Zhvillim
Çka thotë filantropi Vllaznim Xhiha për PISA-shok dhe sistemin e arsimit në Kosovë
Organizata për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim (OECD – Organization for Economic Co-operation and Development) me seli në Paris, ka botuar rishtas raportin PISA 1) (Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, Ang.: Program for International Student Assessment) 2015, që mbështetet në përformancën e nxënësve në testet e standardizuara të matematikës, leximit dhe shkencës. Këto teste bëhen çdo tre vjet me grupet e 15 vjeçarëve, në një numër shtetesh anembanë botës. Sivjet Kosova mori pjesë për herë të parë dhe në mesin e 70 shteteve u rreshtua në vendin 68. “Tronditja e PISA-s” shkaktoi brengosje të rëndë në opinionin publik kosovar.
Por, a na ka befasuar vërtetë ky rezultat? Jo, aspak.
Rangimi në PISA nuk jep një portret real për gjendjen në sistemin tonë edukativ. Aty ipen rezultatet e testeve në matematikë, gjuhë dhe shkenca, të një numri të caktuar nxënësish. Kjo nuk është e mjaftueshme për të përshkruar gjendjen reale dhe kristalizuar sfidat reale me të cilat ballafaqohemi ne. Sistemi i edukimit në Kosovë është i vjetëruar. Parakushtet për përmirësim domethënës janë: ndërtimi i një infrastrukture shkollore të afërtë, miqësore për fëmijët, ngritja e cilësisë së mësimdhënies, zbatimi i veprimtarive që e nxisin kreativitetin, angazhimin e nxënësve me punë konkrete dhe zbatimin e teknikave të nxënies duke bërë. Në shumicën e shkollave, nxënësit mësojnë të përsërisin atë që ju kanë thënë se duhet bërë. Shpesh herë ata nuk kanë mundësi të shprehin lirshëm kuriozitetin dhe imagjinatën e tyre. Mësimet janë të mërzitshme dhe fëmijët gjithnjë e më shumë po e humbin përqëndrimin. Si pasojë, shkallët e ndërprerjes së shkollimit po rriten.
Ministri i Edukimit, Arsim Bajrami, i komentoi rezultatet e testit PISA si vijon:
“Ne i pranojmë rezultatet e raportit PISA. Këto rezultate ishin të pritura. Vendimi i Qeverisë në vitin 2013 për të marrë pjesë, ishte një hap i guximshëm, sikundër edhe përkushtimi për të ngritur cilësinë e edukimit në vendin tonë.” Ai pastaj shtoi: “Në vitin 2018, kur do të botohen rezultatet e testit vijues PISA, ne presim të jemi të krahasueshëm me vendet e BE-së.”
Ne pajtohemi se është me rëndësi që sistemi ynë i edukimit të vlerësohet dhe krahasohet me atë të shteteve tjera, si dhe që Kosova të vazhdojë të jetë pjesë e procesit PISA, por nuk është realistike të pritet që deri më 2018, rezultatet tona të jenë të krahasueshme me ato të shteteve të BE-së. Kjo deklaratë është shumë optimistike dhe sigurisht e paarritshme. Hendeku është shumë i madh dhe për këtë nuk ka ndonjë zgjidhje e tipit shpejt-e-shpejt. Nëse vërtetë brengosemi për edukimin tonë, atëherë, patjetër duhet të jemi realistik dhe duhet të mendojmë në mënyrë afatgjatë. Ne duhet të kemi një vizion të qartë që do të na shpiente kah një ndryshim transformativ.
Raporti i fundit PISA duhet të jetë një sinjal i fuqishëm paralajmërimi për politikëbërësit e edukimit në Kosovë, që shpresojmë se do të bëhen të vetëdijshëm se sistemi ynë i edukimit, ka nevojë urgjente për një ndryshim radikal. Ndryshimet në shkolla do të jenë të suksesëshme vetëm nëse politikat lokale dhe kombëtare i mbështesin ato. Jo të gjithë politikëbërësit e edukimit janë aktualisht të interesuar për edukimin. Disa prej tyre, shpesh e përdorin edukimin si platformë për avancim profesional. Për të arritur përparime në procesin e ndryshimit në edukim, politikëbërësit, artistët, shkencëtarët dhe edukatorët, duhet të jenë kompetent dhe të përkushtuar me pasion, për të ngritur arritshmërinë e nxënësve në shkolla. Ky është një proces i gjatë dhe sfidues, por që duhet adresuar urgjentisht dhe në mënyrë të drejtë.
Pasi Sahlberg 2), edukator i njohur finlandez, autor dhe dijetar ka thënë:
“Reformimi i shkollave është një proces kompleks dhe i ngadalshëm, ta bësh me nguti do të thotë ta shkatërrosh.”
A ka shpresë për përmirësimin e sistemit të edukimit në Kosovë? Po, ka shpresë nëse lidershipi ynë politik do të përqëndrohej në këtë interes vital kombëtar. Ne besojmë se njëri prej prioriteteve strategjike të vendit tonë është transformimi i sistemit tonë të edukimit. Qytetarët presin nga lidershipi i tyre politik që të ndjek interesat e komunitetit në tërësi, jo vetëm atë të grupeve të interesit të tyre personal. Ata duhet të tregojnë qartazi dëshirën dhe përkushtimin e tyre për tu angazhuar në zbatimin e planit strartegjik për transformimin e edukimit, pa retorika dhe ideologjizime.
Fatkeqësisht, nuk është e mjaftueshme vetëm të shpresosh për një ekonomi më të mirë dhe një vend më të mirë për të jetuar. Ne, qytetarët, duhet të bëjmë diçka lidhur me këtë, ne duhet të angazhohemi, nëse me të vërtetë e duam që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, të arrijnë të edukohen mirë dhe të jetojnë në një mjedis të shëndoshë dhe prosperues.
Tash, pasi rezultatet e testit PISA i rihapën diskutimet për edukimin në Kosovë, ne besojmë se është koha e duhur për debat më të gjerë publik rreth transformimit të sistemit të edukimit, që do të ishte shumë i dobishëm për politikëbërësit në procesin e vendimmarrjes. I inkurajojmë të gjithë intelektualët – koshiencën e shoqërisë sonë – të ngrisin zërin e tyre dhe të bëhen pjesë e debatit publik. Individët kompetent, artistët, shkencëtarët, politikanët, edukatorët, prindërit dhe studentët, duhet të ngrisin zërin e tyre dhe të mbështesin reformat e sistemit tonë të edukimit, për ti ju përgjjigjur sfidave të shekullit 21.
Ne qytetarët e Kosovës, duhet të fillojmë të ngrisim zërin, duhet të bëjmë që ky zë të ndëgjohet, duhet të marrim pjesë në debate me kontribute konstruktive dhe duhet të jemi vendosmërisht kritikë ndaj anomalive politike, shoqërore dhe ekonomike.
Ashtu si ka thënë Pasi Sahlberg:
“Për të krijuar një sistem shembullor të edukimit, është e nevojshme që e tërë shoqëria të veprojë në mënyrë harmonike.”
Qeveria e Kosovës, ka aprovuar rishtas Planin strategjik për edukimin në Kosovë 2017-2021, që u punua nga MASHT (Ministria e edukimit, shkencës dhe teknologjisë). Plani do të botohet së shpejti. Tri shtyllat e Planit strategjik janë: cilësia, përfshirja dhe llogaridhënia.
Ne shpresojmë se ky plan do të ketë qasje holistike, që do të na ndihmojë që ta transformojmë sistemin tonë të vjetëruar të edukimit në një sistem bashkëkohës. Sot është shumë më e lehtë të transformosh sistemin kombëtar të edukimit se sa që ishte në të kaluarën. Nga njëra anë, zhvillimet rapide të teknologjisë digjitale ofrojnë mjete të fuqishme për mësim dhe trajnim efiçient dhe efektiv. Nga ana tjetër, ne i kemi përpara shembujt e shkëlqyeshëm të shteteve që tashmë kanë kaluar nëpër proceset e gjata dhe sfiduese të transformimit të edukimit. Që nga fillimet e rangimeve të PISA, Finlanda gjithmonë është paraqitur në majë të tyre. Për shkak se sistemi i edukimit finlandez ka një qasje holistike, të gjitha shkollat është dashur të zbatojnë kurrikulat e gjera dhe të baraspeshuara që përfshijnë artet, shkencat, matematikën, gjuhët, edukimin njerëzor dhe fizik, por shkollat gjithnjë kanë një liri të konsiderueshme për të zgjedhur se si do të zbatojnë katë në praktikë. Ata i japin prioritet të lartë programeve praktike dhe vokacionale si dhe zhvillimit të kreativitetit. Finlanda ka investuar shumë në trajnimin dhe ngritjen e aftësive të mësuesve dhe si rezultat i kësaj, profesioni i mësuesit ka një status të lartë shoqëror dhe është profesion i sigurtë. Shkollat inkurajohen të bashkëpunojnë në vend se të bëjnë gara, duke i këmbyer burimet, idetë dhe dijeninë në mes njëra tjetrës. Raportet në mes të mësuesve dhe nxënësve lulëzojnë. Sistemi i edukimit finlandez është organik dhe zhvillohet në mënyrë të pandalshme.
Shembulli finlandez tregon se duke e transformuar sistemin e edukimit, politikëbërësit finlandez kanë shkuar përtej standardeve të PISA. Ata e avokojnë qasjen holistike me kurrikula të gjera dhe më të baraspeshuara, qasje të personalizuar përpara qasjes së standardizuar ndaj nxënësit, gjithnjë me fokus mbizotërues në inkurajimin e imagjinatës dhe kreativitetit të fëmijëve.
Edukatori i spikatur, oratori dhe autori Sir Ken Robinson e ka thënë këtë në mënyrë të mrekullueshme:
“Imagjinata është burimi i të gjitha arritjeve njerëzore dhe kreativiteti është dhuntia më madhe e inteligjencës njerëzore.”
Ne jetojmë në një botë dinamike që po ndryshonë më shpejtë se kurrë më parë. Ne po ballafaqohemi me sfida komplekse sikurse janë ngrohja globale dhe shpërthimi demografik. Shoqëria njerëzore nuk mund të bëhet e qëndrueshme as nuk mund ti mbijetojë këto sfida thelbësore pa dijeni të duhura shkencore dhe veçanërisht pa kreativitet. Sa më komplekse bëhet kjo botë, aq më kreativ duhet të jemi ne. Çdo qenie njerëzore ka kapacitete të mëdha kreative. Sfida është që ato të zhvillohen. Duhet të ketë një kulturë të kreativitetit që do të përfshinte çdokend.
Rreziku më i madh që do të na shfaqej është të ballafaqohemi me të ardhmen pa investuar në këto aftësi. Lidershipi ynë politik si dhe opozita, mund të mos jenë në dijeni për këto rreziqe dhe nëse kjo është e vërtetë, ata duhet të fillojnë të brengosen seriozisht lidhur me këtë. Përgjegjësia kryesore bie në shpatullat e tyre dhe ata nuk mund, thjeshtë, të mos e pranojnë atë, ta injorojnë, ose të japin premtime retorike të pa arritshme.
Është tepëruar shumë, dhe më heret a më vonë, këto probleme do të rriten në atë masë sa që mund të bëhen të pazgjidhëshme. I tërë miljeu politik duhet të jetë koshient që kjo indiferencë, që ky interes vital kombëtar, të adresohet në mënyrë konstruktive, përndryshe do të ketë pasoja shumë të rënda. Sistemi ynë shoqëror po degradon, cilësia e edukimit dhe kujdesit shëndetësor janë në nivele dëshpërimisht të ulta. Sektori privat, realisht, kurrë nuk mundi të mëkëmbet. Për këtë ekzistojnë dy shpjegime, personeli i pakualifikuar qeveritar, dhe mungesa e theksuar e dëshirës së institucioneve politike për të bërë shtysa vendimtare për përkrahje atraktive të investitorëve dhe për të inkurajuar ndërmarrësit e rij, për ta zhvilluar sektorin privat. Përveç kësaj, investitorët e huaj dhe diaspora jonë e pasur, vendosmërishtë ngurrojnë për të investuar në Kosovë, dhe këtë ata e shprehin shumë qartë:
Nivelet e larta të korrupcionit, mungesa e sundimit të ligjit, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe infrastruktura e dobët, janë risqet kryesore që e bëjnë vendin tonë joatraktiv për investitorët e huaj.
Është përgjegjësi e lidershipit politik të Kosovës që të angazhojë të gjitha burimet intelektuale të Kosovës dhe të diasporës që kanë integritet dhe dëshirë të mbështesin transformimin e sistemit tonë shoqëror. Pas luftës së fundit, shumica e popullatës sonë ëndërronte një shtet të lirë me standard të ngritur shoqëror. Komuniteti ndërkombëtarë na ndihmoi që të bëhemi shtet i pavarur, por ata kanë filluar të humbasin interesin dhe durimin për të punuar me vendin tonë, për të njëjtat shkaqe që i bëjnë edhe investitorët e huaj që të ngurrojnë për të investuar në Kosovë.
Historia na provon shumë shembuj të shoqërive dhe qytetërimeve që kanë ardhur dhe janë shuar.
Nobelisti largpamës H.G. Wells thotë,
“Qytetërimi është një garë në mes të edukimit dhe katastrofës.”
Nëse ne dëshirojmë të mbajmë anën e edukimit, dhe jo atë të katastrofës, politikanët tanë duhet ti rimendojnë politikat e tyre, dhe të rikthehen drejt prioriteteve që janë me interes më të gjërë publik. Paratë e taksapaguesve nuk guxojnë të abuzohen në mënyrë kaq brutale, ato duhet patjetër të ridrejtohen kah prioritetet e zhvillimit strategjik, si që janë edukimi, kujdesi shëndetësor dhe zhvillimi i sektorit privat, që do të kontribuonin në mirëqenien e shoqërisë sonë. Ne jemi duke hecur në majë të një shtegu të ngushtë dhe ju kemi ekspozuar rrezikshëm riskut.
BONEVET (Bëje Vetë) është themeluar para dy vitesh në Gjakovë. Është një vend-punishte plot gjallëri që rrezaton mbi tërë komunitetin duke ofruar burim të shpresës dhe energji kreative.
BONEVET është një mjedis ku të rijtë inkurajohen që t’i zbulojnë aftësitë e tyre të kreativitetit dhe talentin, me ndihmën e mjeteve të avancuara teknologjike. Ky është një institucion edukativ joformal dhe joprofitabil, ku ne e kemi vendosur nxënësin në qendër të procesit mësimdhënës dhe trajnues.
Përveç arteve dhe shkathtësive teknike, fëmijët fitojnë shkathtësi mësimi, si kreativitetin dhe inovacionin, shkathtësi për zgjidhjen e problemeve, të menduarit kritik, të komunikimeve dhe bashkëpunimit. BONEVET është një mjedis ku inkurajohen vlerat kulturore. Fëmijët shprehen lirshëm dhe zëri i tyre ndëgjohet, pa marrë parasysh moshën, gjininë apo ngjyrën e tyre. Ne e respektojmë njëri tjetrin, ne këmbejmë informacione dhe ne punojmë-bëjmë së bashku.
Ne e kemi për qëllim që të frymëzojmë-inspirojmë nxënsit që ata të zbulojnë se çka ju pëlqen atyre, dhe atë ta bëjnë me pasion, që të inkurajojmë nxënësit për të nxënë shkathtësi që ju mundëson atyre të kenë vetëbesim, që ti mundësojmë atyre që të bëhen kreativ duke eksperimentuar dhe kërkuar.
Ne e admirojmë misionin e Sir Ken Robinson:
“Ta transformojmë kulturën e edukimit me konceptim më të pasur të kreativitetit dhe inteligjencës njerëzore.”
Autori i analizes Vllaznim Xhiha eshte Kryetar i Bordit të BONEVET dhe bashkëthemelues i fondacionit UNE E DU KOSOVEN
Gjakovë, 19 dhjetor, 2016
Ky shkrim është botuar fillimisht në gjuhen angleze në “BONEVET” . Perkthimin e analizes nga anglishtja e kreu prof. Agron Dida
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?