Kosova

Ambasadori i Kosovës takon kryeministrin Xhaferi, rikonfirmohet vazhdimi i bashkëpunimit

Ambasadori i Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Florian Qehaja, ka shkuar sot në zyrën e kryeministrit të ri, Talat Xhaferi, me të cilin ka zhvilluar një takim zyrtar, përcjell albinfo.ch.

Nëpërmjet një njoftimi për media, bëhet e ditur se në takimin urues mes Qehajës dhe Xhaferit është rikonfirmuar vazhdimi i bashkëpunimit edhe në kapacitetin e ri në funksion të dinamizimit të agjendës bilaterale.

“Nga takimi urues i Ambasadorit Qehaja me Kryeministrin e ri Talat Xhaferi rikonfirmuam vazhdimin e bashkëpunimit edhe në kapacitetin e ri në funksion të dinamizimit të agjendës bilaterale. Të dyja vendet tona kanë vizion dhe vlera të qarta proevropiane, të cilat do të vijojmë t’i kultivojmë së bashku”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, krahat marrëveshjeve të mëparshme, pritet edhe zbatimi i marrëveshjes për krijimin e pikave të përbashkëta kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboqicë.

“Krahas një numri të madh të marrëveshjeve, presim me padurim zbatimin e marrëveshjes për krijimin e pikave të përbashkëta kufitare Hani i Elezit-Bllacë dhe Jazhincë-Glloboqicë, marrëveshje kjo e nënshkruar rishtazi nga të dyja Ministritë e Brendshme që pritet të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve”, thuhet më tej në komunikatë.