Opinione

Akademiku Bedri Dedja, shkrimtari e pedagogu mbarëkombëtar

U mbushën pesëmbëdhjetë vjet që kur Akademiku Bedri Dedja u largua mëngjesin e 13 prillit 2004, në moshën 74-vjeçare, pa e parashikuar dikush ikjen e tij të dhimbshme. Gazeta zvicerane «Le quotidien Jurassien» e Zvicrës e cilësoi Bedri Deden si personalitet shqiptar me zë.

Profesor Bedriu lindi në Korçë më 20 nëntor 1930. Në kujtimet e tij, „xhaxhi  Bedriu“,  siç e thërrisnim ne , edhe së fundi, tregonte se më 31 mars 1931, kur do të varrosej Mihal Grameno, në Korçë ra një tërmet i fuqishëm. Një nënë maqedonase (shule), një plakë komshije, kishte ardhur dhe e kishte nderur trupin e saj mbi djepin e Bedriut të vogël që t’i shpëtonte jetën nga të rënat e çatisë. Atij gjithmonë i vinte keq që nuk e dinte varrin e asaj  plake zemërmadhe dhe as shtëpinë ku kish lindur që të vinte dy buqeta me lule, një në shtëpi dhe një në varr. Për të jatin kishte dëgjuar se kishte qënë djali më i mençur dhe më trim i fshatit dhe që vdiq kur i biri ishte vetëm 1 vjeç. Nga kujtimet e së ëmës dhe të shokëve kishte mësuar se ai ishte i guximshëm, patriot dhe lexonte dhe në gjuhë të huaj. Nëna e Bedriut ishte nga një familje e thjeshtë durrsake me prejardhje ulqinake.

Shkollën fillore Bedri Dedja e ndoqi në Shkodër, ndërsa shkollën e mesme e ka kryer në Gjimnazin «16 Shtatori» të qytetit të Durrësit. Më 1949 u dërgua me bursë shteti për studime të larta në Moskë, ku më 1953 e mori diplomën e arsimit të lartë në dy degë paralele: të psikologjisë dhe të pedagogjisë si dhe të letërsisë për fëmijë. Ka punuar dyzet vjet si pedagogë i psikologjisë në shkollat e larta të Republikës së Shqipërisë.

Shqiptarët gjithmonë kanë pasur njerëz të shquar, njeriun e thjeshtë dhe të respektuar botërisht, «Nënë Terezën» si shtetase , Skënderbeun, një papë, guvernatorë, perandorë dhe vizirë të mëdhenj. Figurat e ndritura të Kombit tonë që nga Skënderbeu, Nënë Tereza, Fan Noli, Ismail Qemali, Ibrahim Rugova, studjuesit dhe shkrimtarët prof. Eqrem Cabej, prof. Mahir Domi, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare,  Dritëro Agolli, Alfred Uçi e sa e sa figura të tjera janë krenari e kombit tonë. Një i tillë është edhe akademiku Bedri Dedja.  Prandaj edhe mendova të shkruaj për krijuesin e  «Nëpër ravat e jetës», si edhe të sa e sa qindra librave të tij që bëjnë pjesë në fondin e artë të letërsisë shqipe.

Prof. Bedri Dedja e kishte gati projektin dhe do ta realizonim shpejt me titull “Pestalozzi dhe Shqipëria”. Unë i kisha premtuar se do ta përktheja në frëngjisht. Libri do të ishte një homazh për pedagogun e dëgjuar zviceran që për vite të tëra mendoi për njerëzit e thjeshtë, për t’i mësuar ata të ndjekin një rrugë të mbarë: atë të dashurisë dhe respektit ndaj njeri tjetrit, ndaj bashkëkombasit dhe të huajit. Ky libër do të ishte një mesazh i miqësisë midis Zvicrës dhe Shqipërisë dhe do të shërbente si një udhërrëfyes për brezat e rinj në Shqipëri, Kosovë e Diasporë që do të mësonin më tepër për jetën dhe ravat e jetës së pedagogut dhe humanistit të shquar zviceran, Pestalozzi.

Ai ishtë Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Psikologëve, anëtar i Asamblesë së Ligës Botërore të Shkencave Psikologjike. IBC, ose Qendra Ndërkombëtare e Biografive të Kembrixhit, në vëllimin e 1999-2000, në rubrikën « Who Who’s », e ka cilësuar Bedri Deden me tre tituj : si  « shkrimtar dhe autor botëror » si « një nga 2000 shkrimtarët më të shquar të  shekullit të XX-të » dhe « Njeriun e Vitit 1999-2000 ». Është “Qytetar Nderi” i Beratit, laureat i “Cmimit te Republikës”, “Urdherit Naim Frashëri”. Me rastin e 70 Vjetorit të lindjes së tij, ai mori urdhërin « Mjeshtër i Madh i Punës ». Një rrugë në Tiranë mban emrin e Akademikut Bedri Dedja.

Gjithmonë njerëzit e mëdhenj të çdo kombi qofshin karakterizohen nga thjeshtësia dhe janë tepër komunikues me njerëzit e çdo moshe dhe kategorie shoqërore. Unë kam pasur fatin gjatë jetës sime të kem pranë figura të tilla të shquara të gjuhësisë, profesor Mahir Domi i cili më ndihmonte me zemërgjerësinë dhe thjeshtësinë që e karakterizonte, si edhe tim atë,  për të ecur në rrugën e gjatë dhe të vështirë të publiçistikës dhe letërsisë. I tillë ishte edhe « xhaxhi » Bedriu për mua që herë pas here shihte shkrimet e mija para se t’i botoja. Ai më dha kurajo gjatë jetës sime, sidomos pas vdekjes së tim eti . Me fjalët e tij të urta të një psikologu e pedagogu të shquar, më shtynte të shkruaja, si një terapi e mirë pas lodhjes së ditës, më dërgonte herë pas here letra, më telefononte apo më vinte dhe i shkoja për vizitë në Gjenevë apo Nëshatel,  për të botuar në një vëllim refleksionet e mija tek të cilat ai nuk donte të vinte asnjë presje.  Vitin e Ri të fundit, para vdekjes së tij e kaluam sëbashku familjarisht në Nëshatel të Zvicrës ku banon e bija. Aty kishte ardhur dhe i biri, Taulanti dhe të afërm të tjerë. Kujtuam të kaluarën se sa ka bërë ai dhe e shoqja për të ndihmuar nipër e mbesa që të merrnin sidomos rrugën e artit etj.

Akademiku Bedri Dedja më vonë nga 1992-1997 u mor intensivisht me shkrime politike për çështjen kombëtare shqiptare, kryesisht në disa gazeta të Shqipërisë, por edhe në gazeta të Kosovës, që botohen në Zvicër dhe në gazetën zvicerane “Ekspres”. Më se njëherë, kam patur fatin t’i përkthej në frëngjisht shkrimet e tija tepër domethënëse. Në ditët e fundit të jetës së tij, Akademiku, i ndihmuar si gjithnjë nga  bashkëshortja e tij, Pandora, përgatiti vëllimin me shkrime publicistike e shkencore me dy tituj “Mikroenciklopedi shqiptare” ose “Pedagogjia në Fokus”. Vëllimi përmban një larmi shkrimesh me një spekter të gjerë e dritëpamje të qartë pedagogjike, shkencore, kulturore e shoqërore. Bedri Dedja ka hartuar një numër të madh tekstesh universitare. Ai është autor dhe bashkautor në fushat e psikologjisë, pedagogjisë, historisë së mendimit pedagogjik dhe historisë së arsimit kombëtar. Shkrimtari Dritëro Agolli dhe miku i tij i pandarë, është shprehur për Bedriun ndër të tjera:”…Ne kemi shembuj edhe në letërsinë për fëmijë që tregojnë për gjithanshmërinë e shkrimtarit dhe të kësaj krijimtarie. Kështu Bedri Dedja  nuk është mbyllur vetëm në muret e kësaj letërsie: është edhe studjues, edhe kritik, edhe krijues në fushën më të gjerë letrare. Prandaj edhe romanet e tij për fëmijë kanë kulturë letrare e cilësi artistike”.

Disa muaj përpara se të ndahej nga jeta, Profesor Bedri Dedja la për Institutin e Integrimit të Jetimëve të Shqipërisë një program që, me zhvillimin e këtij institucioni të ri, të sfidonte vrazhdësinë e së tashmes ndaj kësaj shtrese të shoqërisë sonë dhe padyshim, për të dhënë frute sa më të shëndetshme për të ardhmen. Siç kujton shkrimtari Ferhat Cakaj, “Bedriu Ynë i bën thirrje shtetit shqiptar, gjithë shoqërisë se kjo “…shtresë duhet të na ngjajë me qerpikët e syve të shoqërisë…” Ky zë, zëri i Profesorit të Madh ngrihet si flakërimë në ditët që kalojmë. Çdo njeri me mëndje të kthjellët duhet të mirëkuptojë e të mbështesë zërin e Profesor Bedriut. Nuk ka integrim në Europë, pa integrimin e kësaj shtrese në jetën e shoqërisë sonë. As që mendohet një e ardhme pa mjegulla e atdheut, pa fëmijët, pa dritën e syve të asaj të ardhmeje”.

Më poshtë, më lejoni të dashur lexues t’u jap një vlerësim të të paharruarit Bedri Dedja për një poet kosovar, nga kujtimet e tij të shumta dhe me vlerë artistike, ku ai ndër të tjera shprehet: “Mustafë Xhemailin dhe vëllimin e tij poetik «Fusha e plagosur» unë e takova më 1997. Kur e vizitova studion e tij në Bienne, (Zvicër) qytet i bukur buzë liqenit, mbeta i mahnitur. Një bibliotekë shumë e pasur, një videotekë, një ekspozitë pikturash si trilogjia pikturale shqiptare e piktorit tonë të madh Ibrahim Kodrës dhe grafika nga cikli «Pas korrjeve» të grafistit të njohur Hysni Krasniqit etj. Në një hapësirë tjetër një piano dhe një xhubletë e vjetër 100 vjeçe. Studio me një teknikë moderne për punë me literaturë profesionale dhe me një arkivë shumë të pasur për kulturën dhe letërsinë. E, mbi të gjitha, ajo që më bëri përshtypje në këtë studio, ishte aroma e fuqishme e fushës së Kosovës. Më dukej sikur ishte shkëputur një copë nga vendlindja dhe kishte ardhur bashkë me Mustafën dhe familjen e tij, këtu në Zvicër! Ai më tregoi se më kishte njohur më 1967, kur ishte fëmijë dhe kishte lexuar «Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit», botimin e parë në Kosovë. Më tha se atëherë kishte ëndërruar të bëhej një Fatbardh Pikalosh. Por, kur e lexova librin e tij «Fusha e plagosur», unë u binda se Mustafa ia kishte kaluar Fatbardhit tim”.

Një nga ish studentet  e tij në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit, Kozeta (Këze) Zylo që jeton tashmë në SHBA kujton në një letër dërguar të bijës së profesorit të nderuar: »Unë kam qënë me fat që kam patur një profesor, akademik, shkrimtar nga më të shquarit, ku me punën e tij kolosale, ka bërë emër në fondin e figurave të intelektualëve të shquar në botë. Kurrë, kurrë, nuk do ta harroj Profesorin tim të respektuar në vitin 1975-1977, kur jepte leksione në Universitetin e Elbasanit, i cili në atë kohë kishte ardhur me « dënim » nga lart. Oh, sa e vuante Profesori im atë dënim, e bashkë me të dhe ne studentët e tij, por që ai kurrë nuk e shprehte…edhe pse ne e psikologjisnim në leskionet e tij ! Ai kishte një seriozitet dhe një ndershmëri të rrallë, dhe ne studentët e atij brezi mezi e prisnim orën e tij, sepse elokuenca e tij, dashamirësia e tij, dinte të prekte zemrat e mijëra studentëve që ai mësoi dhe edukoi. Personalisht e kam profesorin më të shtrenjtë, një mik ndër më të mirët, jo vetëm pse na jepte vlerësimin që meritonim, por mësova shumë prej figurës së tij madhore ».

Ai ka shkruar në shumë zhanre të letërsisë dhe me tepër sukses. Shumë nga veprat e tij kanë marrë çmime Republike dhe janë përkthyer në  vende të ndryshme të botës.  Ai ka shkruar rreth gjashtëdhjetë vepra letrare në të gjitha gjinitë. I janë ribotuar gjashtëdhjetë e një herë librat për fëmijë. Romani i tij «Një udhëtim i
rrezikshëm» është botuar në shumë gjuhë dhe është në listën e nderit të Organizatës Ndërkombëtare të Letërsisë për Fëmijë. Mjaft prej librave të Prof. Bedri Dedja janë botuar edhe  në SHBA,  në Francë, në Greqi, në Zvicër, në Rumani, në Kinë, në Rusi, e gjetkë nëpër botë.

Përmbledhja «Përrallat e Zvicrës» që është një botim dygjuhësh: shqip dhe frëngjisht, është një pjesë e kujtimeve dhe rrëfenjave që prof. Bedri Dedja ka shkruar për këtë vend të vogël, tërheqës, të njerëzve punëtorë, mikpritës, si Zvicra. Në Zvicër ai ka ardhur herë pas here dhe e ndjente veten të qetë për të shkruar, për të mbajtur konferenca, sidomos për të  rinjtë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe viset, që e kanë zgjedhur këtë vend isi atdheun e tyre të dytë. Ai u nguliste atyre në mendje, me elokuencën e tij të pashembullt, se duhet të respektojnë ligjet dhe zakonet e Zvicrës, si edhe zviceranët respektojnë traditat dhe gjuhën shqipe dhe të popujve të tjerë, duke u dhënë atyre mundësi të mësojnë dhe të flasin në gjuhën e tyre amtare. Bedri Dedja jo më kot shprehej: “Më i lumtur nga të gjithë do të jetë ai popull, i cili më mirë se çdo gjë tjetër do të mësojë fëmijët e vet, do të dijë të pasurojë mendimin dhe t’u japë drejtimin ndjenjave të tyre”.

Prof. Bedri Dedja  ka dhënë mësim pedagogjinë dhe psikologjinë në shumë Universitete dhe institucione kërkimore shqiptare, ka dhënë një ndihmesë për shkollën dhe historikun e saj, për arsimin dhe edukatën, për psikologjinë shoqërore.Ai ka mbajtur konferenca jashtë shtetit, në dy kongrese evropiane të psikologjisë dhe ka qënë ftuar në kongreset e XXIV, XXV, XXVI dhe XXVII botërorë të psikologjisë. Ai kishte marrë letra dhe ftesa për veprimtari shkencore ndërkombëtare nga Danimarka, Irlanda, Suedia, Afrika e Jugut, Kolumbia, Belgjika, Spanja, Kanadaja, Amerika, Meksika, Portugalia, Holanda, Rusia etj, etj.

Dhe ai vazhdon të ecë nëpër rava, me mendimin  dhe këshillat e tij, duke lënë si mesazh besimin se Shqipëria dhe shqiptarët do të ecin në rrugë të mbarë, solidarë, të përkushtuar për kombin dhe brezat e ardhëshëm të një vendi të vogël, por me njerëz punëtorë, fisnikë dhe fqinjë të denjë e të respektuar.

“Xhaxhi” Bedriu iku, por na la pas kujtimin e njeriut të mirë, të urtë, të dashur për fëmijët e tij dhe vocërakët kudo, për njerëzit që e donin dhe i donte në Shqipëri, Kosovë, Toronto, Sunio, Gjenevë, Nëshatel, Nju Xhersi, Fier, Durrës, Berat, Korçë  e kudo.

Do të dëshironin të ishin sot mes nesh me tufa lulesh në duar dhe të përuleshin para kujtimit të shkrimtarit, publicistit, pedagogut, profesorit, akademikut Bedri Dedja edhe dhjetëra miq nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Diaspora.

I përjetshëm qoftë kujtimi i akademikut Bedri Dedja!

Gjenevë, 11 prill 2019