Kosova
Ambasadori i ri i Kosovës në Zvicër shpalos prioritetet e punës së tij
Ambasadori Sami Ukelli. “Kur jemi te marrëdhëniet Kosovë-Zvicër mendoj se në fushën e bashkëpunimit ekonomik kemi ngecur e këtu do të duhej të fokusohemi më shumë e të kemi një qasje më serioze, duke eksploruar të gjitha mundësitë”
“Më shumë angazhime në bashkëpunim ekonomik, thellim të miqësisë me vendin mikpritës në nivelet komunale e kantonale, thellim të bashkëpunimit me diasporën, mbështetje e nxitje të diasporës për intensifikim të bashkëpunimit në mes veti, ngritje të imazhit të Kosovës në Zvicër…”. Këto janë disa nga prioritetet që i ka vënë vetes ambasadori i ri i Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli, i cili ka më pak se dy muaj që ka marrë postin.
Në intervistën për albinfo.ch, diplomati kosovar i karrierës, flet për nivelin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, për nevojën e thellimit të tyre por po ashtu edhe për problemet që i shkakton pandemia për të krijuar një pasqyrë më të thelluar të gjendjes në këto javë e muaj të parë të punës së tij në Zvicër.
© Rromir Imami, albinfo.ch
Albinfo.ch: Ardhja juaj në postin e ambasadorit në Zvicër ishte paralajmëruar nga fillimi i vitit, ndërsa ndodhi para afërisht dy muajve. A mund të përmendni ndonjë arsye të vonesës
Ambasadori, Sami Ukelli: Çështje teknike nga ana jonë, që nuk kanë te bëjnë me palën zvicerane. Gjërat e mira ndonjëherë kërkojnë durim dhe vijnë ngadalë.
Në këtë periudhë prej afër dy muajsh që jeni në Bernë, cilat kanë qenë punët e para që keni bërë?
Fillimi është vërtet një sfidë në vete qe kërkon angazhim në të gjitha drejtimet. Së pari kërkon një lloj analize të gjendjes apo pasqyrës së përgjithshme të misionit, një orientim dhe ambientim në mjedisin e ri. Pastaj vijnë edhe takimet njoftuese me institucionet relevante e kolegë të tjerë diplomatë, takime me përfaqësues të diasporës. Koha ikën shpejt.
Sigurisht jeni takuar me përfaqësues të shtetit mikpritës. Çfarë ka qenë pritja dhe ku janë fokusuar ata sa i përket bashkëpunimit me ju si ambasador i Kosovës?
© Rromir Imami, albinfo.ch
Me takimet fillestare të deritanishme që kam pasur, jam i kënaqur. Me Zvicrën na lidhin shumë gjëra. Kemi një komunitet të përbashkët që paraqet edhe një mundësi të mirë për të thelluar bashkëpunimin e ndërsjellë. Para disa ditësh kam dorëzuar letrat kredenciale e në javët e muajt në vijim do të eksplorojmë edhe fushat e bashkëpunimit sa i përket asaj se çfarë mund të bëjmë edhe ne së bashku nga këtu.
Zakonisht thuhet se Kosova me Zvicrën kanë marrëdhënie miqësore. Si i vlerësoni ju këto marrëdhënie, tani, si ambasador i Kosovës në Zvicër? Gjegjësisht, ku shihni nevojë për të punuar më tepër në këtë drejtim, apo ku e shihni potencialin për t`i ngritur ato në nivel edhe më të lartë?
Marrëdhëniet tona janë të mira, po sigurisht që gjithmonë ka hapësirë e mundësi të ngritjes së nivelit dhe të një dinamike të re në bashkëpunim. Mendoj se në fushën e bashkëpunimit ekonomik kemi ngecur e këtu do të duhej të fokusohemi më shumë e të kemi një qasje më serioze, duke eksploruar të gjitha mundësitë, aq më shumë që tani kemi nevoje për rimëkëmbje ekonomike në Kosove, në vitin tjetër. Është kohë pandemie e do të na duhet tu përshtatemi rrethanave të tanishme, me shpresë se do të kemi sa më pak të infektuar e viktima në të dy vendet derisa të jetë vaksina kundër COVID-19 e gatshme për të gjithë.
Nga çdo ambasador i ri pritet një qasje e re në raport me përfaqësimin e vendit në Zvicër. Çfarë mund të presim të re në strategjinë e punës suaj? A i keni evidentuar pikat ose çështjet që kërkojnë qasje ndryshe nga ajo e deritashmja apo ku ju do të fokusoheshit më shumë se paraardhësi juaj?
Në pika të shkurtra: më shumë angazhime në bashkëpunim ekonomik, thellim të miqësisë me vendin mikpritës në nivelet komunale e kantonale, thellim të bashkëpunimit me diasporën, mbështetje e nxitje të diasporës për intensifikim të bashkëpunimit në mes veti, ngritje të imazhit të Kosovës në Zvicër. Për momentin jemi duke punuar në rrethana që do të mund t`i quaja të jashtëzakonshme e që po na e vështirësojnë punën tonë të përditshme. Shumë gjëra janë të pamundshme të bëhen në kushte të tilla. Diplomacia jeton e ushqehet nga kontaktet sociale e interaksioni – një gjë që distanca sociale (“social distancing”) tani për tani po e pamundëson funksionimin e mirëfilltë. Siç e përmenda edhe më herët, diçka është evidentuar e diçka do bëhet e përshtatet me kalimin e kohës. Andaj e kam vështirë tani të paraqes ndonjë gjë më konkrete. Për momentin jemi të fokusuar në funksionalizim të misionit, përveç tjerash edhe në ngritje të kualitetit dhe të sigurimit të shërbimeve konsullore pranë Ambasadës, përkundër gjendjes së krijuar gjatë pandemisë.
Përfaqësimi diplomatik i Kosovës në Zvicër është pak më specifik nga ai në vendet tjera: Këtu jeton diaspora më e madhe e Kosovës për nga numri, së paku në raport me popullatën e vendit. Për këtë arsye, një pjesë të mirë të punës tuaj do ta zërë angazhimi me këtë diasporë. A keni pasur më herët njohuri ose kontakte me diasporën e këtushme? A keni vendosur lidhjet me përfaqësues të saj në Zvicër? Cilat janë këto kontakte?
E vërtetë që Zvicra është më specifike dhe kërkon një qasje më ndryshe. Kontakte kam pasur pak, njohuri pak më shumë. Disa nga ta kam arritur t`i takoj në ndërkohë. Në javët në vijim – në vartësi të situatës me pandemi – do të mundohem që të takoj sa më shumë përfaqësues për të pasur sa më reale gjendjen këtu dhe për të mësuar nga ta për zhvillimet e deritanishme e mundësitë e bashkëpunimit.
© Rromir Imami, albinfo.ch
Keni qenë për 5 vite ambasador i Kosovës në Austri dhe keni përvojat tuaja edhe me komunitetin kosovar/shqiptar të atjeshëm. Nga përshtypjet e deritashme në Zvicër, ku i shihni dallimet në mes të komunitetit tonë këtu dhe atje?
Komuniteti në Zvicër është shumëfish më i madh, është të themi një shkallë më i integruar dhe aktiv jo vetëm në gastronomi, ndërtimtari e zanate tjera por edhe në sektorin bankar, financa, patundshmëri e po ashtu, si e rëndësisë së veçantë, edhe në politikë. Në të dy vendet e përmendura kemi një komunitet të mirë e punëtor dhe mendoj se këto potenciale e mundësi që kanë duhet të shfrytëzohen.
Që nga hapja e përfaqësive të Kosovës (ambasadës dhe konsullatave) ka pasur ankesa se stafi vendor merr paga shumë të ulëta në raport me çmimet në Zvicër. A ka ndryshuar ndonjë gjë ndërkohë për të mirë dhe si është gjendja aktuale në këtë drejtim?
Me udhëzimin e ri administrativ për pagat e stafit lokal, në disa vende ku kemi përfaqësi diplomatike, nga fillimi i këtij viti është bërë një nivelim i pagave dhe përshtatje apo përafrim me standardin e jetesës, përfshirë edhe atë zviceran. Andaj lëvizje për të mirë ka pasur, por duhet pasur parasysh edhe kapacitetet e limituara financiare të Kosovës në këtë drejtim. Si shtet i ri e Ministri e re, kemi nevojë që nga raportimet për gjendjen e nga përvojat e krijuara te bëhen ndryshimet e duhura e këto marrin kohë. Por të gjitha këto janë të nevojshme për të pasur një staf të dedikuar që nuk lufton për mbijetesë, por është i fokusuar e i dedikuar t`i shërbejë misionit e shtetit kosovar.
Ambasadori i parë i Kosovës në Zvicër, si gjuhë komunikimi ka pasur frëngjishten, ambasadorja pas tij, anglishten dhe ju, gjermanishten. Sigurisht, përdorimi i këtyre gjuhëve është brenda rregullave diplomatike (frëngjishtja është po ashtu gjuhë vendi). Por, a pajtoheni se megjithatë ka një mungesë relative të kompetencës në gjuhën kryesore të vendit, në gjermanishte, në stafin e ambasadës dhe atë të konsullatave të Kosovës në Zvicër?
Realisht, për një diplomat, njohja e gjuhës angleze apo franceze do të duhej të mjaftonte në diplomaci për të bërë punën si duhet. Këtu është i rëndësisë së veçantë punësimi i stafit lokal mbështetës të duhur me njohuri të nivelit universitar të gjuhëve vendore; kjo na kthen sërish tek tema e pagës së stafit lokal, që është me rëndësi. Por gjithsesi, njohja e gjuhëve shtesë e të rëndësishme për ne siç është konkretisht gjermanishtja, është një aset që hapë shtigje të reja e lehtëson punë në vendet gjermano-folëse. Mendoj se në afat të shkurtër do të jetë e vështire të kompensohet në atë masë që të ketë mjaftueshëm përfaqësues që zotërojnë gjermanishten në nivel akademik, por si strategji afatmesme e Ministrisë, ka mundësi të shikohet edhe kjo mundësi e aftësimit të stafit me gjuhë të rëndësishme të disa vendeve evropiane që ne i konsiderojmë si partnerë strategjik.
Puna në kushte pandemie pamundëson funksionimin e mirëfilltë
Për momentin jemi duke punuar në rrethana që do të mund t`i quaja të jashtëzakonshme e që po na e vështirësojnë punën tonë të përditshme. Shumë gjëra janë të pamundshme të bëhen në kushte të tilla. Diplomacia jeton e ushqehet nga kontaktet sociale e interaksioni – një gjë që distanca sociale (“social distancing”) tani për tani po e pamundëson funksionimin e mirëfilltë
Biografia
© Rromir Imami, albinfo.ch
I lindur më në vitin 1972 në Podujevë, ambasadori Ukelli ka një bagazh të pasur arsimor e profesional prapa vetes. Studimet universitare i ka mbaruar në Universitetin e Linz-it në Austri ku ka marrë titullin magjistër i ekonomisë sociale. Pastaj ai ka mbaruar Programin Pasuniversitar në Studimet Ndërdisiplinore Ballkanike në Universitetin e Vjenës, Austri.
Para hyrjes në shërbimin diplomatik të Republikës së Kosovës, z. Ukelli ka punuar, veç tjerash si konsulent i bashkëpunimit zhvillimor multilateral për Agjencinë Austriake të Zhvillimit (ADA), Vjenë, për Departamentin britanik për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID), Zyrtar Desku në Ministrinë Austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, etj.
Austria e ka nderuar atë me dekoratën e madhe të nderit me brez ari për shërbimet ndaj Republikës së Austrisë.
Në shërbimin diplomatik të Republikës së Kosovës z. Ukelli ka filluar punën si ambasador i parë i vendit në Japoni, 2010-2012. Për të vazhduar pastaj me përfaqësimin e Kosovës në Hungari në vitet 2013-2015 dhe në Austri në periudhën 2015-2020. Ndërsa nga gushti i këtij viti, ai është emëruar në postin e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës, në Bernë.
- Intervista është zhvilluar në fillim të tetorit, për numrin aktual të revistës albinfo.ch Fotot: Rromir Imami
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?