Kosova

Aktorët këmbëngulin: Ngritje pagash ose grevë e përgjithshme

Aktori Shkëlzen Veseli thotë se kërkesa e tyre për rritje pagash bazohet në vendet e rajonit, ku aktorët paguhen sa një profesor universitar. Por, ministri i Kulturës thotë se me buxhetin aktual, pagat e aktorëve mund të rriten vetëm deri në 50 për qind të pagës bazë

Aktorët kosovarë ndihen të nëpërkëmbur nga shteti tash e sa vite, prandaj kanë paralajmëruar rebelizëm në rast se Qeveria e Kosovës nuk reflekton për ngritje të pagave. Një aktor i teatrit në Kosovë paguhet 400 euro në muaj, ndërsa vetë artistët këtë pagë e konsiderojnë shumë të vogël madje nënvlerësuese.

Pak muaj më parë, ata kanë mbajtur grevë dhe kanë pezulluar shfaqjet teatrale, por hoqën dorë pasi ministri i Kulturës u premtoi se do t’u bëjë zgjidhje, raporton KTV.

Tashmë është formuar një grup punues, i cili ka përpiluar një koncept dokument që i paraprin ndryshimit të rregullores aktuale për “Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës si dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore”.

Edhe pse nuk është përcaktuar shifra e rritjes së pagës, aktori Shkëlzen Veseli thotë se kanë marrë për bazë vendet e rajonit, ku aktorët paguhen sa një profesor universitar. Madje ai përmendi edhe pagën e deputetit që konsiderohet e përafërt me një aktorë.

Ky koncept dokument është dërguar në Ministrinë e Financave, i cili sipas ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, shumë shpejt do të kthehet në Ministri për procedim të mëtutjeshëm. Nëse e miraton qeveria, edhe rregullorja pritet të ndryshohet krahas këtij koncept dokumenti.

Por, ministri thotë se me buxhetin aktual, pagat e aktorëve mund të rriten vetëm deri në 50 për qind të pagës bazë.

Sipas ministrit Gashi, rritje të pagave pritet të ketë edhe për krijuesit dhe performuesit e Kulturës dhe Punonjësve profesionalë të Trashëgimisë Kulturore. Rregullorja aktuale parasheh pagesën për punëtorët e secilit institucion kulturor, kryesisht të ndarë në tri nivele, por nuk është respektuar asnjëherë, andaj pritet ndryshimi i saj.

Aktorët këmbëngulin se greva është e pashmangshme ngase nuk është në rregull që të avancohen vetëm zyrtarët qeveritarë.