Tematike
Alain Berset, “zvicerani i duhur” në krye të Evropës
"Ashtu siç bëri në Zvicër gjatë pandemisë së koronavirusit, ai do të duhet të provojë përsëri veten. Pritshmëritë janë të larta"
Sekretari i Përgjithshëm i posazgjedhur i Këshillit të Evropës, Alain Berset, ka prezantuar prioritetet e tij për postin e ri. Zgjedhja në këtë zyrë është një fitore për diplomacinë zvicerane.
Këtë Berset ua tha profesionistëve të medias zvicerane të mërkurën në Strasburg në rezidencën e ambasadorit zviceran në Këshillin e Evropës. Ai falënderoi, ndër të tjera, Këshillin Federal, delegacionin zviceran në Këshillin e Evropës dhe asistenten e tij personale për mbështetjen e tyre gjatë fushatës pesëmujore.
Ish-këshilltari federal, Berset, u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të martën. Ai është zvicerani i parë që zgjidhet në këtë detyrë. Berset merr detyrën më 18 shtator.
Zgjedhja e politikanit të njohur nga Zvicra në postin e lartë është pritur mirë në Zvicër dhe është bërë temë qendrore në mediat e këtushme, të cilat i kanë kushtuar mjaft komente dhe analiza socialdemokratit me profil mjaft popullor të krijuar si ministër dhe president i Federatës zvicerane.
Transmetuesi publik i Zvicrës, SRF, ka publikuar një analizë rreth zgjedhjes, shanseve që kishte dhe pritjeve që ka politika lidhur me Berset-in në postin e ri. Albinfo.ch jep pjesë nga kjo analizë.
Nuk ishte një fitore nga fillimi në fund. Por në fund, ish-këshilltari (ministri) federal dhe presidenti federal, Alain Berset, fitoi qartë ndaj dy sfiduesve të tij. Dy gjëra ishin vendimtare: Së pari, shumë anëtarë të Këshillit të Evropës nuk donin një eurokrat, dhe kjo fliste kundër komisionerit belg të drejtësisë të BE-së, Didier Reynders. Së dyti, ata donin dikë me përvojë të gjatë në qeverisje dhe udhëheqje, të cilën konkurrenti tjetër, estonezi Indrek Saar, nuk mund ta ofronte.
Fushata zgjedhore e “pensionistit” të ri 52-vjeçar, Alain Berset, e çoi atë në 25 nga 36 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës gjatë pesë muajve të fundit. Me fushatën e tij të përkushtuar, ai sinjalizoi se e donte vërtet postin e lartë në Strasburg. Sipas të pranishmëve, ai ka dalë shumë mirë në seancat dëgjimore në selinë e Këshillit të Evropës. Të paktën po aq i mirë sa ish-ministri i shumëfishtë belg dhe komisioneri i BE-së Reynders dhe dukshëm më i mirë se ish-ministri estonez i kulturës, Indrek Saar, i cili konsiderohet një “peshë e lehtë” politike.
Megjithatë, Saar përfundimisht doli të ishte sfiduesi më i rrezikshëm. Nga njëra anë, Berset dhe Saar, të dy socialdemokratë, i merrnin votat njëri-tjetrit në fraksionin e majtë. Nga ana tjetër, Saar mori shumë vota simpatie nga Evropa Lindore, sepse atdheu i tij, Estonia, konsiderohet një vend i kërcënuar nga Rusia. Kërcënimi rus është një çështje qendrore në Këshillin e Evropës.
Megjithatë, fakti që kryeministrja estoneze Kaja Kallas do të bëhet përfaqësuese e politikës së jashtme të BE-së, mund t’i ketë kushtuar Saar-it vota vendimtare. Për disa deputetë, dhënia e dy pozitave kryesore evropiane për Estoninë dukej e tepruar.
Berset, nga ana tjetër, tani ka marrë një qëndrim të qartë për çështjen e Ukrainës. Kjo ndodhi pasi ai ishte ende duke manovruar në kohën kur ishte Këshilltar Federal. Gjatë paraqitjes së tij të parë të shkurtër para mediave, ai theksoi se lufta e Rusisë ishte një çështje shumë qendrore për Këshillin e Evropës, veçanërisht mbështetja e popullatës ukrainase.
Për belgun Reynders, moszgjedhja dhe deficiti i madh në raundin e dytë janë një zhgënjim i hidhur. Sidomos pasi ai nuk arriti të bëhej Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës në përpjekjen e tij të dytë. Natyrisht, për shumë njerëz, politikani që do të mbushë së shpejti 66-vjeç, nuk përfaqëson mjaftueshëm ndryshim dhe rinovim. Dhe disa do të donin të shihnin dikë në krye që është më pak i lidhur me BE-në.
Por zgjedhja e Bersetit tregon një gjë mbi të gjitha: shumë deputetë duan një njeri të fortë në krye këtë herë. Banori i Freiburgut (të Zvicrës) u paraqit si një kandidat që ishte në gjendje dhe i gatshëm të merrte vendime. Bazuar në biografinë e tij, shumë me sa duket i besojnë atij për të ndihmuar Këshillin e Evropës të fitojë më shumë shikueshmëri dhe peshë. Kjo është edhe më e rëndësishme pasi demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut po vihen nën presion në gjithnjë e më shumë vende në Evropë. Dhe Këshilli i Evropës është pikërisht kujdestari i këtyre vlerave. Kjo është detyra e tij kryesore. Dhe këtu ai ka një organ të rëndësishëm dhe me ndikim në formën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Berset po merr rolin e tij në një kohë emocionuese, por në të njëjtën kohë sfiduese. Ashtu siç bëri në Zvicër gjatë pandemisë së koronavirusit, ai do të duhet të provojë përsëri veten. Pritshmëritë janë të larta.
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?