CH-Ballkani

Akademi Përkujtimore në përvjetorin e vdekjes së tre akademikëve të shquar

Tre akademikët Nushi, Krasniqi dhe Stavileci, qė vdiqën para dy vitesh në një hark kohor prej vetëm dhjetë ditësh, ishin bashkëthemelues dhe anëtarë të strukturave drejtuese te Lidhjes Shqiptare në Botë

Me rastin e dyvjetorit të ndarjes nga jeta të tre Akademikëve të shquar shqiptarë, Pajazit Nushi, Mark Krasniqi dhe Esat Stavileci, Lidhja Shqiptare në Botë, në bashkëpunim me Qendrën për arësimim dhe këshillim ABSM në Basel, organizojnë një Akademi Përkujtimore kushtuar personaliteteve në fjalë.

Në vizitën e tyre të fundit në Zvicër, tre akademikët me kryetarin e LSHB-së për Zvicër, Nazmi Jakurti

Tre akademikët Nushi, Krasniqi dhe Stavileci, qė vdiqën para dy vitesh në një hark kohor prej vetëm dhjetë ditësh, ishin bashkëthemelues dhe anëtarë të strukturave drejtuese te Lidhjes Shqiptare në Botë. Ata merrnin pjesë rregullisht dhe jepnin kontributin e tyre të çmuar edhe në aktivitetet që LSHB në Zvicër, ku ishin gjithnjë të mirëpritur.

Lidhja Shqiptare në Botë (LSHB) është një organizatë atdhetare me shtrirje në të gjitha hapësirat autoktone shqiptare dhe në vendet ku jetojnë shqiptarët, jashtë këtyre hapësirave. LSHB në Zvicër, e udhëhequr nga Nazmi Jakurti, është ndër degët më aktive të kësaj lidhjeje dhe deri më tash ka organizuar një numër të madh aktivitetesh me dobi kombëtare.

Lidhja Shqiptare në Botë, pas shumë vitesh të përpjekjeve për ta bashkuar subjektin shqiptar dhe për ta sugjeruar atë që të mblidhet rreth strumbullarit kombëtar, opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar i ofron një kornizë pikëpamjesh, idesh dhe mendimesh të shfaqura dhe të miratuara në kuvendet e veta të krijuara gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët nëpër botë, të cilat, pretendojnë t’u rekomandohen shqiptarëve kudo që janë, si një platformë kombëtare e veprimit të përbashkët në aktivitetet me interes të përbashkët, me qëllim të përparimit të çështjes shqiptare dhe të shpënies së saj drejt zgjidhjes së drejtë dhe të plotë.

Lidhja Shqiptare në Botë synon që t’i bashkojë shqiptarët në projekte të përbashkëta kombëtare.

Në kuadrin e aktiviteteve të veta të shumta LSHB në bashkëpunim me Këshillimoren ABSM nga Baseli, organizon edhe Akademinë Përkujtimore në nderim të tre akademikëve të lartpërmendur. Hapjen e akademisë do ta bëjnë Nazmi Jakurti, LSHB Zvicër dhe Skender Nikoliqi ABSM. Me fjalë përshëndetëse do të paraqitet Simon Kuzhnini, Kryetar i LSHB, pastaj përfaqësues diplomatik dhe mysafirë. Me referate do të prezantohen: Shpend Bajrami, LSHB Maqedoni, Shaban Arifaj, LSHB Kosovë dhe Sebastian Nuiqi, LSHB Gjermani.

Në program do të ketë edhe një pikë muzikore.

Akademia mbahet të shtunën, më 30 shtator 2017 në orën 19:00, në sallën Barock, Hotel Bären, St. Urbanstrasse 1, 4900 Langenthal