Futboll

Albiani drejt titullit të golashënuesit më të mirë në Zvicër

Futbollisti shqiptar ka shënuar 13 gola, një më pak se Guillaume Hoarau me 14 gola të shënuar

Gara për golashënuesin më të mirë në Kampionatin zviceran mbetet ende e hapur dhe shumë e ngushtë. Për këtë epitet janë duke garuar Guillaume Hoarau dhe Albian Ajeti, të cilët do të përballen nesër njëri me tjetrin. Futbollisti shqiptar nuk do ta lë këtë titull në duart e kampionit YB, por kërkon që të jetë pasardhësi i Seydou Doumbia.
Po ta kishte realizuar rastin e madh në minutën 94, gara do të ishte edhe më e ngushtë. Por, Albian Ajeti gjuajti përskaj rrjetit dhe mbeti në shifrën e 13 golave të shënuar. Listës i prin sulmuesi i kampionit aktual YB, Guillaume Hoarau me 14 gola të shënuar.
Kanë qenë dy ndeshjet e fundit që Albiani i është afruar kaq afër golashënuesit të YB. Edhe pse i futur në lojë si zëvendësim, ai arriti të shënojë tre herë. Nesër pritet një ndeshje vërtetë interesante dhe vendimtare për Albian Ajetin, i cili pritet të luaj titullar.
I pyetur nëse ka gjasa për ta fituar këtë epitet, Albiani për “Grenchner Tagblatt” ka deklaruar: “Një kurorëzim i tillë me siguri se do të jetë një nder i madh për mua, edhe nga fakti se sulmuesit vlerësohen me shënimin e golave”, përcjell Albinfo.ch.
Për sulmuesin 21-vjeçar shqiptar, ky titull do të kishte qenë i pari i këtij lloji në karrierën e tij. Megjithatë, ky nuk është prioritet i tij, pasi sukseset e ekipit dhe fitorja ndaj YB-së janë më të rëndësishme.