Kosova
Anda Skeja, e vetmja shqiptare në programin e doktoratës për Matematikë në EPFL
Anda Skeja, përveç se është një nga doktorantet më të dalluara në “École Polytechnique Fédérale de Lausanne”, ajo gjithashtu është edhe një bursiste e Konfederatës Zvicerane, hulumtuese shkencore dhe mësimdhënëse.
Emrave të suksesshëm të shqiptarëve nga Kosova në Zvicër u bashkëngjitet edhe Anda Skeja, një profil me shumë “bagazh” profesional. Aktualisht ajo është doktorante e vitit të fundit për matematikë në “École Polytechnique Fédérale de Lausanne”. Në fakt, ajo ishte studentja e parë dhe deri më tani e vetmja që është pranuar në programin e doktoratës, pa i ndjekur studimet Master, rezultat ky nga performanca e saj si kuadër i lartë në këtë fushë.
Anda Skeja, në një intervistë për revistën “Albinfo.ch” ka folur për studimet e saj për doktoratë dhe punën si hulumtuese shkencore dhe mësimdhënëse, jetën, sfidat, migrimin dhe ambiciet e saj për të ardhmen.
“Përveç tjerash jam bursiste e Konfederatës Zvicerane që nga fillimi i doktoratës. Punoj full-time me hulumtime shkencore dhe, në të njëjtën kohë, marr pjesë edhe në mësimdhënie dhe mbikëqyrje të tezave të diplomova dhe projekteve të ndryshme. Kam ligjëruar për 6 semestra, ku prej tyre, katër studentë i kam mentoruar. Është një kënaqësi e veçantë të mund t’ua ndriçoj rrugën e diturisë studentëve të rinj të EPFL-së. Në fakt, kjo mënyrë na përgatit për profesion jo vetëm në aspektin shkencor, por edhe në aspektin edukativ dhe mentorues”, shprehet ajo.
Anda thekson se gjatë doktoratës ka filluar të punojë në fusha të ndryshme, duke botuar edhe shumë hulumtime të saj në revistat e njohura ndërkombëtare, shkencore.
Unë që nga nisja e doktoratës punoj në teori të grafeve të rëndomta, në teori të limiteve të grafeve, probabilitet dhe teori të informacionit, nga të cilat kanë rezultuar tri punime të paraqitura, të publikuara në revista dhe konferenca me renome të lartë. Tani po punoj ta përfundoj edhe një tjetër para diplomimit. Pavarësisht punës së doktoratës, kam bashkëpunime internacionale mbi grafe të rendit të lartë (higher-order graphs) dhe topologji”, tregon ajo.
Nga Kosova, në Stamboll, për t’u bërë emër suksesi në Zvicër
Sukseset e Andës në aspektin arsimor e çuan drejt universiteteve më të mira studimore.
Ajo ka filluar shkollimin e saj në vendlindje, në Prizren, më pas, studimet i ka vazhduar në Stamboll dhe në Zvicër.
“Sa u përket studimeve të hershme, shkollën fillore dhe të mesme e kam përfunduar në vendlindje, në Prizren, ndërsa studimet universitare në Stamboll. Jam rritur nga dy prindër inxhinierë dhe kjo ka pasur rol të madh në interesimin tim për matematikë. Babai im ka punuar si profesor i elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës dhe ka qenë motivimi im kryesor për t’i ndjekur studimet e doktoratës”, tregon ajo për revistën “Albinfo.ch”.
Vlen të theksohet se Anda ka studiuar “Matematikë Inxhinierike” në Universitetin Teknik të Stambollit (ITU) dhe më pas ka filluar edhe programin e dytë (double major) në kohë të njëjtë me studimet ‘Ekonomi’, mundësi kjo e dhënë si rezultat i arritjeve të dalluara.
“Kam diplomuar si e para në ‘Departamentin e Matematikës’ dhe në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në vitin 2019. Teza e diplomës në matematikë ka qenë mbi teorinë e numrave dhe kriptografi, të cilën e kam prezantuar edhe në konferencën “31st Journées Arithmétiques 2019”.
Jeta profesionale në Zvicër
E pyetur nga revista “Albinfo.ch” se sa ishte e vështirë të ambientohet Anda në Zvicër, me një shoqëri tjetër, kulturë tjetër, ajo u përgjigj se çdo fillim është i vështirë, aq më shumë kur fillimet ishin në periudhën e pandemisë.
“Ishte një eksperiencë interesante, edhe pse jo shumë e këndshme dhe ideale për një fillim të një etape tejet të vështirë si doktoratura. Përpos pandemisë që më detyroi të mbyllem në banesë për disa muaj, nuk kam hasur vështirësi ambientimi në Zvicër, pasi që nga mosha 18-vjeçare kam jetuar në Stamboll dhe jam mësuar me shoqëri të re. Më duhet të theksoj se ambienti shoqërues me kolegë internacionalë dhe zviceranë në EPFL ishin faktorët kryesorë që më kanë ndihmuar të mos ndiej vështirësi në këtë aspekt. Po ashtu, integrimi në ambientin zviceran është bërë më i lehtë pasi që e kam mësuar gjuhën frënge”, shprehet ajo.
Konferencat shkencore dhe workshop-i
Anda verën që iku ka marrë pjesë në dy konferenca shumë të njohura ndërkombëtare, njërën në Vjenë dhe tjetrën në Taipei, ku edhe ka prezantuar punimet e doktoratës së saj.
“Përpos këtyre dy konferencave, këtë verë kam organizuar një workshop në Institutin Bernoulli të EPFL-së, me temën ‘Strukturat e rëndomta diskrete’ (Discrete random structures). Ky organizim shkencor ishte një sukses shumë i madh i rezultuar nga pjesëmarrja e 20 profesorëve ndërkombëtarë (përfshirë nga universitetet Princeton, UCB, Stanford, Cornell, Oxford, UCL, ETH) etj. Po ashtu kishte edhe ekspertë në temat e kësaj fushe dhe rreth 50 pjesëmarrës (doktorantë dhe postdoktorantë) nga e gjithë bota”, tregon ajo.
Kosova, vendi i zemrës
Anda është shumë e lidhur me Kosovën. Ajo tregon se zemra i rreh ndryshe kur prek tokën e Kosovës, atje ku jetojnë shumë familjarë të saj dhe shoqëria, duke e bërë një lidhje të ngrohtë me ta.
Pothuajse çdo vit ajo viziton disa herë Kosovën, pasi është e lidhur shpirtërisht dhe emocionalisht me vendlindjen e saj.
“Duke qenë se jetoj me bashkëshortin tim në Zvicër, përkundër ngarkesave profesionale, mundohemi ta vizitojmë Kosovën dhe familjarët së paku dy herë në vit. Kosova simbolizon shumë më shumë për mua se sa vend i lindjes, ajo tashmë thjesht po përjeton një zhvillim të sigurt dhe domethënës”, përfundon Anda.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve