Lajme

Ambasadori i ri austriak nis misionin në Shqipëri

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot ambasadorin e Austrisë, Christian Steiner, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale.

Presidenti Meta i ka uruar Steinerit suksese në misionin e tij në Shqipëri, në dobi të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.
Presidenti Meta ka falënderuar për mbështetjen që Austria vazhdon t‘i japë procesit të integrimit europian të Shqipërisë, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell Albinfo Austria.

Meta gjithashtu ka theksuar rëndësinë që ka angazhimi konstruktiv i çdo aktori institucional në detyrimet që ka për zbatimin e 15 prioriteteve të BE-së, që kushtëzojnë procesin e negociatave të anëtarësimit, përfshirë përfundimin sa më parë të reformës zgjedhore në Këshillin Politik dhe miratimin e saj në Parlament, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

“Realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, si dhe progresi i besueshëm në të 15 prioritetet e BE-së, do të ndihmonin edhe Austrinë të kishte argumente më shumë në favor të Shqipërisë në kuadrin e debatit në BE”, u shpreh presidenti Meta.

Meta ka falënderuar veçanërisht ambasadorin Steiner edhe për ndihmat dhe asistencën e ofruar nga autoritetet austriake pas tërmetit tragjik që goditi vendin tonë nëntorin e kaluar, si dhe ato për përballimin e pandemisë Covid-19.