Sipas medias në Slloveni, Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te Kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting.
Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
Por, këto akuza i ka mohuar ambasadori Berishaj, i cili ka thënë se të njëjtave do t’u përgjigjet me padi për shpifje. Sipas tij, përmes kësaj padie do ta mbrojë drejtësinë dhe të vërtetën.
“Shpifjet nuk kalojnë! Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesor politikë, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet Tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit ne fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit të gjykatës”, ka shkruar ambasadori Berisha në llogarinë e tij në Facebook.
Martin Berishaj është emëruar ambasador në Kroaci, vetëm 4 muaj pasi presidentja ia kishte dhënë shtetësinë e Kosovës, krahas asaj të Malit të Zi që e mbante.