Kosova

Aksion në veri, 4 të arrestuar

Policia e Kosovës konfirmon arrestimin e tre personave në veri të Mitrovicës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës ka konfirmuar për Telegrafin arrestimin e katër personave në veri të Mitrovicës, tre prej të cilëve ndërlidhen me hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa njërin për shkak të rezistencës ndaj zyrtarëve policor, përcjell albinfo.ch.

“Mund të konfirmojmë se në Veri të Mitrovicës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente, janë realizuar disa bastisje që ndërlidhen me vazhdimin e hetimeve për rastin e vrasjes se O.I.. Njësitet policore kanë kryer bastisje në katër lokacione si dhe kane ndaluar katër persona, tre që ndërlidhen me hetime për rastin dhe një i cili ka rezistuar ndaj zyrtarëve policor. Në konsultim me Prokurorin kompetent ndaj të njëjtëve është duke vazhduar procedura e mëtutjeshme ligjore. Për informacione tjera do të iu informojmë pas përfundimit dhe kompletimit të rastit”, thekson Policia.

Ndërkohë, ‘Kallxo.com’ raporton se, njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë bastisur sot në mëngjes shtëpinë e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Ai është kërkuar me urdhër të prokurorit në kuadër të një operacioni arrestimesh që ka të bëjë me vrasjen e ish-liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në janar të këtij viti.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, nuk ka pranuar të konfirmojë nëse shtëpia e Radoiçiq ka qenë cak i Policisë.