Lajme

Ambasadori i Kosovës në Austri: Qëndroni aty ku jeni, askush nuk do t’ju penalizojë

Të gjithë ju që keni nevojë urgjente të kontaktoni me Ambasadën e Kosovës në Austri, këtë mund ta bëni në adresën elektronike: [email protected] apo në numrin emergjent të Ambasadës: +43 664 2233409

Ambasadori i Repulikës së Kosovës në Austri, Lulzim Pllana u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës me qëndrim në Austri që të mos lëvizin nga vendi ku jetojnë, por të kujdesen për veten, familjen dhe komunitetin. Pllana, në një intervistë për albinfo.ch ka thënë se pavarësisht skadimit të vizave, asnjë qytetar i Kosovës nuk do të penalizohet nga autoritetet austriake. Tutje, ai ka folur edhe se ku dhe si duhet të paraqiten të gjithë ata që kanë raste emergjente për të shkuar në Kosovë.

albinfo.ch: I nderuar zt. Ambasador. Në këtë kohë të “luftës” me koronavirusin, shumë vendpunime janë të mbyllura në Austri. Si po ia dilni ju dhe si jeni të koordinuar për të qenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri?

Ambasadori Lulzim Pllana: Ju faleminderit për pyetjet dhe mundësinë, por edhe për angazhimin e juaj në këtë situatë të jashtëzakonshme dhe emergjente për të gjithë ne.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë në koordinim me institucionet e Kosovës dhe ato austriake është e përkushtuar maksimalisht në menaxhimin e situatës aktuale duke dhënë përgjigje në çdo pyetje apo kërkese të qytetareve tanë në Austri. I gjithë stafi diplomatik dhe konsulli, nga zyra dhe shtëpitë tona, jemi në gjendje gatishmërie në këtë situate. Kemi numrin emergjent që qytetaret mund t’i drejtohen për problemet me situatën, poashtu E-mailat edhe me rrjetet sociale përgjigjemi dhe përçojmë mesazhet e institucioneve kosovare dhe vendit pritës lidhur me aktualitetet dhe masat e parandalimit të virusit covid-19.

Cilat janë kërkesat më të mëdha të qytetarëve që kërkojnë ndihmën apo shërbim nga Ambasada e Kosovës në këtë situatë emergjente?

Kërkesat më të mëdha nga thirrjet dhe shkresat që kemi marrë deri më tani, kanë të bëjnë me leje qëndrimin, tejkalimin e afatit te vizës, kthimin në Kosovë apo dhe kalimin transit nëpërmjet Austrisë. Qytetarët e lajmëruar që gjenden në Austri për vizitë tek familjarët, apo qëndrim pune, studimi etj., që me shfaqjen e virusit COVID-19 dhe masat e marra në Austri, kanë shfaq brengat se çka mund të ndodh pas afatit të skadimit të vizës. Ne jemi këtu për të gjithë ata dhe në kontakt me autoritetet austriake dhe i sigurojmë që nuk do të penalizohen në rast të tejkalimit të vizës deri në një situatë të re.

Si bëhet transporti i udhëtarëve të cilët dëshirojnë apo obligohen të kthehen në Kosovë?

Ambasada ka bërë thirrje që nëpërmjet numrit emergjent dhe E-Mailit të ambasadës të lajmërohen, që në raste të kthimit eventual, të jemi të koordinuar dhe në bashkërendim me Ministrinë e Punëve te Jashtme dhe Diasporës, Ministrinë e Transportit në Prishtinë dhe me autoriteteve austriake të bëjmë transportin e tyre për në Kosovë. Por, jemi ende në fazën e përfundimit të listës dhe të informimit të qytetareve tanë lidhur me procesin e kthimit dhe masat e karantinimit në Kosovë. Ne, duhet të informojmë qytetarët që me arritjen në Kosovë, për 14 ditë rresht do të duhet të qëndrojnë mbyllur, në karantinë, me distancë fizike. Unë, shfrytëzoj rastin t’iu bëj thirrje dhe i lus qytetarët tanë të jenë të durueshëm, të qëndrojnë në vendet ku janë deri në përmirësimin e situatës dhe këshillave të autoriteteve austriake. Vetëm kështu mund të kontribuojmë në parandalimin e virusit. Natyrisht, për raste emergjentë, të na kontaktojnë neve.

Në cilat raste ka kërkesa më të mëdha për të udhëtuar për në Kosovë?

Kërkesat për tejkalimin e vizës, apo bashkimin familjar në Kosovë. Këtu duhet të jemi të vetëdijshëm që jemi në situatë emergjente dhe të reagojmë konformë situatës duke i respektuar rregullat për parandalimin e virusit. Duhet të respektojmë masat që në raste transporti qytetarët mos të preken nga virusi, dhe për këtë janë vënë masat e karantinimit. Ka zgjidhje edhe për shtyrjen e vizave apo leje qëndrimit te tyre në Austri. Vetëm të qëndrojnë brenda, të respektojnë masat e autoriteteve lokale dhe ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta.

Në raste jo të zakonshme apo ndonjë vdekje natyrore (jo nga koronavirusi) dhe që familjarët dëshirojnë që varrimi i të ndjerit të bëhet në Kosovë, a është e mundur kjo?

Shërbimi ynë konsullor është aktiv me numrin emergjent dhe në raste të tilla ofrojmë këshilla se si duhet të veprojmë edhe në situatë të jashtëzakonshme. Faktori ‘kohë’ është tejet i rëndësishëm në këto raste. Jemi në situatë krejtësisht tjetër, emergjente, dhe familjarët duhet t’u përmbahen rregullave të institucioneve të Kosovës dhe të vendit pritës.

Zoti Ambasador, a keni ndonjë informacion, a ka të prekur nga komuniteti ynë shqiptarë në Austri nga koronavirusi?

Deri më tani nuk kemi informacione, që nga qytetarët tanë të ketë ndonjë të prekur me virusin Covid-19.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë shtetasit e Kosovës në Austri?

Mesazhi im i parë është: Ju lutem qëndroni brenda në vendet ku jeni dhe kujdesuni për veten, familjet dhe komunitetin duke i respektuar edhe rregullat e autoriteteve lokale deri në tejkalimin e situatës.

Mos të bëjmë panik, por kujdes të shtuar, sepse me vëmendje dhe kujdes do të tejkalojmë situatën.

Jemi për ju këtu dhe ne dispozicionin tuaj! Na përcjellni edhe ne rrjete sociale, sidomos përmes faqes sonë në “Facebook”.

Dhe për fund, një falënderim edhe institucioneve, shtetit austriak për gjithë angazhimin, bashkëpunimin dhe masat e marra në parandalimin e virusit.

Të gjithë ju që keni nevojë urgjente të kontaktoni me Ambasadën e Kosovës në Austri, këtë mund ta bëni në adresën elektronike: [email protected] apo në numrin emergjent të Ambasadës: +43 664 2233409