Integrimi
Albani, me BDP-në synon Parlamentin e Thurgaut
“Ne kontribuojmë dhe mund ta përfaqësojmë Zvicrën në mënyrë dinjitoze, jo vetëm në sport, por edhe në politikë e segmente të tjera”
© Albani bashkë me shokun e tij të shkollës gjatë shpërndarjes së posterave
Studenti i matematikës në Universitetin ETH të Cyrihut, shqiptari nga Kumanova, Alban Imeri kandidon në zgjedhjet e prillit për deputet të Parlamentit të Kantonit Thurgau. Njëzetenjëvjeçari në këtë garë politike figuron në listën numër gjashtë si i dyti i partisë për qarkun e Arbonit që ka një popullsi prej më tepër se pesëdhjetëmijë banorësh.
Pas rezultateve të mira në zgjedhjet e vjetme nacionale, partia e re BDP, është në rrugë të mbarë që edhe sivjet në zgjedhjet kantonale të marrë rezultate pozitive.
Prej nëntë kandidatëve të qarkut të Arbonit në listë të BDP-së për Parlamentin e Thurgaut, Albani radhitet i dyti, gjë që tregon se sfiduesi i ri shqiptar brenda partisë gëzon mbështetje të gjerë në zgjedhjet që do të mbahen më 15 prill 2012.
Albani ka lindur më 7 janar të vitit 1991 në Münsterlingen TG dhe prej vitit 1999 jeton me prindër në Egnach. Katër vite më parë ka qenë iniciator për formimin e degës së BDP-së në qarkun e Arbonit, nga ku më pas është zgjedhur presidenti i parë i BDP-së (Bürgerlich -Demokatische Partei) -Partia Demokratike Qytetare në po këtë qark, kurse për një periudhë të shkurtër ka qenë edhe anëtar i kryesisë së BDP-së në kantonin Thurgau.
Synimet politike të Alban Imerit janë të qarta. Ai ka një koncept politik për të gjitha çështjet e hapura. Në prezantimin e tij online (www.alban-imeri.ch) ai shpalosë idetë e tij për zgjidhje të problemeve, qofshin ato fiskale (që është arma e tij e fortë, si student i matematikës), sociale, politikës së jashtme, emigracionit apo sistemit të drejtësisë.
Dhe këto synime synon t’ i realizojë përmes BDP-se -partisë së presidentes aktuale të Zvicrës znj. Eveline Widmer-Schlumpf.
Por përse pikërisht BDP-në, që ka dalë nga gjiri i SVP-së, pyesim Albanin.
© Albani duke e vulosur fatin e tij
Sepse, thotë ai, SVP shumë vite më parë në fakt, ka qenë një parti e mirë që ka punuar shumë për mirëqenien e Zvicrës, porse me kalimin e kohës ata kanë kaluar gjithnjë e më tepër në agresivitet ndaj të huajve dhe përgjithësisht ndaj temave që janë trajtuar në opinion. SP ndërkohë është shumë dorëshlirë qoftë në politikat fiskale, të migracionit apo integrimeve në BE.
Brenda këtyre dy partive mungon kompromisi për çështje madhore të interesit të përgjithshëm siç është parë në debatin rreth revisionit për AHV-IV
Prandaj kam vendosur të angazhohem politikisht në BDP, parti e qendrës ,e të dal në zgjedhje me moton „Përfaqësuesit e popullit mbajnë përgjegjësi edhe për ata qytetarë që nuk i kanë votuar. Prandaj duhet kërkuar kompromise në vendimet politike“.
Albani me tej është i vetëdijshëm se angazhimi i tij politik jo gjithnjë gjen mirëkuptim tek votuesit. Rreziku më i madh, është kur votuesit, nëse nuk e dëshirojnë një kandidat, ia shlyejnë emrin nga lista. Kjo mandej krijon shumë disfavore brenda partisë.
Mirëpo megjithëkëtë është optimist dhe shpreson shumë që numri i madh i shqiptarëve të natyralizuar të këtij qarku do ta votojë. Gjithsesi përparësi e Albanit është afërsia e tij që krijon me njerëzit, sinqeriteti. Mbi gjitha njohja e problemeve për rajonin bëjnë që gjasat e Albanit që të fitojë një vend në zgjedhjet për Parlament të Kantonit Thurgau të jenë reale.
Kjo ilustrohet edhe me rastin e zgjedhjeve komunale të vitit 2009, kur Albani i ri, sapo kishte mbushur të tetëmbëdhjetat, ende i panjohur për opinionin, si kandidat për deputet komunal të Egnach-ut ka marrë 244 vota, megjithëse ky fshat i vogël dominohet nga zviceranë, pra ka pak të huaj me të drejtë vote. Ky fakt i jep vetëbesim Albanit, sepse siç thotë ai, unë nuk i njihja 244 zviceranë në Egnach.
© Albani në valle popullore shqiptare
Por si e kur ka filluar Albani i ri te interesohet për politikë, cilat janë ambiciet e tij?
Në moshë fare të re, tregon ai. “Në vitin 2005 ne sapo kishim marrë nënshtetësinë zvicerane, dëgjoja që flitej se këta duan vetëm pasaportën tonë dhe nuk interesohen më tej për jetën politike këtu. Thoshin se letrat e votimit i hedhim sapo ti marrim, pa i shikuar. E, kjo më preku apo me nxiti që të interesohem për politikë, edhe pse asokohe isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç.
Kështu që ftesat për votim qofshin të ndonjë referendumi a për zgjedhje nacionale apo kantonale i lexoja me vëmendje, ua shpjegoja prindërve arsyet pse duhet votuar ose pse kundërshtuar një iniciativë e ndryshim ligjor apo ndonjë kandidat dhe kështu unë thellohesha përditë e më shumë në ngjarjet politike të Zvicrës. „Kqyrsha partitë, kqyr SP-në -nuk më konvenonte fort se po dojnë në Europë me hi, në EU -e unë kam qejf Zvicra jashtë me nejt. Kqyrsha anën tjetër në SVP, as ajo nuk bojke, se shumë agresiv shkojke. Në FDP interesoheshin vetëm për partinë. CVP-ja shumë ka feja. Kështu që kur u formu partia e re BDP, unë fillova me u interesu për ta dhe programin e tyre”, rrëfen Albani preferencat e tij politike.
„Në fund të 2008-ës thashë hajt ta provoj, dhe prej atëherë, kam marrë iniciativë me formu degën e BDP-se në Arbon dhe në 2009-tën jom konë kryetari i parë i DBP-së në qarkun e Arbonit. Më pas u zgjodha anëtar i kryesisë për Thurgau, por u futa në stres me shkollë dhe u largova, kurse tash jam vetëm anëtar i kryesisë së qarkut se s`po kam kohë për shkak të studimeve “, tregon Albani simpatik me një pamje e qëndrim të një djali të butë, të kthjellët në mendje, miqësor dhe i vetëdijshëm për hapat që do të marrë në karrierë dhe në jetë.
Ajo që Albanin e shqetëson është fakti se megjithëse në shikim të parë dhe gjatë komunikimit, vendasit e mbajnë për të tyrin, me të kuptuar emrin e tij, kanë një dozë tërheqjeje dhe kjo vjen si pasojë e shumë paragjykimeve që ekzistojnë për ne, thotë ai. „Disi kërkojnë integrim, por kur je brenda tyre u mungon guximi të jenë të hapur“.
Përmes angazhimit tim politik, unë dua t’ua bëj të qartë votuesve se unë dhe komuniteti që unë i përkas, nuk i përkrahim aktet kriminale, mashtrimet sociale e refugjatët e rremë. Ne mendojmë njëjtë, sikurse vendasit dhe jemi për dëbimin e tyre nga Zvicra. Por, ne jemi edhe për dallimin mes të mirit dhe të keqit. Përgjithësimet janë të dëmshme dhe sjellin edhe me tepër ndasi e konflikte sociale.
Dhe pikërisht për shkak të kësaj situate që mbretëron në shoqërinë zvicerane, qëllimi im i angazhimit tim politik është më tepër që t’ju tregoj se ne kemi edhe anën e mirë që nuk dallon aspak nga të tjerët. Se ne kontribuojmë e mund ta përfaqësojmë Zvicrën në mënyrë të dinjitetshme, jo vetëm në sport, por edhe në politikë e segmente të tjera të jetës.
Gjatë bisedës tek Albani zbulojmë edhe dashurinë e madhe që ka ai për kulturën dhe muzikën shqiptare. Obligimet e shumta që ka në studime dhe angazhimi në parti politike nuk e pengojnë dot Albanin që të paraqitet edhe me aktivitete kulturore të mërgatës sonë nëpër manifestime të ndryshme me SHKA „Sharri“.
Ai njihet si djali prijës me shirit të kuq të lidhur rreth koke që i prinë valleve në grupin e tij. Madje ai thotë me shaka se brenda meje ekzistojnë dy karaktere; njëri shqiptar e tjetri zviceran -unë kur jam brenda jam shqiptar, kurse kur dal jashtë jam zviceran. „Muzikë anglisht nuk ngoj fort, veq shqip, popullore, në kerr, në shtëpi. Vëllezërit Aliu më pëlqejnë shumë. Si me thonë, e kom smujë vallëzimin, muzikën shqip“.
Albani edhe pse është rritur në një rreth me pak bashkëvendës, krahas gjermanishtes që e zotëron rrjedhshëm, e flet edhe gjuhën shqipe shumë mirë. „Unë sillem e jetoj si zviceran, por e ruaj dhe e kultivoj kulturën dhe gjuhën time dhe kjo nuk është diçka që mund ti pengojë dikujt“ shprehet ai në fund të bisedës.
©Gjenerata e dytë po i ngul rrënjët
Alban Imerin ju mund ta votoni 2 herë. Votimi bëhet duke shkruar emrin e tij në fund të listës përkatëse, së bashku me numrin rendor, dhe duke fshirë me një vijë lapsi një emër të një kandidati tjetër nga lista.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor