Integrimi

Albinfo.ch online&print, në një mbrëmje Gala zgjedh Personalitetet e Vitit 2022

Ndarja e këtij çmimi ka rëndësi për faktin se Albinfo.ch online&print është kronisti më besnik i të gjitha zhvillimeve të komunitetit shqiptar të Zvicrës

Atmosfera ishte perfekte për një mbrëmje gala, por dhe me përmbajtje brenda saj: platforma Albinfo online&print ndante çmimet për Personalitetet që kanë shënjuar Vitin 2022 në komunitetin shqiptar të Zvicrës. Dhe, kësaj here modestinë anash, kur ky medium ndan çmimin në fjalë, kjo ka peshën e vet, sepse Albinfo.ch online&print është  kronisti më besnik i të gjitha zhvillimeve të këtij komuniteti.

Në sallën e rregulluar bukur të restorantit elitar të Cyrihut “Metropol” gjithçka funksiononte si duhej, përfshirë këtu edhe atë “glamurin” e kërkuar në raste si ky. Muzika e zgjedhur me shije, e interpretuar nga grupi “String String”, i ardhur nga Prishtina, bënte “kolonën muzikore” të qëlluar për ambientin e mbrëmjes.

Në këtë atmosferë, moderatorja e mbrëmjes, Alisa Buzhala, ftoi disa nga mysafirët e lartë të mbrëmjes që ta merrnin fjalën.

I pari i është drejtuar publikut drejtori i platformës albinfo.ch (online&print), Sevdail Tahiri. Ai ka falënderuar të gjithë të pranishmit për ardhjen e tyre në këtë gala mbrëmje dhe ka veçuar sidomos mysafirët e lartë nga sfera politike dhe ajo ekonomike e financiare. Tahiri ka vënë theksin në mbështetjen e ndërsjellë që Albinfo online&print ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve me partnerët e biznesit, duke falënderuar me këtë rast disa nga më të merituarit.

Në vazhdim, në foltore është ngjitur Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Ilir Gjoni. Ai ka folur me fjalë të zgjedhura mbi platformën mediale Albinfo.ch, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ajo pati gjatë këtyre viteve në informimin, po dhe në afirmimin e komunitetit shqiptar në Zvicër. Sigurisht, edhe bashkëpunimi i tij si ambasador me Albinfo.ch ka qenë një ndihmesë për vetë ambasadën. “Ajo ka qenë në një farë forme këshilltare joformale për ne”, është shprehur, veç tjerash, z. Gjoni.

Edhe shefi i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati, ka mbajtur një fjalë rasti, me ç ‘rast ka lavdëruar punën e Albinfo.ch në informimin e drejtë të bashkatdhetarëve tanë në Zvicër. Ai ka theksuar angazhimin e platformës edhe në raport me përfaqësinë konsullore të Kosovës në Cyrih.

Orhan Spahija, në emrin e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, në fjalën e tij ka vendosur theksin në bashkëpunimin e frytshëm që Albinfo.ch dhe KSHZ kanë kultivuar që në fillimet e tyre. Ai ka thënë se ky medium është meritor për afirmimin e drejtë dhe korrekt të komunitetit tonë në Zvicër e më gjerë.

Ndërsa themeluesi i platformës mediale Albinfo online&print, dr. Bashkim Iseni, ka evokuar kohën e themelimit dhe vizionet që e kanë udhëhequr atë në ngritjen e platformës. Ai me këtë rast ka përmendur fazën kur platforma ishte subvencionuar nga federata, si një projekt me vlerë të veçantë dhe kalimin prej tashmë pesë vjetësh në funksionin si subjekt i pambështetur nga shteti.

Vazhdimi dhe forcimi i Albinfo.ch në këtë fazë është dëshmi se ajo ka bërë vendin e saj të sigurt brenda komunitetit shqiptar të Zvicrës, ka thënë veç tjerash z. Iseni, duke falënderuar drejtorin e platformës, Sevdail Tahirin dhe stafin për punën e madhe që po bëjnë në këtë drejtim.

Në vazhdim, pas disa pikave muzikore të “Strings, Strings”, radha ishte për pikën kryesore të mbrëmjes: ndarjen e çmimeve “Personaliteti i Vitit 20022”. Drejtuesja e spektaklit, Alisa Buzhala, ka thirrur me radhë në skenë të gjithë fituesit dhe ka prezantuar ata për publikun. Anëtarët e redaksisë së platformës Albinfo.ch online&print u kanë dorëzuar çmimin për fushat përkatëse pesë individëve dhe një shoqate si dhe çmimin special një subjekti afarist.

Si Personalitete të Vitit 2022, pra, janë zgjedhur: Riola Xhemaili për sport, futboll; Elena Avdija, për arte, regji filmi; Fehmi Fetahi, për biznes, afarizëm, Përparim Avdili, për politikë; Shqipe Sylejmani, për letërsi dhe angazhim shoqëror si dhe Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, për mjekësi. Ndërsa shkolla e njohur profesionale zvicerane “Benedict Schule” ka marrë çmimin special të platformës mediale Albinfo.ch online&print.

© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH

Të gjithë fituesit kanë shprehur falënderimin, duke u ndalur në rëndësinë që për ta ka pasur promovimi i tyre pikërisht përmes platformës Albinfo.ch.

Pas shpalljes së çmimeve, mbrëmja ka vazhduar edhe për orë të tëra me muzikë, vallëzim, takime, biseda, shkëmbime mes pjesëmarrësve etj.

© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH
© 2022 ALBINFO.CH

Fotografi të tjera të realizuara nga Rromir Imami dhe Eva Bourgknecht: Gallery.rrimphoto.com

Redaksia e platformës sonë ka zhvilluar intervista me Personalitetet e Vitit, të cilat do t`i lexoni ditëve në vijim.

Fotot: Rromir Imami & Eva Bourgknecht