Uncategorized

Albani dëbohet ndërsa me pikturat e tij hapet një ekspozitë

Pikturat janë në shitje ndërsa shuma e mbledhur do të shkojë në konto të artistit dhe familjes së tij. Në këtë mënyrë shpresohet t`i ndihmohet asaj për të bërë një fillim të ri në Shqipëri

Alban Abazi, i riu që merret me pikturë dhe muzikë është dëbuar nga Gjermania në tetor të vitit të kaluar. Por tash, më shume se dy muaj më pas, pikturat e tij janë ekspozuar në hapësirën për ekspozim në një shtëpi pleqsh në Bosel.

Hapja e eskspozitës personale të Albanit ka qenë dje, më 24 janar.

Në ekspozitë prezantohet një përzgjedhje punimesh të tij, me titullin e përbashkët «Heimat» (Vendlindja).

Albani, i cili përveç me pikturë merret dhe me muzikë, kishte ardhur në Gjermani (në Friesoythe) me të shoqen dhe tre fëmijët nga fundi i vitit 2014, shkruan nrw.de. Këtu ai pati gjetur një «vendlindje» të re artistike.

Ndonëse Albani me familjen është dëbuar tashmë, qerthulli i artit dhe kulturës në Bosel dëshiron që me ekspozitën e tij të tregojë «se si arti tejkalon kufijtë,  i afron njerëzit dhe mund të veprojë si fuqi integruese».

Ekspozita tregon një pjesë të vogël të punimeve të cilat Alban Abazi i ka realizuar në Friesoythe, transmeton albinfo.ch. Në to mund të vërehet se si artisti me kalimin e kohës, nga disponimi i tij fillimisht depresiv (pas braktisjes së vendit) shkon drejt një sigurie të gjetur, mjerisht të rrejshme, thuhet në prezantimin e ekspozitës.

Të gjitha pikturat janë në shitje ndërsa shuma e mbledhur do të shkojë në konto të artistit dhe familjes së tij. Në këtë mënyrë shpresohet t`i ndihmohet asaj për të bërë një fillim të ri në Shqipëri.