Lajme

Alarm klimatik në Alpe: Akullnajat austriake drejt zhdukjes

Austria po humbet thesaret e saj të bardha – akullnajat që dikur mbulonin majat alpine po zhduken me ritme alarmante, duke ndezur sinjalet e emergjencës klimatike.

Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore The Cryosphere, nëse temperatura globale nuk kufizohet në një rritje maksimale prej 1,5 gradë Celsius, shumica e akullnajave në Austri do të zhduken përfundimisht.

Studiuesit austriakë dhe britanikë që qëndrojnë pas këtij hulumtimi theksojnë se mes viteve 2006 dhe 2017, pesë akullnaja në rajonet Otztal dhe Stubai janë zhdukur plotësisht. Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut – fjalë për fjalë.

Temperaturat aktuale janë në rrugë të sigurt për të kapërcyer 2,7 gradë Celsius, çka sipas shkencëtarëve është fatale për akullnajat alpine, transmeton albinfo.ch.

“Dritarja e mundësive po mbyllet me shpejtësi”, paralajmëron Fabien Maussion, bashkautor i studimit dhe ekspert në Universitetet e Bristolit dhe Innsbruckut.

Sipas skenarëve të paraqitur, një pjesë e konsiderueshme e masave akullnajore në Tirol – por edhe në të gjithë vendin – do të zhduken në dekadat e ardhshme.

“Jemi dëshmitarë të fundit të një epoke. Kur një masë akulli nuk ka më lëvizje ose burim ushqimi, ajo nuk konsiderohet më akullnajë – është thjesht ‘akull i vdekur’”, shpjegon një studiues nga Instituti për Kërkimet Ndërdisiplinore të Maleve në kuadër të Akademisë Austriake të Shkencave (OAW).