Lajme

Akuzohet në Serbi për përdorimin e fjalës “gjenocid” në Srebrenicë

Marrja e kërcënimeve dhe sharjeve pothuajse është bërë një zakon për Anita Mitic. Në moshën e saj 26-vjeçare, drejtoresha e Zyrës serbe të OJQ-së (Youth Initiative for Human Rights, YIHR Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut) është rregullisht në shënjestër, njofton albinfo.ch. “Ka disa ditë që kemi qenë të sulmuar publikisht nga një politikan për shkak se kemi kërkuar që të votohet për pranimin e masakrave të Srebrenicës si gjenocid”, thekson ajo.

Ekzekutimi në Srebrenicë, Bosnjë, i më shumë se 7.000 myslimanëve nga 11 korriku 1995 nga forcat serbe të Bosnjës është një nga temat më të ndjeshme në vend, njëzet e një vit pas faktit. Por, kjo ngjarje është gjithashtu një tabu e fuqishëm në Serbinë fqinje. Nëse presidenti ka kërkuar falje për masakrën, autoritetet ende vazhdojnë të mos pëlqejnë termin “gjenocid”.

Kthimi te nacionalizmi

Një nga aktivitetet kryesore të YIHR është që të punojë drejt pajtimit rajonal, duke i dhënë shtytje për të njohur krimet e kryera gjatë viteve 1990. Organizata nderon zyrtarisht viktimat e Srebrenicës çdo vit, më 11 korrik, dita zyrtare e përkujtimit, njofton albinfo.ch.

Këmbëngulja e organizatës është faktor, i cili bëri që drejtoresha e saj të gjendët e ndjekur penalisht për shkak se ka organizuar “në mënyrë të paligjshme një miting për të përkujtuar” gjenocidin” e Srebrenicës” në Beograd në vitin 2015. “Ne kishim planifikuar një tubim të autorizuar para Parlamentit. Ai u anulua në momentin e fundit, duke cituar arsye të sigurisë”, shpjegon Anita Mitic.

OJQ-ja vendos të mbajë tubimin, megjithatë, pavarësisht kërcënimeve të shumta. Grupe të vogla të djathtës ekstreme i presin aty. “Ata na hidhnin objekte, na shtynin”, kujton drejtoresha e re.
Anita Mitic, disa ditë më vonë, merr një thirrje nga gjyqi. Por, gjyqi nuk u dërgon të njëjtën thirrje anëtarëve të grupit ultranacionalist.

“Në qoftë se policia mund të mbrojë me krenari homoseksualët, ajo mund të garantojë sigurinë e tubimit tonë. Vendimi për të ndaluar dhe për të më ndjekur penalisht mua është një vendim politik i motivuar nga dëshira për mohim të gjenocidit”, akuzon ajo.

Serbia po njeh prej disa vjetësh një tendencë shqetësuese për t’iu kthyer nacionalizmit të viteve 1990 dhe lavdërimit të atyre që janë përgjegjës për krime lufte. Në raportin e tij të fundit mbi gjendjen e drejtësisë transicionale, Qendra për të Drejtën Humanitare përshkruan Serbinë si një oazë për mijëra kriminelë, të cilët nuk janë të shqetësuar nga drejtësia serbe dhe për ata që janë dënuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, të cilët pritën si heronj një Serbi.

Kërcënimet dhe denoncimet

Ata që guxojnë të ngrenë një zë të kundërt, denoncohen menjëherë. Anëtarët, të cilët kërkojnë një votim mbi njohjen e gjenocidit të Srebrenicës, janë “tradhtarë” dhe sulmohen nga kolegët e tyre. Aktivistët që flasin për detyra të punës që duhen kryer me të kaluarën sulmohen nga tabloidët dhe televizionet. “Më kujtohet se një emision televiziv pati shfaqur edhe profilin tim të Facebook-ut në ekranin e madh”, kujton Anita Mitic.

Nëse gruaja e re preferon të fshijë kërcënimet e përditshme me një buzëqeshje, tensioni megjithatë vazhdon të rritet. Organizata YIHR zhvillohet me aktivistë të rinj, të cilët përballen me shumë presione. Disa prej tyre nuk kanë njëzet vjet. “Zyra jonë është një hapësirë e sigurt, ku ata mund të shprehin veten e tyre. Por, kur kthehen pranë të afërmit e tyre, miqtë e tyre, ata gjithnjë pyetën për angazhimin e tyre”, shpjegon ajo e shqetësuar.

Edhe asaj i duhet ndonjëherë të censurojë mendimet e saj në mbledhjet familjare.

Megjithatë, ajo nuk do të braktisë betejën e saj. Për Anita Mitic, këmbëngulja është çelësi për të ndryshuar mentalitetin. Të hënën në mbrëmje ajo “përsëri ndezi qirinj në kujtim të viktimave të Srebrenicës. “Vendosmëria e vazhdueshme do të fitojë”, thotë ajo, e bindur se e ardhmja do t’i japë të drejtë.