishin: nga  Zvicra: Kaltrina Kastrati dhe Bedrije Hamiti, nga  Kosova: Hatixhe Ibrahimi, Renea Begolli, Adrijana Binakaj dhe Dea Musliu, nga Shqipëria: Mario Dine, Gerald Çela, Fioralba Kryemadhi dhe Kliti Syla, nga Maqedonia e Veriut: Endrita Purellku, Shega Memeti dhe  Drenusha Palloshi.

Nga pjesëmarrja e artistëve u shitën 16 piktura

„Një moment i veçantë i kësaj nate ishte bashkimi i dy piktorëve nga Zvicra në këtë nismë, një  privilegj që e bëri eventin edhe më të rëndësishëm. Në total, 16 piktura nga artistët pjesëmarrës  u shitën të gjitha, duke siguruar fonde të rëndësishme për mbështetjen e grave të prekura nga kanceri i gjirit“, thuhet në komunikatën e NGO CICAT, shkruan albinfo.ch.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, vlerësoi këtë nismë dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes për gratë që përballen me këtë sëmundje sfiduese.

Po ashtu, mes të pranishmëve foli Ridvan Ademi, anëtar i bordit dhe bashkëorganizator i eventit, si dhe Drejtoresha Ekzekutive e NGO CICAT, Ermira Murati, e cila shprehu përkushtimin e organizatës për të vazhduar mbështetjen për këtë kauzë jetësore.

Ankandi për Artin dhe Humanizmin në Cyrih nuk ishte vetëm një aktivitet artistik, por një dëshmi e fuqisë së artit për të sjellë ndryshime të prekshme në jetën e njerëzve. Ky event tregoi se kur arti dhe humanizmi bashkohen, mund të krijohen iniciativa që mbështesin dhe fuqizojnë ata që kanë më shumë nevojë.

Më shumë informata për shoqatën: https://www.instagram.com/cicat.ngo/