Kosova

Aktakuzë ndaj ish-ministrit serb në Qeverinë e Kosovës

Prokuroria e Posaçme e Kosovës njoftoi të hënën se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Qeverisë së Kosovës, Ivan Teodosijeviç, për shkak se, siç thuhet, “duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ai më 24 mars të vitit 2019 “në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiakë të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës… gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit, edhe pas ardhjes të së ashtuquajturit mision paqësor në Kosovë”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja të tjera më të rënda në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Për shkak të këtyre deklaratave, ish-ministri Teodosijeviç ishte shkarkuar më 9 prill nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Më 25 mars, kryeministri Haradinaj shkarkoi edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiç, për shkak të “gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave të papranueshme”.

Ajo shkroi më 25 mars në rrjetet sociale se ”para njëzet vjetësh aleanca e NATO-s ka ushtruar gjenocid të planifikuar ndaj një shteti sovran që për dekada ka luftuar kundër terrorizmit shqiptar brenda kufijve të vet”.

Në muajin prill Parlamenti i Kosovës miratoi një mocion për krijimin e një komisioni të veçantë për, siç thuhet, dënimin e krimeve të luftës dhe gjenocidin e ushtruar nga shteti serb ndaj popullatës së pafajshme në Kosovë.

Kosova sivjet shënoi njëzetvjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe që i dhanë fund luftës nga e cila Kosova doli me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve ende nuk dihet asgjë.

Por derisa institucionet e Kosovës e vlerësojnë ndërhyrjen e NATO-s me rëndësi vendimtare për historinë e vendit, zyrtarët serbë e cilësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.

Njëzet vjet më pas, Kosova dhe Serbia ndodhen në një proces aktualisht të pezulluar bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Por, tensionet ndërmjet të dyja vendeve mbeten të larta, shkruan VOA, përcjell Albinfo.ch.