Kosova

Ambasadori Greiçevci dorëzoi letrat kredenciale tek Mbreti i Holandës

Mbretëria e Holandës është vendi i 23-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ambasadori i Kosovës, Lirim Greiçevci, i ka dorëzuar Letrat Kredenciale Mbretit të Holandës, Willem-Alexander. Ceremonia në Pallatin Mbretëror në Hagë filloi me intonimin e himnit të Kosovës nga orkestra mbretërore dhe inspektimin e gardës mbretërore nga Ambasadori Greiçevci. Ambasadori më pas dorëzoi Letrat Kredenciale dhe zhvilloi një takim me Mbretin e Mbretërisë së Holandës. Me këtë rast, duke përcjellë përshëndetjet e Presidentit Thaçi, ai shprehu falënderim të veçantë për mbështetjen e Holandës dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve. Greiçevci premtoi se do të angazhohet për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale.

Në këtë ceremoni, Ambasadori u shoqërua nga bashkëshortja si dhe diplomatët e ambasadës. Në shkurt të vitit të ardhshëm, Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës shënon 10 vite nga hapja e saj. Mbretëria e Holandës është vendi i 23-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës.