Kosova

Alvin Karaqi, një kampion i madh i karatesë dhe mjek ambicioz në Zvicër

Alvin Karaqi, bartësi i shumë titujve ndërkombëtarë në karate, është duke specializuar në Kirurgjinë Ortopedike dhe Traumatologjike në Kantonspital Aarau

Alvin Karaqi në vitin 2023 u shpall kampion i karatesë në Evropë, kur fitoi medaljen e Artë për Shqipërinë. I lindur në Köln të Gjermanisë, si fëmijë u kthye me prindërit në Prishtinë, të cilët u angazhuan që ai të merrte drejtimin si sportist. Ngase i pëlqente artet marciale, Karaqi qysh në moshë të vogël filloi stërvitjet për t´u bërë kampion i karatesë. Me të realizuar këtë ëndërr, ai vendosi të ndjekë një pasion tjetër të tij, kirurgjinë. Sot, Alvin Karaqi është duke specializuar në Kirurgjinë Ortopedike dhe Traumatologjike në Kantonspital Aarau. Në një intervistë për albinfo.ch, ai ka treguar rreth angazhimeve të tanishme të tij.

Rrugëtimin e tij drejt shpalljes kampion evropian në karate, Alvin Karaqi e përshkruan si rrugë të gjatë, me sfida, lëndime, e dëshpërime, por me një përmbyllje të lumtur. Ai tregon se pikërisht lëndimi që pati në gju në vitin 2017, në aktivitetet e karatesë në Turqi, dhe pastaj situata e krijuar gjithandej nga pandemia e Covid-19, ishin disa nga sfidat që e prekën atë personalisht. Sidomos, lëndimi në gju, ishte ajo që e shtyu kampionin që sot të specializojë për Kirurgji Ortopedike.

“Rrugë shumë e gjatë me shumë sakrificë, lëndime dhe dëshpërime por në fund me njerëzit e duhur. Jam rritur duke ushtruar me kampionë të mëdhenj, si Orges Arifin, Blodin Pakashticën e shumë të tjerë kolegë të Klubit e Kombëtares. Sfidat kryesore kanë qenë rikthimi nga lëndimi e pastaj edhe pauza e gjatë në fazën e Covidit. Në aspektin personal është një përmbushje falënderimi ndaj trajnerëve për durimin e mësimet, kolegëve për djersën e përbashkët, familjen, bashkëshorten dhe shoqërinë që kanë bashkëndjerë çdo fitore e humbje timen. Në aspektin profesional përbën zyrtarisht titullin më të lartë në sportin e Karatesë për Shqipërinë dhe Kosovën. Medalja ime e Lojërave Olimpike Evropiane është medalja e parë e këtij lloji për Ekipin olimpik të Shqipërisë dhe kjo fitore më dha epitetin e Sportistit të vitit 2023 dhe Medaljen e Nderit në Shqipëri”, ka thënë ai.

Zhvendosja në Zvicër për specializim në kirurgji

Edukimin universitar Alvin Karaqi e përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme, në Universitetin e Prishtinës, kurse më pas u zhvendos në Zvicër për specializim në Kirurgjinë Ortopedike dhe të Traumatologjisë. Një nga arsyet pse ai zgjodhi këtë shtet, është ardhja e shpeshtë për trajnime me trajnerin e tij, Fehmi Mahalla.

Kurse, arsyeja e dytë ishte lëndimi që ai pësoi në gju. Kjo, bëri që Karaqit t´i shtohej dëshira për t´u bërë kirurg dhe për të arritur në pikën që ai të ndihmojë sportistët e tjerë.

“Zvicrën në karrierën time e kam vizituar dhjetëra herë për arsye të garave, por edhe për përgatitje për garat në kampe të gjata tek trajneri im dhe karateisti më i suksesshëm zviceran, kampioni i Evropës, Fehmi Mahalla. Kështu që kisha një afinitet ndaj këtij shteti, sidomos qytetit të Lozanës. Në anën tjetër Zvicra njihet si shtet me histori të artë të ortopedisë e traumatologjisë, kështu që si një karrierist që jam, ndjeka Zvicrën për shkollimin tim specialistik.

Pasi e gjithë jeta ime ka qenë një balancë mes karatesë dhe shkollimit, në Zvicër pata fatin të kem klubet e duhura afër që me pak përshtatje, të vazhdoj karatenë paralelisht me punën si mjek. Vulën synimit tim ia dha lëndimi im i gjurit, i cili u desh të operohej. Desha të bëhem unë ai që i kthen pacientët e lënduar, e sidomos sportistët në gjendjen e mëparshme, ashtu si më kthyen mua”, sqaron Karaqi.

Sfidat nga angazhimi në dy karriera, si mjek dhe si karateist

Angazhimet e përditshme të Alvinit përfshijnë një punë intensive në fushën mjekësore dhe stërvitje të përditshme për të mbajtur veten në formë. Pas përfundimit të punës mjekësore, ai vazhdon me stërvitjet në karate, duke treguar se fundjava dhe ditët e lira janë të dedikuara për vizita në Lozanë tek trajneri i tij dhe për aktivitete të përbashkëta me shqiptarë të suksesshëm në Zvicër.

“Në kohën e përgatitjeve intensive dita ime ka rutinën e vet: Ushtrimet e mëngjesit për forcë dhe kondicion, që i filloj rreth orës 5 mëngjes. Punën e filloj diku rreth orës 06:30-06:45 dhe e përfundoj në orën 17:45 (në përjashtim të kujdestarive), vazhdoj rrugën për stërvitjet e karatesë dhe kthehem në shtëpi pas stërvitjes së dytë. Vikendet dhe ditët e lira nga puna i kaloj në Lozanë tek trajneri im Fehmi Mahalla dhe familja e tij. Po ashtu takohemi me shqiptarë tjerë të suksesshëm të Zvicrës në Lyss tek Shqiprim Salihu, Bejtush Fetija, Kreuzlingen tek Elson Kabashi, në Herisau Bekë Bekteshi“, shton ai.

Menaxhimi i dy karrierave ka kërkuar shumë sakrifica dhe përkushtim. Karaqi pranon se lodhja fizike dhe psikike është e pashmangshme.

„Sfidat janë mungesa e pushimit të mjaftueshëm, pasi puna ime ditore është intensive psikikisht dhe fizikisht. Mungesa e kohës mjaftueshme, sidomos për prindërit dhe bashkëshorten. Koha me shoqërinë por edhe për veten. Të gjitha i kam arritur me vullnet, sakrificë dhe përkrahje nga njerëzit që më duan. Prandaj edhe ua kushtoj këto rezultate. Empatia që kam për pacientët e mi, sidomos sportistët, me bën mjek të veçantë. Disiplina dhe qetësia në punë vijnë nga karateja, ndërsa njohja e trupit tim dhe shëndetit vjen normalisht nga mjekësia“, thotë ai.

Mes pensionimit dhe vazhdimit të karrierës

“Ditët e lira mundohem t’ia kushtoj bashkëshortes, familjes dhe kohës me shoqëri. Kur jam vetëm, e kaloj kohën duke shikuar dokumentarë historikë dhe shkencorë, filma të ndryshëm dhe seriale, e më e rëndësishmja, në gjumë. Por mos të harrojmë, që profesionet (karate dhe kirurgji) i kam pasion“, thotë Karaqi, kur tregon për kohën e lirë të tij.

Në këtë periudhë, ai duhet të marrë një vendim nëse do t´i përkushtohet vetëm karrierës si mjek, apo të vazhdojë edhe si karateist. Megjithatë, Karaqi mbetet i palëkundur në planet e së ardhmes. Ai planifikon të organizojë seminare të karatesë në Zvicër, Francë, Shqipëri e Kosovë, që t´u ndihmojë të rinjve të cilët duan të marrin këtë rrugë.

Sa i përket mjekësisë, ai po punon në disa publikime shkencore dhe si plan afatgjatë, e sheh kontributin e tij kirurgjik edhe në Kosovë e Shqipëri.

„Suksesi vonon, por vjen!“

Kur flet për të rinjtë shqiptarë, ai i këshillon që të fokusohen tek qëllimet e tyre.

“Unë i këshilloj të binden për qëllimet e tyre, të japin maksimumin në atë që e bëjnë pa marrë parasysh problemet, të programojnë kohën e tyre dhe mos të harrojnë të ndajnë kohë të lirë për vete. Këto vlejnë në dy fushat. Suksesi mund të vonohet, por vjen! E në fund mos t’i harrojnë ata që ishin afër atëherë kur nuk kishin asgjë“, thotë ai.

 I pyetur se ku e ndjen veten më shumë „si në shtëpi“, meqë ka jetuar në periudha të ndryshme mes Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës, Karaqi thotë: „Nuk janë shtetet që më japin shtëpi, janë njerëzit. E ata fatmirësisht i gjej në shumë vende!“