Shqipëria
Agjencia e Brukselit: Shqipëria është vendi më i korruptuar në rajon
Agjencia e Brukselit, EurActiv, i ka bërë jehonë një sondazhi që tregon se Shqipëria është vendi më i korruptuar në rajon. Gati 56% e të anketuarve shqiptarë pohojnë se u është kërkuar një ryshfet dhe 47% pranojnë se e kanë dhënë atë, përcjell albinfo.ch.
Të dyja këto shifra janë më të lartat në rajon, sipas raportit të fundit “Monitorimi i sistemit të korrupsionit 2021”, të publikuar nga “SELDI”, Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integrim. Shqipëria ka presionin dhe përfshirjen më të lartë për korrupsion në Ballkanin Perëndimor për të gjithë treguesit, si për kërkimin e ryshfetit, dhënien e tij, pranueshmërinë e korrupsionit, rënien pre ndaj tij dhe deri në kapjen e shtetit nga bizneset.
“Shqipëria duket të jetë vendi më i prekur nga korrupsioni administrativ më i lartë në rajon me 57% të qytetarëve që u kërkohet ryshfet të paktën herë pas here dhe 47% marrin pjesë realisht në transaksione korrupsioni”, thuhet në raport.
Serbia mbetet vendi me shkallën më të ulët të presionit të korrupsionit në rajon, ndërsa Kosova ka shkallë më të ulët të përfshirjes aktuale në aktivitete korrupsioni me 20% të qytetarëve që kanë paguar ryshfet të paktën në disa raste krahasuar me 23% në Serbi. Sipas raportit, përfshirja e drejtpërdrejtë në transaksionet e korrupsionit shoqërohet me mbizotërimin e qëndrimeve specifike ndaj korrupsionit dhe sjelljeve korruptive dhe nga perceptimi se korrupsioni është i përhapur në shoqëri.
Një tjetër tregues, ai i pranueshmërisë së korrupsionit pasqyron besimin e qytetarëve se disa praktika korruptive nga zyrtarët publikë janë normale dhe mund të tolerohen. Në vitin 2021, pranueshmëria është më e larta në Shqipëri (40%), Bosnjë e Hercegovinë (38%) dhe Maqedoninë e Veriut (37%), por edhe rezultatet më të ulëta (Kosova – 25% dhe Mali i Zi – 27%) mbeten mjaft të larta. Megjithatë, rënia e vazhdueshme e pranueshmërisë në të gjitha vendet, përveç BH-së dhe Malit të Zi që nga viti 2016, tregon rritjen e qëndrueshmërisë ndaj korrupsionit midis qytetarëve, thekson raporti.
Edhe kapja e shtetit është mbizotëruese në Ballkanin Perëndimor, ku sërish Shqipëria mban rekordin, si një vend ku interesat private ndikojnë ndjeshëm në proceset vendimmarrëse të një shteti në avantazhin e tyre. Treguesin e presionit për kapjen e shtetit nga bizneset, i cili përqendrohet në presionin e monopolizimit në nivel kombëtar, sektorial ose institucional, Shqipëria e ka 45, më e larta në rajon, së bashku me Bosnjë e Hercegovinën.
Ndërsa për indikatorin tjetër, mundësuesit e kapjes së shtetit, që përfshijnë faktorë institucionalë dhe mjedisorë në nivel kombëtar, arrin në 50, gati dy herë më i lartë sesa vendi i dytë pas nesh që është Kosova. Kapja e shtetit në rajon është një mekanizëm përmes të cilit hartimi, miratimi dhe zbatimi i rregullave dhe rregulloreve qeveritare në disa fusha të rëndësishme të funksionimit të qeverisë shtrembërohet në favor të një numri të vogël përfituesish në kurriz të shoqërisë dhe biznesit në përgjithësi. Raporti shpreh shqetësimin se pavarësisht se kapja e shtetit është e lartë nuk bëhet mjaftueshëm për ta luftuar atë – asnjë nga strategjitë antikorrupsion të miratuara nga vendet e rajonit nuk e përmend atë. Është kryesisht shoqëria civile, dhe me raste partnerët e huaj, që e quajnë atë si një shqetësim të madh.
Komisioni Evropian, i cili e ngriti atë si një çështje disa vite më parë, tani duket se i shmanget këtij problemi. Më parë, raportet e progresit të KE-së për vendet në rajon theksonin se kishin gjetur “elemente të qarta të kapjes së shtetit”, ndërkohë që në botimet e fundit fenomeni përmendet vetëm pak, që mund të jetë një reflektim i prioriteteve gjeopolitike për të përshpejtuar zgjerimin përballë kërcënimeve nga Rusia dhe Kina. Fakti që kapja e shtetit mungon në axhendën antikorrupsion tregon se “masat” që përbëjnë atë axhendë janë kryesisht çështje administrative, të cilat nuk mund të ndikojnë në shkaqet më të thella që pengojnë progresin dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë demokratike, thekson raporti.
E-Diaspora
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër Afro 13 vjet burgim për shqiptarin që vodhi shtëpinë e Raheem Sterling...
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
-
Promovohet në Cyrih libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998 -1999”
Jeta në Zvicër
-
530 milionë franga më shumë për forcat e armatosura të Zvicrës Mësohet se Komisioni Kombëtar i Financave ka gjykuar se deri në vitin e ardhshëm nevojiten mbi...
-
Si mund të kontrolloni për paralajmërimet e kontaminimit të ushqimit në Zvicër?
-
Në vitin 2025, shumë punëtorë zviceranë do të marrin paga më të larta
-
Si po përmirësohet karta e udhëtimit me tren ‘Half-Fare Plus’
-
Blerjet online: Rreth 700 dërgesa të paligjshme u sekuestruan për një javë