Kosova

Albin Kurti reagon pas akuzave të presidentit Thaçi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pas akuzave ndaj tij dhe bashkëpartiajut të tij Glauk Konjufcës.

Kurti ka shkruar se presidenti Thaçi i ka akuzuar disa herët, atë dhe Konjufcën. 

“Më 31 mars 2018, mua dhe Glaukun na akuzonte për lidhje me Rusinë dhe Iranin. Më 9 korrik, vetë presidenti Thaçi shkoi e takoi Medvedevin, kurse më 12 nëntor 2018 u takua me Putinin. Tash shpif për lidhje tjera të paqena”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij: “Qëndrimet dhe veprimet tona janë publike, të drejta dhe të qarta. Me shpifjet e këtij presidenti që po ikën më shpejt se ç’është menduar nuk merrem. Viti 2019 do të jetë viti i ndryshimeve për Kosovën. Sepse nuk shkëmbehet Kosova me Serbinë. Sepse nuk zëvendësohet Gjermania me Rusinë”.

Ai ka bërë ftesë që qytetarët e Republikës së Kosovës dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje ta ruajnë qetësinë. 

“Presidenti Thaçi është në panik. Shqetësimi i tij iracional nuk ka të bëjë me shtetin tonë të pavarur por me pazarin e tij me Serbinë. Ai po dështon. Ai po shkon”, ka shkruar Kurti. 

Gjatë ditës së djeshmë është mbajtur edhe gjykimi i rastit “Syri i Popullit”.

Presidenti Thaçi ka thënë se mbrapa “Syrit të Popullit” qëndron Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.