Integrimi

Alba ëndërron të njohë funksionimin e shpirtit të njeriut

Alba Shaqiri është kosovarja që ka ndërruar Zvicrën me Kanadanë, jo për të migruar atje, por për qëllime arsimimi, për të doktoruar në psikologji. Ajo nuk e përjashton mundësinë t’i kthehet Kosovës si doktorante e psikologjisë.

Në një bashkëbisedim me albinfo.ch, Alba tregon se ka braktisur përkohësisht Zvicrën për të specializuar në këtë disiplinë shkencore në Kanada.

„Gjithmonë kam ëndërruar të vizitoj Kanadanë, sepse kisha një imazh për këtë vend me shumë hapësirë, natyrë të bukur dhe njerëz të afërt me njeri-tjetrin“, thotë Alba për Albinfo.ch

Në përfundim të masterit në psikologji në Lozanë, asaj iu dha mundësia që një semestër ta kryente diku jashtë Zvicrës.

„Kur dëgjova për mundësitë që të studioj për një semestër jashtë fakultetit, me programin “Echange” ose “Xchange”, menjëherë mendova se Kanada do të ishte një vend ideal. Doja po ashtu të studioja në një vend ku flitej gjuha angleze, kështu që do përvetësoja dhe këtë gjuhë. Prandaj, vendosa të vij ne Fakultetin e Waterloo afër Torontos për një semestër“, tregon Alba.

Rrëfimi për Kanadanë nuk përfundon me kaq.

Semestri katërmuajsh kishte përforcuar bindjen e psikologes kosovare që të kthehet sërish atje për të vazhduar këtë herë me doktoraturën në psikologji.

„Pasi kalova 4 muaj këtu dhe më pëlqente me të vërtetë, dhe po ashtu bashkëpunoja me një profesor rreth një punimi në shkencat neurologjike, vendosa të kthehem këtu dhe të filloj doktoraturën në shkencën neurologjike, dhe të vazhdoj punimin për problemet e përqendrimit me njerëzit qe kanë pasuar një sulm në tru“.

Ajo thotë se psikologjia na bën të mundshme t’i njohim njerëzit.

„Psikologjia ishte dega që më mundësonte të studioja qenien njerëzore, por në mënyrë me njerëzore, më humaniste, për dallim prej mjekësisë, kimisë apo biologjisë, që përqendrohen kryesisht në mekanikën e funksionimit të njeriut. Unë kisha më shumë nevoje për kontakte me pacientë, të kuptoj si njeriu mendon, si i funksionon truri, por po ashtu si ai mendon dhe si reagon kur është në kontakt me të tjerët“, thotë Alba, me origjinë nga Shtimja e Kosovës.

Kosova mund të ketë një doktorante në psikologji në vitin 2013. Alba nuk e përjashton mundësinë t‘i kthehet Kosovës.

„Shpresoj të mbaroj studimet në 2013, dhe pastaj mendoj të kthehem në Zvicër, ku e kam familjen, dhe të punoj atje. Sipas situatës, nuk e përjashtoj po ashtu mundësinë të kthehem në Kosovë dhe të punoj në fakultet atje“, zbulon Alba planet për të ardhmen.

Ajo tregohet mjaft modeste kur thotë se studimet e saj jashtë vendit nuk paraqesin asgjë të jashtëzakonshme. Megjithatë, thotë të jetë me fat që ka përfituar nga kjo mundësi.

„Jam e sigurt qe ka qindra e qindra shqiptarë që janë në të njëjtën situatë si unë, dhe që tregojnë çdo ditë diturinë dhe interesin e tyre për studime.

Fatkeqësisht, mundësitë dhe vullneti për studime të larta në Kosovë nuk shpërblehen si duhet, dhe unë mendoj se jam me fat që kam pasur mundësinë të arrij deri këtu“, thekson Alba.

Alba Shaqiri është me origjinë prej Shtimes, një qytet i vogël afër Ferizajt. Prej viti 1996 jeton në Zvicer me familje. Në Univesritetin e Lozanës ka mbaruar baqelorin dhe masterin në psikologji.