Shkurt.ch

Aktrojnë kidnapimin, alarmohet policia

Ata kishin aktruar një skenë rrëmbimi me dhunë, që ishte “luajtur” në mes të qytetit të Cyrihut, para një hoteli

Disa dëshmitarë kanë njoftuar në mbrëmjen e të hënës policinë në Cyrih se po e shihnin një person i cili,nën kërcënimin e armës, po nxirrej me dhunë nga makina.

Nisur nga ky njoftim, policia e qytetit ka ngritur alarmin dhe ka filluar ndjekjen. Makina e kërkuar është ndalur nga policia dhe janë kontrolluar personat që gjendeshin brenda.

Ajo që rezultoi nga ky kontrollim ishte një lojë e fansave të filmave kriminalistikë. Ata kishin aktruar një skenë rrëmbimi me dhunë, që ishte “luajtur” në mes të qytetit të Cyrihut, para një hoteli, rreth orës 21.

Dy personat e gjetur në veturë, një zviceran dhe një spanjoll, të dy  rreth 20 vjeçarë duhet të përgjigjen para gjykatës për armëmbajtje pa leje.

Pas ndalimit dhe marrjes në pyetje ata janë lëshuar të lirë, shkruan 20minuten.ch.