Lajme

Ambasadori: SHBA nuk do të ketë shumë kohë për Zvicrën

Jacques Pitteloud, ambasadori zviceran në Shtetet e Bashkuara, nuk parashikon një përmirësim në marrëdhëniet dypalëshe pas ndryshimit të pushtetit në Uashington. Administrata e Biden “ndoshta nuk do të ketë shumë kohë për Zvicrën”, thotë ai.

Administrata e re e SHBA-së thjesht ka shumë probleme për të zgjidhur, tha ai në një intervistë me gazetën Blick, botuar të mërkurën, përcjell albinfo.ch.

Pitteloud, i cili do të marrë pjesë në inaugurimin e Joe Biden të mërkurën, gjithashtu shprehu skepticizëm në lidhje me një marrëveshje të tregtisë së lirë midis Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Administrata e re me siguri do të duhet të merret së pari me probleme të tjera”, tha ai.

“Sikur Donald Trump të kishte një mandat tjetër si president i SHBA-së, Zvicra mund të kishte një shans pak më të mirë për një marrëveshje të tregtisë së lirë”, shtoi ai, përcjell tutje albinfo.ch.