Lajme

Alba Festival shtyhet për vitin 2021

Alba Festivali në hapësirat e Hardturmit, në vitin 2019 ishte një sukses i madh. Për shkak të koronavirusit, manifestimi i sivjetëm është anuluar.

Superyjet si Rita Ora, mijëra vizitorë dhe pa ndonjë incident – Alba Festivali filloi me vrull të madh në verën e vitit 2019 në hapësirat e Hardturmit, me mbi 20,000 vizitorë dhe tani llogaritet festivali më i madh në Europë për muzikën shqiptare pop dhe hip-hop.

Të gjithë artistët performues kanë rrënjë në Shqipëri apo Kosovë, shkruajnë mediat zvicerane.

Për edicionin e ardhshëm të Alba Festivalit, megjithatë, vizitorët duhet të jenë të durueshëm: “Për shkak të zhvillimeve të fundit në lidhje me koronavirusin, Alba Festivali do të shtyhet për në verën e vitit 2021”, thotë bashkorganizatori Adem Morina.

Atij i vjen shumë keq për këtë. “Shumica prej artistëve shprehën dëshirë të vijnë përsëri në Cyrih, sepse u pëlqeu shumë edicioni i parë”, tha Morina. Për shkak të situatës aktuale, nuk ka siguri të planifikimit. “Për më tepër, siguria e vizitorëve është përparësia kryesore në Alba Festivalin”. Mbetet ende e paqartë se ku do të zhvillohet festivali në vitin 2021: “Shpresojmë të rikthehemi në hapësirat e Hardturmit”.