Kinema

Aktorja Clarke tregon për problemet që pati gjatë xhirimeve të “Game of Thrones”

Aktorja e njohur nga seria “Game of Thrones”, Emilia Clarke, ka treguar

se ka vuajtur nga aneriorizmi në vitet e para të serisë sa ishte e bindur se do të vdiste. Clarke, 32-vjeçare, që luan rolin e Nënës së Dragonjve, ka folur për problemet në tru në një ese të cilën e ka shkruar për revistën “The New Yorker”.

Aktorja britanike ka thënë se aneriorizmi i parë ndodhi në vitin 2011 në moshën 24-vjeçare, ndërsa i dyti ndodhi në vitin 2013 kur përfundoi xhirimet e sezonit të tretë të serisë.

Ky shkrim u publikua pak para transmetimit të sezonit të fundit të serisë shumë të pëlqyer “Game of Thrones”, e cila do ta shënojë premierën më 14 prill, në kanalin HBO.

Aneriorizmi është fryrja e enëve të gjakut që mund të jetë vdekjeprurëse në rast se shpërthejnë. Kur është kthyer për xhirimet e sezonit të dytë, Clarke ka shkruar se shpesh ndihej e lodhur dhe se frikësohej se do të vdiste.

Për ta pasur më të lehtë gjatë intervistave me mediat, aktorja ka thënë se shpesh ka marrë morfinë. Në vitin 2013, ajo u bë operacion për herë të dytë dhe për një muaj qëndroi në spital.