Kosova

Albin Kurti: Ndryshimi ndodhi, faleminderit popull!

Në zgjedhjet e 6 tetorit Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 25,81%, e dyta Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,05%, e treta Partia Demokratike e Kosovës me 21,19% dhe e katërta kolaicioni AAK-PSD me 11.61%.

Kurti është shprehur falënderues për votuesit e Kosovës. Sipas tij, ndryshimi në këtë vend sapo ka filluar dhe së bashku me popullin do të fillojë përparimi i shtetit të Kosovës.

Më poshtë mund ta gjeni postimin e tij të plotë:

“Mirëmëngjes, të dashur qytetarë,

Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht, duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falënderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë, siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur, siç është Kosova jonë.

Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm.

Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike.

Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë.

Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua.

Sepse: Erdhi dita!

Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit.