Shqipëria
Ambasadori Gjoni: Shqipëria, e gatshme të mirëpresë turistët
“Duke qenë të ndërgjegjshëm për situatën ku ndodhemi, objektivi ynë është garantimi i sigurisë së jetës së pushuesve, por dhe ofrimi i Shqipërisë si destinacion i sigurt e atraktiv në vijimësi”
Pushimet verore janë në prag. Pas pothuaj një viti e gjysmë nën masat e imponuara nga pandemia, kemi një kthim, ndonëse të matur, drejt normalitetit. Të gjithë janë të etur për të pushuar, duke kompensuar kështu dhe mungesën e pushimeve të mirëfillta gjatë periudhës së deritashme. Në këtë atmosferë, edhe shqiptarët e Zvicrës po bëjnë planet e tyre për pushimet verore dhe, në këto plane, si zakonisht “nuk bën të mungojë” Shqipëria.
Për të mësuar më shumë rreth përgatitjeve që Shqipëria ka bërë për pritjen e turistëve (jo vetëm shqiptarë), albinfo.ch ka intervistuar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ilir Gjoni.
Albinfo.ch: Ndonëse Shqipëria dhe shumë vende të tjera të Evropës e botës po marrin frymë ca më lirshëm, ende ndodhemi në pandemi. Shqipëria tashmë ka nisur “ofensivën” për joshjen e turistëve nga jashtë. Çfarë përmban oferta turistike e Shqipërisë këtë vit dhe çfarë e dallon atë nga ajo e vitit të kaluar ose edhe e viteve të mëparshme?
Ilir Gjoni: Pikësëpari më lejoni të ju falënderoj juve si media dhe ndjekësit tuaj për mundësinë që më ofroni që përmes platformës tuaj të parashtroj disa informacione, në gjykimin tim, të vlefshme sa i përket organizimit të sezonit të ri turistik në Shqipëri. Siç jeni në dijeni, ka disa vite që Shqipëria është kthyer në një destinacion tërheqës turistik duke kulmuar në 2019 me mbi 5 milionë turistë. Fatkeqësisht, për shkak të pandemisë, ky proces u ndërpre gjatë vitit të fundit. Në kushtet e rihapjes dhe përgatitjeve për sezonin e ri turistik, duke pasur parasysh situatën aktuale, ndër hapat më domethënës të ndërmarrë nga qeveria janë ato që lidhen në radhë të parë me garantimin e shëndetit të pushuesve. Politika e zhdërvjellët e ndjekur sidomos sa i përket vaksinimit masiv të popullsisë në tërësi dhe në veçanti të operatorëve turistikë, (Në muajin maj përfundoi vaksinimi i punonjësve të strukturave akomoduese, ndërkohë që është në proces dezinsektimi në zonat bregdetare dhe hapja e qendrave shëndetësore verore) përcaktimi i protokolleve të rrepta e të qarta sa u përket masave parandaluese për përhapjen e sëmundjes, janë vetëm disa prej masave konkrete që vendi ynë ka ndërmarrë. Pa dyshim edhe një politikë e pragmatiste e përgjegjshme sa i përket hapjes së kufijve në një kohë kur të gjithë ishin mbyllur shoqëruar me një kontroll rigoroz brenda vendit.
Albinfo.ch: Cilat janë aktualisht kriteret që duhet përmbushur për të hyrë në Shqipëri, respektivisht, për të kaluar pushimet verore atje? Ka ende nevojë për ndonjë test ose është hequr fare detyrimi i testit?
Ilir Gjoni: Siç e cilësova më sipër, për të hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk është i nevojshëm asnjë test. Po ashtu siç e nënvizova më parë, në Shqipëri, Komiteti Shkencor Teknik dhe strukturat që mbulojnë çështjet e shëndetit publik, kanë përcaktuar protokolle të qarta e strikte si për operatorët turistikë ashtu dhe turistët duke vendosur një balancë mes garantimit të shëndetit publik dhe sigurimit të pushimeve sa më të këndshme për ata që kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri. Në rastin e pushuesve që vijnë nga Zvicra janë të njëjtat kushte, pra nuk ka nevojë për test apo karantinim dhe, sipas vendimeve më të fundit të Departamentit Federal për Shëndetësinë, edhe kur kthehen nga Shqipëria ata nuk do të duhet t`i nënshtrohen karantinimit, pasi autoritetet zvicerane nuk e kanë përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve që paraqesin rrezik.
Albinfo.ch: Si është gjendja me masat e sigurisë, të cilave duhet përmbajtur atje, në vend, në rrethanat kur megjithatë, ende jemi në pandemi?
Ilir Gjoni: Duke qenë të ndërgjegjshëm për situatën ku ndodhemi, objektivi ynë është garantimi i sigurisë së jetës së pushuesve, por dhe ofrimi i Shqipërisë si destinacion i sigurt e atraktiv në vijimësi. Për rrjedhojë, janë në funksionim protokolle të posaçme që garantojnë parandalimin e përhapjes së sëmundjes me të cilat janë familjarizuar dhe të cilat janë të detyrueshme për të gjithë operatorët turistikë brenda dhe ata jashtë vendit që operojnë me Shqipërinë. Këto protokolle apo masa janë të publikuara gjerësisht në portalet zyrtare të institucioneve të shtetit shqiptar, përfshirë dhe përfaqësitë diplomatike jashtë, me to janë njohur të gjitha kompanitë e udhëtimit qofshin ajrore, tokësore apo detare dhe zbatimi rigoroz i tyre monitorohet nga Task Forca e krijuar enkas me specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Turizmit dhe struktura të tjera të specializuara të institucioneve shtetërore shqiptare.
Albinfo.ch: Cili është “target grupi” që synon më shumë turizmi shqiptar kësaj vere dhe cili është grupi që realisht pritet të popullojë më shumë plazhet dhe vendpushimet e tjera shqiptare këtë verë?
Ilir Gjoni: Tashmë turizmi në Shqipëri nuk funksionon vetëm me turizmin që sigurohet nga lëvizjet e brendshme dhe ato të rajonit, por në Shqipëri kemi turistë që vijnë nga vendet e huaja, të organizuar. Nga vendet e BE që është edhe turizmi më i organizuar dhe që janë ndër burimet kryesore të turizmit në Shqipëri.
Sipas informacioneve nga operatorët turistikë shqiptarë, tregu polak është dhe ka qenë tregu më “besnik” i pranishëm në gjithë territorin Shqiptar. Si në vitin e kaluar, po ashtu edhe sivjet, madje me rritje në numrin e prurjeve. Një gjë e ngjashme mund të thuhet dhe për turistët çekë apo për tregun ukrainas që është po ashtu prezent, por në numër më të vogël prurjesh. Nga tregjet shqiptare, pa dyshim, më prezent është tregu kosovar. E një rëndësie të veçantë për turizmin shqiptar është dhe diaspora shqiptare e cila pritet të jetë e pranishme përgjatë gjithë territorit shqiptar. Vlen për tu theksuar se politika e hapjes së kufijve dhe heqja e kufizimeve për hyrje – dalje nga territori i Shqipërisë provoi të ishte një politikë pragmatiste e cila në një farë mënyre dha efektet e saj shprehur në faktin që i mundësoi Shqipërisë të fitonte një treg të ri – atë të rajonit, duke pritur shumë më tepër serbë, maqedonas, malazezë etj. Po ashtu Izraeli ka nisur të fluturojë në Shqipëri.
Albinfo.ch: A mund të flitet për përgatitje specifike që ka bërë dega e turizmit në Shqipëri për të joshur edhe turistë të huaj, ata me më shumë kërkesa? Ka ndonjë ndryshim në këtë drejtim në krahasim me vitet e kaluara?
Ilir Gjoni: Në kushtet e pandemisë pa dyshim që në hartimin e strategjisë së turizmit janë mbajtur parasysh disa elementë të cilat pashmangshëm ndërthuren me njëri tjetrin dhe në ta mund të përmenden pikësëpari ato çka kam theksuar më lartë, d.m.th. garantimi i shëndetit përmes masave konkrete, element ky i rëndësishëm për aspektin psikologjik dhe jo vetëm të pushuesve. Askush nuk do të ndërmerrte një aventurë turistike pa pasur garancinë e ruajtjes së shëndetit. Në anën tjetër, po punohet intensivisht për të rritur nivelin dhe cilësinë e shërbimeve dhe të ofertës turistike duke e diversifikuar atë. Në nivel ministror kemi progres në çështjet e legjislacionit si atë detar, por edhe atë të certifikimeve, pra licencimi në lidhje me aktivitete të cilat lidhen me detin janë bërë më të qarta, më korrekte, por edhe më të sigurta. I një rëndësie të veçantë është edhe garantimi i lidhjeve mes vendeve të origjinës dhe destinacionit, Shqipërisë. Numri në rritje i linjave ajrore që lidhin kryesisht vendet e Europës, por jo vetëm, me Shqipërinë ka ardhur në rritje eksponenciale. Mjafton të përmendim faktin e Zvicrës ku, siç e dini, deri para dy vitesh nuk kishte një linjë direkte fluturimi nga Zvicra në Shqipëri, sot kemi tre operatorë të cilët lidhin pothuajse çdo ditë Zyrihun, Bazelin dhe Gjenevën me Tiranën.
Albinfo.ch: Shqipëria ka shumë çfarë t’u ofrojë turistëve, edhe përtej bregdetit të saj. Sa është realist synimi që turistët të orientohen më shumë në destinacione të tjera, në brendi të vendit, dhe a është punuar ndonjë gjë që të arrihet kjo?
Ilir Gjoni: Jemi të ndërgjegjshëm se ende jemi një vend në zhvillim të resorteve turistike, në zhvillim të ofertës turistike. Jemi akoma një vend që ka nevojë shumë më tepër investime në hoteleri, shumë më tepër investime në infrastrukturë dhe shumë më tepër investime për përgatitje të njerëzve për destinacionet turistike.
Gjithsesi, Shqipëria ka shumëçka që mund të ofroje dhe kjo është një prej pluseve të pandryshueshëm. Fakti që bregdeti ndodhet vetëm dy orë nga zonat malore përben sens dhe alternativa. Tipologjitë e zonave të ndryshme pasurojnë produktin, si dhe kategoritë e ndryshme të turistëve mund të zgjedhin këtë destinacion pikërisht edhe falë këtyre veçorive. Shembull më i mirë për këtë janë turistët zviceranë të cilët janë dhe perkursorët e organizimit të turizmit malor në Shqipëri, duke e ndërthurur atë me turizmin detar apo kulturor në tërësi.
Albinfo.ch: Sikur edhe deri tani, pjesën më të madhe të turistëve pritet ta përbëjnë ata nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare. Ndërsa, paralelisht me ta, edhe mërgimtarët në Perëndim që vijnë nga këto troje. Këtë turizëm, sidomos atë të mërgimtarëve, shpeshherë e quajmë “turizëm patriotik”. A mendoni se krahas përmbushjes së motivit patriotik, Shqipëria tashmë është në gjendje që t`u ofrojë këtyre të fundit edhe kushte dhe mikpritje solide?
Ilir Gjoni: Pa dyshim që turizmi i diasporës është shumë i rëndësishëm, pavarësisht epiteteve që i vihen. Në gjykimin tim ardhja e shqiptarëve nga të gjitha trojet për të pushuar në Shqipëri nuk ka thjesht dhe vetëm objektiv atë të shpenzimit të disa shumave në të holla, por ajo çka është më e rëndësishme është mbajtja e lidhjeve të ngushta me vendin amë, njohja e tij sidomos ndër brezin e ri i cili ka lindur e jeton në vende të tjera, por që ka një dëshirë të zjarrtë që përveç se të shijojë detin, ngrohtësinë e miqësisë, lidhjeve familjare të gjurmojë rrënjët e veta, të njohë më mirë kulturën, zakonet, traditat e ti mbajë gjallë ato. Në këtë kuptim ky mund të quhet “turizëm patriotik”.
Tregu kosovar dhe ai i diasporës, me rëndësi të veçantë
Nga tregjet shqiptare, pa dyshim, më prezent është tregu kosovar. E një rëndësie të veçantë për turizmin shqiptar është dhe diaspora shqiptare, e cila pritet të jetë e pranishme përgjatë gjithë territorit shqiptar.
Më shumë linja ajrore Zvicër-Shqipëri
Numri në rritje i linjave ajrore që lidhin kryesisht vendet e Europës, por jo vetëm, me Shqipërinë, ka ardhur në rritje eksponenciale. Mjafton të përmendim faktin e Zvicrës ku, siç e dini, deri para dy vjetësh nuk kishte një linjë direkte fluturimi nga Zvicra në Shqipëri, sot kemi tre operatorë, të cilët lidhin pothuajse çdo ditë Zyrihun, Bazelin dhe Gjenevën me Tiranën.
Polakët prijnë, ndër turistët e huaj
Sipas informacioneve nga operatorët turistikë shqiptarë, tregu polak është dhe ka qenë tregu më “besnik” i pranishëm në gjithë territorin shqiptar. Si në vitin e kaluar, po ashtu edhe sivjet, madje me rritje në numrin e prurjeve. Një gjë e ngjashme mund të thuhet dhe për turistët çekë apo për tregun ukrainas që është po ashtu prezent, por në numër më të vogël prurjesh.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?