Integrimi

Ambasadori amerikan dhe ai izraelit, në iftarin e shtruar nga Shtëpia e Religjioneve

"Shtepia e religjioneve është një vend ku bashkëjetojnë fe të ndryshme, po kur eshte koha e festave fetare, atehere jemi të gjithë një, sepse festojmë se bashku, që është një mesazh shumë i mirë, e që duhet përçuar tutje"

Iftari ndërfetar në Shtëpinë e Religjioneve në Bernë,  tashmë është bërë tradicional.  Edhe kësaj radhe,  të ftuar të shumtë nga religjione të ndryshme ishin mbledhur në xhami,  pranë kësaj qendre, me ç`rast, si zakonisht disa nga të ftuarit mbajtën edhe ca fjalime përshëndetëse.

Mustafë Memeti

Në cilësinë e nikoqirit, Imami i kësaj xhamie, Mustafë Mehmeti, përshëndeti të pranishmit që vinin nga religjione të ndryshme. albinfo.ch ka qenë e pranishme në këtë aktivitet.

Duke shprehur komoditetin e komunitetit mysliman si pjesë e Shtëpisë së religjioneve, ndër të tjera theksoi se Feja Islame kërkon nga ne që të promovojmë paqen dhe solidaritetin mes njerëzve, e po ashtu duhet të jemi së bashku kundër fanatizmit, fundamentalizmit e ekstremizmit.

Edhe drejtoresha e Shtëpisë së religjioneve në Bernë, Regula Mader, vlerësoi lartë rëndësinë e kësaj qendre në krijimin e tolerancës ndërfetare.  Ajo potencoi se Shtepia e religjioneve është një vend ku bashkëjetojnë fe të ndryshme, po kur eshte koha e festave fetare, atehere jemi të gjithë një, sepse festojmë se bashku, që është një mesazh shumë i mirë, e që duhet përçuar tutje.

© 2018 ALBINFO.CH

 I pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan në Bernë, Edward T. McMullen Jr, e që ishte hera e parë që vizitonte Shtëpine e Religjioneve.

Ai me këtë rast theksoi se Ramazani është një kohë lutjesh edhe adhurimit, bamirësisë e vetë reflektimit shpirtëror, e po ashtu edhe kujtim për vlerat e përbashkëta që ndajmë me njëri tjetrin.

 Sikurse vitin e kaluar, edhe kësaj radhe, prezent ishte edhe ambasadorit izraelit në Bernë, Jakob Keidar.

© 2018 ALBINFO.CH

Ambasadori Keidar, duke cituar disa ajete nga Kurani, vuri në pah rëndësinë që ka muaji i shenjtë i Ramazanit. Ai veç tjerash tha se gjatë këtij muaji tregohet përkushtimi ndaj Zotit, ndërsa ka folur edhe për aspektet tjera pozitive që sjell ky muaj.

Ambasadorja, Nazane Breca

Pastaj fjalën e mori edhe ambasadorja e Kosovës në Zvicër, znj. Nazane Breca, e cila tha se besimi në Zot është një ndjesi individuale, prandaj është e rëndësishme që të gjithë bashkërisht  të përpiqemi të kultivojmë frymën e tolerancës midis shoqërive dhe besimeve. Duke qenë mëse krenare,  ajo nuk la pa përmendur edhe shembullin e kombit shqiptar,  i cili shquhet në botë për tolerancën shekullore ndërfetare.

I ftuar për të marrë fjalën ishte edhe drejtori i Platformes Albinfo.ch, dr. Bashkim Iseni, i cili vuri në pah që bota ka nevojë edhe të krijojë ura mes religjioneve, e jo vetëm të rrëzojë mure.

Ai po ashtu theksoi se duke pasur në mesin e vet shumë myslimanë nga Ballkani e veçanërisht shqiptarët, te të cilët harmonia fetare ka traditë shekullore, Zvicra ka një mundësi shumë të mirë, që këtë harmoni mes religjioneve ta shfrytëzojë për vete.

© 2018 ALBINFO.CH

Pas fjalimeve, erdhi edhe koha e Iftarit, apo koha e prishjes së Agjerimit, ku për të pranishmit u shërbyen hurma, e më pas edhe u kryen lutjet e mbrëmjes.

© 2018 ALBINFO.CH

Për mysafirët, më pas u shtrua një darkë me ushqime të lloj-llojshme.

Një grup të rinjësh zviceranë, të cilët po shijonin ushqimet e shijshme, deklaruan se ngjarje të tilla duhet të ketë më shumë,  sepse kjo eshtë një mënyrë, që kontribuon në mënyrë shumë të mirë në tolerancën mes njerëzve, pa marrë parasysh besimit të cilit i takojnë.

© 2018 ALBINFO.CH