E-Diaspora

Agron Bajrami, artisti që vallen shqiptare e pati mision jetësor

Për të nderuar për artistin dhe shokun e dashur të të gjithëve, më 6 prill në Winterthur janë bërë bashkë familjarët, miqtë, bashkëluftëtarët, të ardhur nga e gjithë Zvicra po edhe nga Gjermania dhe nga Kosova

“Të mësohemi të ecim shqip”. Kjo ka qenë motoja e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër dhe fjalia që është lakuar më së shpeshti në mbrëmjen komemorative që u mbajt të premten, më 6 prill në Winterthur, në nderim të Agron Bajramit, koreografit, piktorit dhe atdhetarit që iku nga kjo jetë më 12 mars. Familjarët, miqtë e tij, kolegët, bashkëpunëtorët, bashkëluftëtarët, të ardhur nga e gjithë Zvicra po edhe nga Gjermania dhe nga Kosova, ishin bërë bashkë për të nderuar kujtimin për artistin dhe shokun e dashur të të gjithëve.

Për të ndarë dhembjen me të tjerët dhe për të evokuar kujtimet për Agronin, në skenë u ngjitën folës të shumtë. Secili nga ta ndau me të pranishmit atë që ishte më e vlefshme nga bashkëpunimi, miqësia e tyre me Agron Bajramin.

Ibish Neziri, i cili është edhe autor i monografisë për Shkollën Shqiptare të Vallëzimit “Shota” dhe mik e njohës i thellë i Agron Bajramit, lexoi një biografi të Agronit. Ai në shkrimin e tij kishte spikatur të gjitha veçoritë që e bëjnë unik personalitetin poliedrik të artistit të ndjerë. Duke filluar nga aktivizimi i tij si i ri gjimnazist në demonstratat e vitit 1981, për të vazhduar me angazhimin në shoqërinë Kulturore Artistike “Bajram Curri” të Prishtinës dhe me kalimin pastaj si valltar i dalluar në ansamblin profesionist të këngëve dhe valleve “Shota”.

30 vjet në shërbim të kultivimit dhe afirmimit të traditave shqiptare në mërgim

Jeta e tij merr një kthesë pas shkuarjes së Agronit me “Shotën” në turneun në SHBA në vitin 1987. Edhe pasi ansambli qe kthyer, Agroni kishte mbetur atje, duke u aktivizuar si koreograf dhe valltar në shoqëritë e atjeshme që mbanin gjallë frymën e traditës shqiptare. Pas rreth një viti ai kthehet në Zvicër, ku do të qëndronte për tridhjetë vitet në vijim, pra deri në fund të jetës së tij të shkurtë por të begatë dhe të bujshme. Sigurisht, në mozaikun e jetës intensive që pati Agron Bajrami, “gurët” e 25 viteve të fundit peshojnë më së shumti. Është kjo koha nga themelimi i Shkollës së Vallëzimit “Shota” e këndej. Gjatë kësaj kohe ai me “Shotën” e tij u shndërua në një institucion më vete që i ka dhënë vulë të fuqishme gjithë jetës kulturore, artistike të shqiptarëve të Zvicrës e më gjerë.

Ndërsa ndër kulmet e aktiviteteve të Shotës dhe Agron Bajramit janë pjesëmarrjet e tij në Festivalin e Folklorit në Gjirokastër, së fundi në vitin 2015.

Neziri ka vlerësuar lart edhe kontributin e madh që në gjithë këto përpjekje i ka dhënë bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja më e ngushtë e Agronit, Lirie Bajrami. Po ashtu pjesë e angazhimit me “Shotën” me kohë u bë e gjithë familja, të katër fëmijët e Agron dhe Lirie Bajramit: Shkëndija, Valoni, Flamuri dhe Shqipja. Të gjithë ata u rritën në skenë dhe u ushqyen me pasionin për vallen, kulturën dhe traditat shqiptare.

Migrimi i Agronit si mision

Ndërsa në emrin e Amabsadës së Kosovës në Bernë, gjegjësisht ambasadores Nazane Breca, fjalën e ka marrë Mustafë Xhemajli, ministër këshilltar në ambasadë.  Ai po ashtu ka folur për Agron Bajramin si mik të dyfishtë që e kishte (familjar dhe bashkëveprimtar), për Agronin artist të valles popullore, të pikturës e të kamerës dhe montazhit. Por po ashtu edhe për Agronin, aktivist atdhetar dhe pjesëtar të UÇK-së.  “Migrimi i Agron Bajramit qe më shumë se një migrim i zakonshëm. Migrimi i tij ishte një mision i vërtetë. Sepse ai, duke bartur nga Kosova një pjesë të kulturës, si valltar i spikatur i ansamblit Shota në Zvicër e barti atë si një lloj relikti të çmueshëm dhe e kultivoi kudo ku arriti me ansamblin “Shota”, duke e bërë atë ushqim shpirtëror, traditë dhe vlerë kombëtare për brezat e rinj të rritur në Zvicër”. Më tutje, Xhemajli duke folur për ceremoninë e përcjelljes në banesën e fundit të Agron Bajramit, ka thënë se ajo ka qenë sikur jeta e tij, e karakterizuar nga rite kombëtare. Varrimi u bë me përcjelljen nga muzika që ai e kishte lënë amanet pasi e kishte shumë për zemër, me valle kaba me klarinet të Laver Bariut.

Të gjithë kanë marrë mësime nga Agroni

Kontributin e Agron Bajramit për kultivimin dhe mbajtjen gjallë në Zvicër të traditës së valles shqiptare e kanë vlerësuar në tutje edhe përfaqësuesit e shoqërive kulturore artistike të shqiptarëve me fjalët e tyre simbolike. Kështu Nexh Isufi nga “Vatra”, Shefqet Cakolli nga  “Dardania”, Sherif Dakaj nga “Rinia”, Ndue Ukaj nga “Arbëresha”, Mexhit Morina nga “Plisi” etj. kanë evokuar secili nga këndi i tyre i njohjes kujtimet për të ndjerin. Ata në fjalët e tyre emocionale, e kanë përshkruar Agron Bajramin si njeriun që ka bërë hapat e parë në kultivimin e folklorit shqiptar në Zvicër, duke vendosur bazat e kultivimit të valles së mirëfilltë shqiptare në këto shoqëri. Por jo vetëm kaq. Agroni ka qenë dhe mik i mirë, njeri me humor dhe me gatishmëri të pashembullt për të dhënë pa kursim nga përvoja e tij e pasur, që shoqëritë në fjalë të “marrin këmbët” dhe të realizojnë misionin e tyre drejt kultivimit dhe afirmimit të valles shqiptare në Zvicër e më gjerë, kanë theksuar ata.

Një falënderim të madh për Agron Bajramin e kanë shprehur edhe prindërit e nxënësve të Shkollës së Vallëzimit “Shota”. Ata kanë vënë theksin në afërsinë dhe taktin prindor që ka karakterizuar raportet e tij prej mësuesi dhe artisti me të gjithë, në veçanti me fëmijët.

Me një fjalë emocionuese është ngjitur në skenë edhe bashkëluftëtari i Agron Bajramit, ish-komandanti i logjistikës “Mërgimi”, Gani Nuha, i ardhur enkas nga Gjermania.

Agron Bajrami me “Shotën” të cilën e ka krijuar vetë dhe me shoqëritë tjera që i ka ndihmuar, ka qenë shumë i pranishëm edhe në jetën kulturore të mesit ku ka jetuar. Të thuash nuk ka pasur ndonjë aktivitet kulturor e festiv në Zvicrën gjermane ku “Shota” nuk ka defiluar të paktën një herë. Kështu, ai ka afirmuar kulturën e traditën shqiptare por edhe ka pasuruar programet përkatëse me koloritin e pasur dhe tingujt e valles shqiptare. Në këtë kuptim, Agron Bajrami ka krijuar edhe shumë miq në mesin e zviceranëve.

Zviceranët nga Agroni kanë mësuar për kauzën shqiptare 

Regula Bachmann, punëtore sociale, aktiviste e njohur dhe mike e shqiptarëve ka folur për këtë aspekt të jetës së Agronit. Ajo ka përmendur se para se të takohej me “Shotën” dhe Agronin, nga mesi i viteve `90 të shekullit të kaluar, nuk ka ditur të thuash asgjë mbi shqiptarët dhe kulturën e tyre. Në ato vite “Shota” kishte marrë pjesë për herë të parë në festivalin e  Valleve të Lenzburgut, ku ajo ishte pjesë e organizimit. “Nga Agroni kam mësuar pastaj jo vetëm për vallen dhe kulturën shqiptare në përgjithësi por edhe për situatën politike ndër shqiptarët, për jetën shoqërore të tyre për konstelacionet familjare të shqiptarëve etj. Kjo njohje më ka lënë mbresa të pashlyeshme dhe nga kjo kam kuptuar dhe kam adhuruar vullnetin që kanë shqiptarët për angazhim për kauzën e tyre. Agroni po ashtu ka shërbyer si shembull i jashtëzakonshëm i integrimit, duke u ndërlidhur dhe bashkëpunuar me ansamblet që kultivonin folklorin zviceran, duke mësuar vallet e tyre, duke u shfaqur bashkë me “Shotën” me kostumet kombëtare zvicerane dhe ansjelltas, ka thënë veç tjerash Bachmann.

Vallja e parë dhe e fundit…

 

Një manifestim komemorativ për Agron Bajramin nuk mund të paramendohet pa vallen, atë që ai e ka dashur deri në pafundësi, deri në vetësakrifikim. Kështu, në përmbyllje të mbrëmjes, Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota”, e krijuar nga ai, ka luajtur edhe dy valle, njëra nga të cilat ishte rikujtim nga vitet e hershme “Vallja e demonstratave 81” gjegjësisht vallja e parë që kishte krijuar Agron Bajrami, në fund të viteve `80 me shoqërinë “Luftëtarët e lirisë”, e cila ishte pararendëse e Skollës së Vallëzimit “Shota” në Zvicër. Ansambli e kishte mbajtur në fshehtësi nga Agroni përgatitjen ae sërishme të valles për në skenë, që duhej të ishte befasi për krijuesin e saj… Me këtë, edhe njëherë në skenë u ngjit vargani me valltarët që ai i kishte shkolluar dhe i kishte mësuar në radhë të parë “të ecin shqip”, i cili shpërfaqi gjithë bukurinë dhe forcën që karakterizon vallen shqiptare, sidomos atë të krijuar me pasion nga Agron Bajrami.